RrGK-ja: Shqetësuese, aktgjykimi për shfajësim të të akuzuarit për keqpërdorim seksual me persona nën moshën 16 vjeç
Autori: Gazeta inFokus 15:30 | 08 September 2022
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me shqetësim thonë se ka pranuar aktgjykimin për shfajësim të të akuzuarit për keqpërdorim seksual me persona nën moshën 16 vjeç, i cili rast ka filluar të trajtohet nga organet e drejtësisë pas gjashtë vitesh raportim dhe pas katër vite gjykim.
Sipas një reagimi për media thuhet se në aktgjykimin e pranuar, i akuzuari lirohet nga aktakuza, me arsyetimin që “në mungesë të provave” nuk është provuar fajësia e të pandehurit.
“Me shqetësim të madh, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) së fundmi ka pranuar Aktgjykimin për shfajësim të të akuzuarit për keqpërdorim seksual me persona nën moshën 16 vjeç. Rasti në fjalë, fillon të trajtohet nga organet e drejtësisë pas gjashtë vitesh raportim dhe pas katër vite gjykim. Në aktgjykimin e pranuar, i akuzuari lirohet nga aktakuza, me arsyetimin që ‘në mungesë të provave’ nuk është provuar fajësia e të pandehurit”, thuhet në reagim.
Tutje në reagim thuhet se e mitura, atë kohë 9 vjeçare, në vitin 2012, me ndihmën e nënës së saj, raportoi rastin e abuzimit ndër vite nga njerku i saj.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka pranuar Kallëzimin Penal në 27.07.2012, vetëm për të zhagitur rastin, për të ritraumatizuar të miturën e abuzimit, duke e marrë deklaratën e saj të përsëritur disa herë, deri në vitin 2022 – ku merret vendimi sipas së cilit gjykata dhe prokuroria nuk kanë arritur të vërtetojnë fajësinë e të pandehurit, duke dhënë vazhdimisht arsyetimet, të cilat RrGK për hir të shpalosjes së mendësisë patriarkale të ngujuar thellë në sistemin gjyqësor në Kosovë ka vendosur t’i citojë si në vijim: ‘Konteksti në të cilin është raportuar rasti i abuzimit, nga nëna e së miturës, është i diskutueshëm’ “, thuhet në reagimin e RrGK-së.
Sipas RrGK-së, gjykata e thotë një gjë të tillë, duke aluduar që nëna e së miturës e ka raportuar rastin e abuzimit të vajzës, vetëm pasi që e ka vërejtur se “bashkëjetesa e saj me të pandehurin po shkon drejt një fundi të pariparueshëm”.
Siç thuhet në reagim, duke ju referuar si fund i pariparueshëm dhunës konstante fizike të cilën e ka ushtruar i pandehuri mbi nënën e së miturës.
“Në këtë mënyrë, përkundër që gjykata pranon se dhuna konstante fizike ka qenë e përsëritur, në të njëjtën kohë, gjykata konstaton se: ‘Gjykata ka parasysh që në raste të tilla kur ndodh sulm apo ngacmim seksual, apo keqpërdorim seksual brenda anëtarëve të familjes, sidomos siç është rasti këtu kur mungon vullneti i njërës palë, është e pritshme që të vërehet ndryshim në sjellje dhe raporte të çrregulluara mes familjarëve të familjes që pretendohet të jenë të përfshirë’ “.
Tutje, sipas RrGK-së përpos që gjykata e konsideron “raport të çrregulluar” dhe “mungesë të vullnetit të njërës palë” abuzimin seksual me të miturën, e njëjta po ashtu ngre pyetjen tendencioze, dhe tejet shqetësuese.
“Nëse raportet mes të dëmtuarës – dëshmitares (nënës së vajzës) dhe të pandehurit, nuk do të ishin përkeqësuar, a do të raportonte e njëjta rastin e keqpërdorimit seksual të vajzës së saj?” Me këtë pyetje, gjykata fajëson dëshmitaren për mos-raportim, dhe njëherit, ngre pyetje të cilat janë komplet subjektive, dhe nuk ndërlidhen me rastin, i cili është, abuzim seksual ndaj të miturës 9 vjeçare, që nga viti 2005 (kur e mitura kishte 8 vjeç) e deri në vitin 2011”.
Lexoni të plotë reagimin e Rrjetit të Grave të Kosovës:
Me shqetësim të madh, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) së fundmi ka pranuar Aktgjykimin për shfajësim të të akuzuarit për keqpërdorim seksual me persona nën moshën 16 vjeç. Rasti në fjalë, fillon të trajtohet nga organet e drejtësisë pas gjashtë vitesh raportim dhe pas katër vite gjykim. Në aktgjykimin e pranuar, i akuzuari lirohet nga aktakuza, me arsyetimin që “në mungesë të provave” nuk është provuar fajësia e të pandehurit.
E mitura, atë kohë 9 vjeçare, në vitin 2012, me ndihmën e nënës së saj, raporton rastin e abuzimit ndër vite nga njerku i saj. Prokuroria Themelore në Prishtinë, pranon Kallëzimin Penal në 27.07.2012, vetëm për të zhagitur rastin, për të ritraumatizuar të miturën e abuzimit, duke e marrë deklaratën e saj të përsëritur disa herë, deri në vitin 2022 – ku merret vendimi sipas së cilit gjykata dhe prokuroria nuk kanë arritur të vërtetojnë fajësinë e të pandehurit, duke dhënë vazhdimisht arsyetimet, të cilat RrGK për hir të shpalosjes së mendësisë patriarkale të ngujuar thellë në sistemin gjyqësor në Kosovë ka vendosur t’i citojë si në vijim:
“Konteksti në të cilin është raportuar rasti i abuzimit, nga nëna e së miturës, është i diskutueshëm”.
Gjykata e thotë një gjë të tillë, duke aluduar që nëna e së miturës e ka raportuar rastin e abuzimit të vajzës, vetëm pasi që e ka vërejtur se “bashkëjetesa e saj me të pandehurin po shkon drejt një fundi të pariparueshëm” – duke ju referuar si fund i pariparueshëm dhunës konstante fizike të cilën e ka ushtruar i pandehuri mbi nënën e së miturës.
Në këtë mënyrë, përkundër që gjykata pranon se dhuna konstante fizike ka qenë e përsëritur, në të njëjtën kohë, gjykata konstaton se:
“Gjykata ka parasysh që në raste të tilla kur ndodh sulm apo ngacmim seksual, apo keqpërdorim seksual brenda anëtarëve të familjes, sidomos siç është rasti këtu kur mungon vullneti i njërës palë, është e pritshme që të vërehet ndryshim në sjellje dhe raporte të çrregulluara mes familjarëve të familjes që pretendohet të jenë të përfshirë.
Tutje, përpos që në paragrafin më lart, gjykata e konsideron “raport të çrregulluar” dhe “mungesë të vullnetit të njërës palë” abuzimin seksual me të miturën, e njëjta po ashtu ngre pyetjen tendencioze, dhe tejet shqetësuese:
“Nëse raportet mes të dëmtuarës – dëshmitares (nënës së vajzës) dhe të pandehurit, nuk do të ishin përkeqësuar, a do të raportonte e njëjta rastin e keqpërdorimit seksual të vajzës së saj?” Me këtë pyetje, gjykata fajëson dëshmitaren për mos-raportim, dhe njëherit, ngre pyetje të cilat janë komplet subjektive, dhe nuk ndërlidhen me rastin, i cili është, abuzim seksual ndaj të miturës 9 vjeçare, që nga viti 2005 (kur e mitura kishte 8 vjeç) e deri në vitin 2011.
Tutje po i citojmë edhe disa nga arsyetimet tjera skandaloze të gjykatës, përkatësisht, Departamentit për të Mitur, në lidhje me shfajësimin e të pandehurit:
Duke iu referuar faktit që e dëmtuara e mitur, vazhdimisht ka dhënë detaje të reja, dhe data gjatë të cilave është abuzuar, gjykata thekson:
“Ky ndryshim në deklarim me kalimin e kohës, duke përfshirë edhe raste të tjera të cilat nuk ishin treguar më herët, në vlerësimin e gjykatës, shpërfaq një tendencë të dëmtuarës së mitur së pari për DRAMATIZIM të situatës dhe paraqitje të pandehurit si veçanërisht abuzues në raport me fëmijët.”
Gjykata e konsideron se një e mitur, e cila në kohën kur raporton rastin kishte 11 vjeç, është në gjendje të krijojë skenare të abuzimit seksual, madje në detaje, (për arsye se gjykata i liston rastet të cilat i ka shpjeguar e mitura, tejet qartë dhe rrjedhshëm).
Sidoqoftë, e konsideron se fajësia e të pandehurit është e diskutueshme, për arsye se “është krejtësisht e pabesueshme që e dëmtuara e mitur, po qe se të ekzistonte sulmi seksual i cili pretendohet, të mos ta kishte shprehur atë apo të vërehej nga persona të tjerë, përfshirë nga nëna e saj” dhe përkundër faktit që ekzistojnë provat materiale për dhunën konstante fizike të cilën e ka shkaktuar i pandehuri ndaj nënës së të miturës.
Shkeljet ligjore në këtë vendim janë të shumta duke filluar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës e cila nuk e ka kualifikuar veprën penale në pajtim me nenin 198 paragrafin 2, lidhur me paragrafin 5 pikën 7 të Kodit të Përkohshëm Penal, pasi që i dyshuari ishte njerku i saj, por kualifikimi është bërë vetëm me paragrafin 2 të KPK-së, e që ka qenë rrethanë lehtësuese për të akuzuarin.
Tutje, Gjykata Themelore e Prishtinës e liron të dyshuarin, me arsyetimin kinse “në mungesë të provave” kur në të njëjtën gjykatë janë paraqitur prova të shumta dhe gjykata ka refuzuar procedimin dhe ekzaminim të tyre, përfshirë provat si në vijim:
- a) Letrën e shkruar nga e dëmtuara, në të cilën e njëjta rrëfen për gjendjen e rëndë emocionale dhe fizike, si pasojë e abuzimit ndër vite, dhe e cila është konfirmuar të jetë e shkruar nga vajza e mitur, nga Agjencioni i Forenzikës;
- b) Dëshmitë e përreth katër personave të përfshirë, përfshirë zyrtarë policorë;
- c) SMS kërcënues për tërheqjen e raportimit të rastit, i drejtuar ndaj nënës së të dëmtuarës, i dërguar nga i pandehuri;
- d) Raportet mjekësore të së dëmtuarës, të cilat kanë vërtetuar gjendjen e rëndë të së miturës;
Gjykata pa treguar arsyet, ka refuzuar nxjerrjen e ekspertizës mjeko ligjore, edhe pse ka ekzistuar një kërkesë nga ana e Prokurorisë dhe nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar për nxjerrjen e kësaj ekspertize e cila do të kishte me qenë prova kryesore e rastit.
Sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore, në mbi 70% të rasteve të dhunimeve seksuale viktima janë vajzat e mitura. Përkundër kësaj, ne çdo ditë po dëshmojmë dështimin institucional, dhe tutje, tendencën për fajësimin e viktimave, të cilat nën rrethana tejet të kufizuara, po zgjedhin të raportojnë rastet, pikërisht tek institucionet të cilat po i neglizhojnë ato.
Duke e pasur parasysh këtë, RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 038 245 850.
Të tjera
-
SHKSHMK-ja apelon për kujdes në aktivitetet malore
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka apeluar qytetarët të kenë kuj...
-
Bill Clinton del nga spitali
Ish-presidenti Bill Clinton, doli nga një spital në Washington të martën ...
-
Kurti ua cakton prokurorëve oraret kur mund ta intervistojnë – Lokacioni: Kryeministria
Kryeministri Albin Kurti edhe njëherë ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që t...
-
Krishtlindjet katolike, uron Haradinaj: Neve vërtetë na bashkon shqiptaria
Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe F...
-
Moscertifikimi i Listës Serbe, Kurti: Është diktat i Beogradit mbi serbët e Kosovës
Kryeministri Albin Kurti, gjatë një konferencë për media ka folur për mosceer...
-
Bedri Hamza: 25 milionë euro në vit për bursa janë më shumë se financim, janë shpresë e mundësi për të rinjtë
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se 25 milionë euro...
-
Kurti paralajmëron: Priten sụlme nga Serbia para dhe pas Vitit të Ri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se mund të ketë sulme të...
-
Kurti: Sụlmin në kanalin e Ibër-Lepencit e urdhëroi Radoiçiqi, Serbia ka përgjegjësi financimin dhe planifikimin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Milan Radoiçiq është ai që e ...
-
Reshjet e dendura të borës, Ministria e Infrastrukturës jep detaje për gjendjen e rrugëve
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – Departamen...
-
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sụlme në veri, Nemanja dhe Vlladimir Radivojeviq
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Serbia është duke vazhduar të bëjë luftë...
-
Osmani: Lista Serbe është angazhuar në akte terroriste, akte agresioni dhe cenimin e rendit kushtetues të Kosovës
Për moscertifikimin e Listës Serbe, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjos...
-
Refugjatët sirianë në Europë dhe kthimi i tyre në Siri
Gjatë dekadës së fundit, vendet evropiane kanë hapur dyert për më shumë se nj...