Opinione

Rreziku i përtharjes së përpjekjeve

Autori: Gazeta inFokus 15:11 | 15 November 2017

Shkruan: Agron Hoti

 

Fakti që jemi gjeografikisht në Evropë dhe që përbëjmë rrënjët e saj nuk bindin mjaftueshëm për mpleksjen që duhet ta kemi për të avancuar drejt dinamikave të reja në kontinentin e vjetër. Mungesa e krijimit të një standardi në zhvillimet politike, socio-ekonomike e kulturore në shoqërinë shqiptare është duke vonuar krijimin e një sistemi vlerash në linjë me standardet evropiane.

-Advertisement-

Zhvillimeve të shpejta globale si duket po u përgjigjemi sikur në jerm, kur trupi fle, e gojae ngacmuar nga truri, flet palidhje. Globalizmi përpos anës së mirë ka edhe sfida, pra atakimin e vlerave aty ku dhe sa mundet dhe shpërfaqjen e antivlerave si trend e projeksion. As shoqëria shqiptare s’është imune ndaj këtij fenomeni vështirë të kapërcyeshëm. Për dallim prej shoqërive të zhvilluara, shoqërisë shqiptare ende i mungon projeksioni i zhvillimit të standardit dhe vlerave, e në situata të tilla kundër-vlera e mund të bëhet normë shoqërore. Të gjithë jemi në dijeni për krajatat nëpër të cilat jemi duke kaluar.

Çështja është se a jemi dhe sa jemi të interesuar për krjimin e një standardi gjithëshqiptar. A kemi resurse të mjaftueshme që të hyjmë në trende e projeksione globale për t’i kapitalizuar përfitimet që premtojnë vlera e zhvillim gjithëshoqëror. Topitja e mendjes duke u kujdesur vetëm për formë e jo përmbajtje sikur ka filluar t’i përthajë përpjekjet tona për të ecur përpara.

Na është bërë ves të themi se të huajt na kanë bërë shtete (Shqipërinë e Kosovën) dhe ata nuk na lëshojnë nga kthetrat, sikur ajo shqiponja symprehtë e fisnike që bart gjitarin nga shkëmbi i thepisur drejt një vendi më të sigurt. Natyrisht që mirënjohja për këtë ndihmë nga jashtë asnjëherë nuk duhet të na mungojë, sepse lindjen e Shqipërisë dhe Kosovës e mundësuan dhe lehtësuan miqtë tanë ndërkombëtarë, por fakti që tashmë jemi rritur, na obligon të ndërtojmë standarde e vlera, të cilat kulmojnë me sisteme të qëndrueshme që japin rrugë.

Mungesa e standardit dhe sistemit në rezonimin dhe veprimin tonë gjithë-shoqëror pamundëson ballafaqimin me probleme e fenomene rrethuese, të cilat për shoqëritë perëndimore konsiderohen të tejkaluara. Kaluan 27 vite që nga rënia e komunizmit në Shqipëri, e njërës prej diktaturave më të egra në botë, gjersa zhvillimi i demokracisë sikur ka mbetur zbathur e leckosur si Luli i Vocërr te Migjeni, pa ndonjë shpresë në horizont.

Parcializimi i problemeve, qasja jo-sistemike, promovimi i interesave personale para tyre kolektive sikur nuk premtojnë rritjen e produktivitetit të shoqërisë shqiptare. Mjafton të shikojmë ‘tele-novelat’ mediale në tërë hapësirën shqiptare për të vërtetuar tendosjen mes interesit individual karshi atij kolektiv, polarizimet ekstreme politike, shpërfaqjen e krizave të njëpasnjëshme në qeverisje, mbizotërimin e shpirtngushtësisë përballë hapjes shpirtërore për standarde e vlera.

E kur mekanizmat e ndryshëm ndërkombëtarë na vlerësojnë sipas standardeve dhe vlerave të qëndrueshme globale, ne i zgurdullojmë sytë të habitur duke thënë që po nën-vlerësohemi.E po janë pikërisht këto vlera që ndihmuan zhvillimin dhe forcimin e subjektivitetit shqiptar gjithandej nëpër botë, pa të cilat ekzistenca jonë si komb do të ishte vënë në pikëpyetje. Dhe nëse ne nuk premtojmë projeksione të mirëfillta demokratike, atëherë përqafimi i standardeve dhe vlerave ndërkombëtare do të mbetet si një ëndërr e bukur.

Ecja e ngadalshme drejt BE-së e gjithë shoqërisë shqiptare, turbulencat konstante politike, vend-numërimi në procesin demokratik, mungesa e vizionit politik e socio-ekonomik, janë simptomaqë flasin për përtharje të përpjekjeve. Kjo amalgamë problemesh ka filluar ta godasë me të madhe vitalitetin tonë si komb, karakteristikë të cilën fqinjët tanë me programe të rrezikshme nga më të ndryshmet janë munduar ta parandalojnë dhe luftojnë në çdo kohë dhe në çdo vend.

Syçeltësia përballë kësaj agonie, përballë këtyre kontradiktave të mëdha shoqërore mes asaj që kemi ëndërruar dhe asaj që shohim e prekim çdo ditë, kërkonnjë qasje programatike karshi zhvillimeve aktuale e në ardhje për tu pozicionuar më mirë si në planin e brendshëm ashtu dhe në atë të jashtëm. Intensifikimi i bashkëpunimit ndër-shqiptar në të gjitha dimensionet e tij me mendje premtuese dhe vizione të shëndosha e të qarta do të nxiste e rriste rentabilitetin brenda-shqiptar.

Duhet ikur njëmendësisë politike, sepse kjo cenon bazën e demokracisë, pra sundimin e shumicës, pluralitetin në mendime e gjykime, respektimin e të drejtave individuale e kolektive, etj. Mendimtari i shquar shqiptar, Arbër Xhaferi, derisa po analizonte raportet shqiptare-sllave shprehte shqetësimin e tij me vend që shoqërisë shqiptare sikur historikisht i ka munguar “prevencioni” kundër projeksioneve të errëta që bëheshin dhe ende bëhen kundër nesh. Xhaferi thotë që nacionalizmi serb është “projektues”, ndërsa ai shqiptar “reagues”.Kjo na ka kushtuar dhe ende na kushton. Asnjëherë nuk kemi pasur një plan kombëtar prevencioni, ndërkohë që kombet e zhvilluara investojnë energji të pafundme në këtë drejtim. Gjithmonë, problemit i jemi qasur në mënyrë parciale nëse jo edhe periferike, ashtu veprojmë edhe sot.

Patëm filluar me takime mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, por sikur kjo iniciativë nuk u intensifikua me sa më shumë përmbajtje dhe orientim programatik. E kemi një bashkëpunim në rrafshin arsimor, kulturor e sportiv, por i cili është shumë pak i institucionalizuar. Intensifikimi i bashkëpunimit duhet parë nga perspektiva e rritjes së cilësisë dhe produktivitetit të shoqërisë shqiptare. Çdo vonesë në këtë drejtim zvënit interesin tonë, parcializon çështjen si dhe vonon krijimin e standardit dhe vlerave.

Është bërë modë të flitet që kur të hyjmë në BE do të bashkohemi. Ky është edhe vizioni i dikuj-dikujt por edhe ngushëllim i vetvetes. Duke ditur që historikisht kemi dhënë më shumë për Evropën sesa që kemi marr nga ajo, atëherë përpjekjet tona duhet të jenë shumëfish më të mëdha për ta përshpejtuar rrugëtimin drejt Integrimit Evropian. E përshpejtim do të thotë ri-aktivizimi i elanit gjithë-shoqëror dhe para se gjithash veprim, ashtu siç kemi vepruar në momente të caktuara historike. Filozofi gjerman Hegel në lidhje me këtë thoshte që “esenca qenësore e shpirtit është veprimi…. dhe se kombet janë ashtu siç janë veprat e tyre”.

Lëvizjet studentore të vitit 1981 dëshmuan veprim kombëtar, demaskuan sistemin komunist, pan-sllavist, pikërisht aty ku kjo idelogji mendonte se kishte mbyllur dosjet, pra bëhej sikur s’kishte më probleme etnike sidomos në federatat artificiale në Jugosllavi, BRSS apo Çekosllovaki. Ky mega-hap evropeizues u bë pothuaja në sinkron me lëvizjen Solidarnost në Poloni, kjo e fundit shpërfaqi problemet e klasës punëtore, të cilat nga ideologjia komuniste poashtu konsideroheshin të përmbyllura.

Në anën tjetër Serbia trashëgoi pa zhurmë tërë bagazhin dhe trashëgiminë jugosllave, Maqedonia dhe Mali i Zi u bënë shtete po ashtu pa zhurmë. Këto zhvillime u morën si të mirëqena nga Evropa duke harruar që popujt sllav sidomos në BRSS e Jugosllavi vetë-shpalleshin si element shtetformues, si popull i zgjedhur (sidomos serbët e rusët), tjetërsonin pronat e popujve josllav nga ajo private në shoqërore dhe më pas i gllabëronin, përdornin lloj lloj metodash deri në gjenocidale për shpërnguljen e popujve josllav (shqiptarët në Jugosllavi, popujt e Kaukazit në BRSS, etj.) e sa e sa veprime irracionale që rrezikonin seriozisht qenien e popujve josllav.

Popujt jo-sllav shpalleshin si popuj të dorës së dytë, pa aftësi shtet-formuese, u mvesheshin një sërë tiparesh negative si kundërrevolucionarë, irredentistë, secesionistë, nacionalistë, varësisht se si lëviznin rrethanat në kohë dhe hapësirë. Në Jugosllavi dhe gjëkundi goditja bëhej pikërisht aty ku shkaktohej më pak zhurmë, goditeshin shqiptarët. Prandaj, shqiptarët mbeten nëpër shtete të ndryshme pa e zgjidhur problemin kryesor të tyre, interesat kombëtare të parcializuara. Dikush mori atë që nuk pati, e dikush humbi atë që pati. Kështu funksiononte ideologjia komuniste, pan-sllaviste.

E marrim si të mirëqenë faktin që miqtë tanë ndërkombëtarë pambarisht do të thejnë dhëmbët për qenien tonë edhe aty ku është e pamundur, si p.sh. fjala bie te inercioni jonë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. E marrim si të mirëqenë faktin që po këta miq ndërkombëtarë do të kujdesen për anëtarësime në mekanizma ndërkombëtarë, për njohje që i nevojiten shtetësisë së Kosovës, për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni, etj. Ndoshta kjo edhe ndodh, mirëpo, harrojmë, ose bëhemi të tillë, se jemi ne ata që duhet përvjelur mëngët për shtyrje cilësore të projeksioneve premtuese shqiptare.

Duke qenë se jemi të parcializuar gjeografikisht, politikisht dhe ekonomikisht, atëherë duhet ta kemi parasysh që na nevojitet dyfishi apo trefishi i energjisë së vendeve rajonale për të arritur cakun, pra krijimin e standardit dhe vlerave si emërues i përbashkët për të gjithë shqiptarët. Popujt që nuk arrijnë të standardizojnë zhvillimet e brendshme politike e socio-ekonomike vështirë që këndellen, mbesin të fragmentarizuar,s’mund të jenë konkurentë në zhvillim, janë lehtësisht të thyeshëm, dhe si të tillë shkojnë drejt zvetënimit.

Duke i marrur gjërat si të mirëqena, pa i analizuar mirëfilli ato, vetëm sa i kemi lidhur këmbët tona dhe kjo po i sjell telashe edhe BE-së e cila, edhe pse me njëmijë probleme, ka arritur të krijojë standarde të qëndrueshme. E ne patjetër se duhett’i përthithim dhe përvetësojmë si është më së miri ato standarde e vlera të BE-së, pa marrë parasysh çmimin. Sa më herët aq më mirë. Frymën neoliberale të sforcuar nga globalizmi duhet vënë në funksion të avancimit të interesave tona. Asnjëherë nuk ka qenë më lehtë të komunikohet me botën se sa sot, ashtu sikurse që asnjëherë nuk ka qenë më lehtë të depërtojë antivlera se sa sot. Këtë e ka mundësuar qarkullimi i shpejtë i informacionit si rezultat i zhvillimit të teknologjisë informative në përmasa të paparashikueshme.

Për të nxitur dhe ndërtuar shpirtin përbashkues, ndjenjën e përbashkët të ecjes përpara, na duhet të ndërtojmë vlera personale, familjare, shoqërore e kombëtare, të cilat pastaj duhet t’i kapitalizojmë për të mirën e përgjithshme kolektive. Duke menduar e vepruar kështu do të kemi arsimim cilësor, respektim të ligjit, respekt e dashuri ndaj njëri tjetrit dhe të tjerëve. Duke punuar fuqishëm në këtë drejtim do të ri-vitalizohemi për beteja e sfida të reja. Dhe vetëm kështu do të faktorizohemi e unifikohemi drejt një standardi gjithë shoqëror që përmbyllë sa më shpejtë ciklin e fundit të zgjerimit të BE-së, që është dhënia shqiptarëve, ashtu sikurse të gjithë popujve tjerë, vendin meritor nëpër të gjitha hallkat zhvillimore të BE-së.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera