Lajme

Rreziku që u kanosej ambasadave amerikane, flasin zyrtarët e lartë

Autori: Gazeta inFokus 23:28 | 12 January 2020

Zyrtarët kryesorë amerikanë kanë folur rreth pohimeve të Presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka thënë se komandanti iranian i forcave Quds Qassem Soleimani synonte të hidhte në erë katër ambasada amerikane.

Sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper tha për rrjetin televiziv CBS News se “ai nuk kishte parë informacione zbulimi se Irani paraqiste një kërcënim të afërt për katër ambasada të SHBA-së, por ai shtoi se i besonte Presidentit Trump kur thotë se ka pasur një gjë të tillë (kërcënim)”.

Në një intervistë për CNN-in shefi i Pentagonit tha se ai besonte se Soleimani ishte “ditë larg” fillimit të një sulmi ndaj objekteve amerikane kur SHBA-ja sulmoi me dron duke e vrarë atë më 3 janar.

-Advertisement-

Si përgjigje, Irani hodhi 16 raketa balistike në bazat ushtarake në Irak, ku janë vendosur trupat amerikane. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se ishin në dijeni të sulmit disa orë përpara, gjë që u dha kohe të garantonin sigurinë e forcave. Pas sulmit nuk pati njoftime për viktima amerikane.

Në seancat për informimin e Kongresit lidhur me sulmin për vrasjen e Soleimanit, ligjvënësit përfshirë kryetarin e komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve Adam Schiff, thanë se zyrtarët e administratës Trump nuk përmendën kurrë mundësinë e sulme ndaj katër ambasadave.

Por këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare Robert O’Brien tha për Fox News të dielën se “ata (demokratët) duhet të na besojnë për informacionet e zbulimit që kemi patur në lidhje me kërcënimin që paraqiste Soleimani”.

Ai shtoi se ishte “e vështirë të diheshin specifikat” e kërcënimit që vinte nga Soleimani dhe forca Quds që ai drejtonte. Zoti O’Brian tha gjithashtu se kishte informacione për “kërcënime shumë serioze ndaj objekteve amerikane në rajon”.

Kryetarja Nancy Pelosi drejtuese e Dhomës së Përfaqësuesve tha se “mendon se administrata nuk ka qenë e çiltër me Kongresin”.

Pas sulmit me raketa të Teheranit, zoti Trump u tërhoq nga kërcënimet e mëparshme për sulme të mëtejshme ushtarake kundër Iranit dhe në vend të kësaj i vendosi Teheranit sanksione të tjera ekonomike./Voa

Zoti O’Brien tha që fushata amerikane e “presionit maksimal” kundër Iranit po funksionon. “Irani po mbytet”, tha ai duke shtuar se është bërë e vështirë për Teheranin të marrë paratë për financimin e vazhdueshëm të operacioneve ushtarake të forcës Quds në Lindjen e Mesme.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera