Lajme

RrGK organizon protestë për të kërkuar drejtësi për Zejnepe Berishen

Autori: Gazeta inFokus 08:03 | 04 August 2017

Rrjeti i Grave të Kosovës se bashku me aktivistë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarë organizojn protestën paqësore para Pallatit të Drejtësisë, për të kërkuar dënim maksimal për Nebih Berishën, vrasësin e viktimës së dhunës në familje Zejnepe Berisha.

Pasi që institucionet e drejtësisë nuk po ndërmerrnin masat e duhura, pas reagimeve të shumta, RrGK angazhoi avokaten Fehmije Gashi Bytyqi që të përfaqësonte familjen e Zejnepes.

Si rezultat, pas ankesave të bëra nga përfaqësuesja e familjes së Zejnepes, Gjykata e Apelit në Prishtinë ka vendosur që të mbajë një seancë sot në ora 10:00.

-Advertisement-

Pas vrasjes së Zejnepës, me urdhër të Gjykatës Themelore të Prizrenit me 12 prill vrasësi i viktimës është dënuar me vetëm 12 vjet burg.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, në nenin 179 mbi Vrasjen e Rëndë thotë se “Me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet personi i cili: … 1.3. privon nga jeta anëtarin e familjes”.

Duke marrë parasysh rrethanat se si ka ndodhur kjo vrasje, peshën e veprës dhe dhunën sistematike që viktima ka përjetuar, RrGK vazhdon ta konsideroj këtë dënim si jo proporcional me veprën e kryer.

“Ju rikujtojmë se në të kaluarën institucionet përgjegjëse janë deklaruar se duhet të ketë zero tolerancë ndaj dhunës në familje, por dënimet e tilla minimale nuk po përçojnë të njëjtin mesazh. Ato po japin mesazhin e gabuar se krimet e tilla makabre nuk do të marrin dënimin e merituar”, thekson RrGK.

Prandaj, RrGK shpreson që Gjykata e Apelit gjatë kësaj seance do të nxerr një aktvendim meritor. RrGK beson që me vendime të drejta, organet e drejtësisë mund të ndikojnë në uljen e dhunës, respektivisht krimit. Dhuna në familje është krim!

RrGK dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) po bashkëpunojnë në monitorimin e institucioneve relevenate lidhur me rastet e dhunës në baza gjinore, duke përfshirë rastet e dhunës në familje.

Ky bashkëpunim synon të ngrisë përgjegjësinë institucionale gjatë trajtimit të dhunës në baza gjinore, dhe të rrisë raportimin e këtyre rasteve, duke u siguruar të ketë drejtësi, mbrojtje dhe rehabilitim për rastet e dhunës në baza gjinore.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Ku mos mu HUTU me BLACK FRIDAY Artmotion
-Advertisement-

Të tjera