Lajme

RrGK-ja reagon pas lirimit të burrit nga Mitrovica që dyshohet se dhunoi vajzën e tij

Autori: Gazeta inFokus 16:24 | 24 November 2020

Gjykata Themelore në Mitrovicë e kishte shpallur të pafajshëm të pandehurin që dyshohet se ka dhunuar vajzën e tij 17 vjeçare.

Rrjeti i Grave të Kosovës përmes një komunikate për media ka kërkuar masa mbrojtëse për 17 vjeçaren.

“Gjykata Themelore në Mitrovicë e kishte shpallur të pafajshëm të pandehurin, duke e liruar atë nga të gjitha akuzat. Arsyeja kryesore për lirimin e tij, edhe pse kishte prova bindëse, përfshirë këtu edhe deklaratën e 17 vjeçares, ishte se prokuroria kishte dështuar të ofronte dëshmi të mjaftueshme për ta bindur trupin gjykues për fajësinë e tij. Kjo ka bërë prokurorinë ta përdorë të drejtën e ankimimit duke e dërguar rastin në Gjykatën e Apelit”, thuhet në reagimin e tyre.

-Advertisement-

RrGK-ja ka thënë se vajza nuk duhet të jetojë në të njëjtin ambient me babain sepse rrezikohet mirëqenia e saj.

“RrGK ngrit shqetësimin se të jetuarit në të njëjtin ambient me ushtruesin e dhunës, përveç që dëmton mirëqenien psikologjike të saj, mund të ndikojë edhe në frikësim dhe kërcënim për të raportuar sërish, tani që rasti është në rigjykim. I bëjmë thirrje Qendrës për Punë Sociale ta trajtojë rastin me seriozitet, duke i kërkuar që të ketë edhe bashkëpunim me strehimoret për të mitur në mënyrë që të miturës t’i ofrohet strehim në rast se ajo ka nevojë, si edhe ndihmë psikologjike”./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera