Lajme

Rreziku nga varianti i ri, MSH-ja tregon se do të ashpërsohen masat anti-covid

Autori: H. Smajli 15:24 | 30 November 2021

Qeveria e Kosovës do të marrë së shpejti masa të reja anti-COVID si pasojë e rrezikut nga varianti i ri i quajtur Omicron, nga i cili rrezikohet edhe Kosova.

Këtë e kanë bërë të ditur për Gazetën Infokus nga zyra për informim e MSh-së sipas të cilëve, masat do të bëhen të ditura menjëherë pasi qeveria të marrë vendimin.

Në një përgjigje të shkurtër nga MSh-ja kanë theksuar që kjo do të ndodhë shumë shpejt, në mbledhjen e radhës së qeverisë.

-Advertisement-

“Masat do të bëhen të ditura sapo te vendose për to Qeveria. Besojmë shpejt”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërsa ata kanë treguar edhe nëse ka ndonjë rast në Kosovë të infektuar me variantin e ri të virusit COVID-19.

“Deri tash nuk ka raportime për ndonjë rast te variantit Omicron në Kosove”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Kujtojmë se në lidhje me këtë me 28 nëntor është mbledhur Komiteti për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19 ku thuhet se erdhën në përfundim që situata me virusin dhe variantin e ri në rajon dhe në Evropë është përkeqësuar javëve të fundit dhe se në bazë të kësaj duhet të rishqyrtohen masat që janë aktualisht në fuqi.

Ky komitet po ashtu i ka bërë thirrje personave në moshën mbi 12 vjeç që të vaksinohen pa humbur kohë.

“Duke pasuar parasysh situatën epidemiologjike lidhur me COVID-19, variantet në qarkullim dhe , me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës, gjatë javës së ardhshme do të rishqyrtohen masat në fuqi dhe do të marren masa të tjera, sipas nevojës dhe zhvillimeve lidhur me COVID-19”, thuhet në njoftimin pas takimit.

Kujtojmë që deri më tani në vend nga virusi COVID-19 kanë humbur jetën 2 mijë e 983 persona ndërsa raste aktualisht aktive sipas raportit të fundit janë edhe 320 qytetarë të infektuar me këtë virus.

Ndërsa të vaksinuar edhe me dozën e dytë janë 761 mijë 595 qytetarë.

Varianti i ri i koronavirusit ka marrë emërtimin nga Organizata Botërore e Shëndetësisë(OBSH) si ‘Omicron’.

Kur dhe ku është identifikuar ky variant i ri?

Shkencëtarët kanë identifikuar një numër të vogël të rasteve me variantin B.1.1.529 më 23 nëntor, në disa mostra të marra më 14-16 nëntor.

Më 24 nëntor, shkencëtarët e Afrikës së Jugut kanë informuar qeverinë se janë të shqetësuar nga ajo që kanë parë dhe i kanë kërkuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që të formojë një grup teknik për të vlerësuar evoliumin e virusit.

Shkencëtarët e Afrikës së Jugut kanë thënë se shenjat e hershme nga laboratorët tregojnë se virusi është përhapur me shpejtësi në Gauteng dhe mund të jetë prezent edhe në tetë provinca tjera.

Shkalla ditore e infektimit në këtë vend pothuajse është dyfishuar më 25 nëntor, duke shkuar në 2,465.

Edhe infektologët në Kosovë kanë bërë thirrje për rritje të vigjilencës dhe respektim të masave anticovid duke mos përjashtuar mundësinë që pas përhapjes në Evropë nga ky variant rrezikohet edhe vendi ynë. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…

Të tjera