Fokus

Rrezikimi i jetës së pacientëve nga kontrasti kinez në QKUK, institucioneve nuk i bëhet vonë të kryejnë hetimet

Autori: Gazeta inFokus 14:34 | 21 March 2025

Ka më shumë se një muaj që Inspektorati Farmaceutik po pret rezultatin e një mostre të produktit “kontrast” që u përdor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e që dyshohet se shkaktoi efekte anësore të rrezikshme tek pacientët.

Mirëpo rezultatin e kësaj mostre të cilën Inspektorati e ka dërguar për analizë në Laboratorin e Cilësisë – AKPPM, nuk e mori ende.

Këtë e kanë konfirmuar në një përgjigje dhënë për Gazetën Infokus ku theksohet se pas pranimit të rezultatit, Inspektorati do të marrë të gjitha masat e nevojshme sipas ligjit.

-Advertisement-

“Inspektorati Farmaceutik ka kryer procedurat inspektuese lidhur me shqetësimin e ngritur, me ç’rast ka marrë mostren dhe ka derguar në LKC/.AKPPM Inspektorati Farmaceutik është ende në pritje të rezultateve. Pas pranimit të rezultateve nga LKC/AKPPM, Inspektorati Farmaceutik në bashkëpunim me institucionet relevante do të veprojë sipas dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Gazeta Infokus ka raportuar një muaj më parë që kontrasti që u ble nga QKUK-ja ishte prodhim kinez derisa dyshohet se ka shkaktuar efekte anësore goxha të rrezikshme tek pacientët, e si pasojë e kësaj, Inspektorati Farmaceutik kishte nisur hetimet dhe ndaloi përdorimin e këtij produkti deri në zbardhjen e terësishme të rastit.

Lexo edhe:

Pacientët në rrezik nga kontrasti kinez i blerë nga QKUK-ja, Inspektorati nisë hetimet

“Inspektorati Farmaceutik, nga fushëveprimi tij, brenda detyrave dhe përgjegjësive që ka dhe  në bazë të kornizës ligjore përkatëse aktualisht në fuqi, në zbatim të kërkesës për inspektim, datë 03.02.2025, sipas kërkesës të UD Drejtorit të Departamentit të Farmakovigjilencës të AKPPM-së me Raportin për efekte anësore të dyshimta të raportuara nga  Drejtori i Klinikës së Radiologjisë të QKUK-se të datës 30.01.2025 për produktin medicinal IOHEXOL, iv. injection 35G/100ML kontrast jojonik të prodhuesit shangai STARRY PHARMACEUTICAL CO. LTD, të raportuar në Departamentin e Farmakovigjilencës në AKPPM, Inspektorati Farmaceutik ka zhvilluar aktivitet inspektues në Klinikën e Radiologjisë në QKUK”, thuhej në përgjigjen e tyre.

“Kontrasti” është një substancë që përdoret për të përmirësuar shikueshmërinë e strukturave të brendshme të trupit gjatë ekzaminimeve imazherike, si, Rëntgen (X-ray), CT (Tomografi e Kompjuterizuar), MRI (Rezonancë Magnetike), Angiografi (imazhe të enëve të gjakut) e të tjera.

 

Si ndodhi rasti dhe cila kompani e furnizoi QKUK-në me këtë produkt të dyshimtë?

QKUK-ja u përball me mungesë të kontrastit qysh nga fundi i vitt 2024. Kjo pasi pati probleme me tenderimin e vonesa nga kompania e cila u kontraktua.

Kontrata u anulua hiq më pas se katër herë sipas përgjigjes që Drejtoria e SHSKUK-së i dha Gazetës Infokus.

E edhe pas nënshkrimit të kontratës pati vonesa në furnizimin e klinikave dhe kjo nuk ndodhi deri në fund të muajit janar të vitit 2025.

Kompania e cila ka furnizuar QKUK-në me kontrastin jojonik kinez duket të jetë e njohur për problemet që i ka sjellë shëndetit publik.

“Liri – Med SH.P.K” ishte dënuar me 17 mijë euro nga SHSKUK-ja pasi edhe një herë tjetër nuk i kishte dërguar barnat me kohë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Madje sipas raportimeve në media Kompania e biznesmenit Lirim Mustafa, “Liri-Med”, është dënuar më shumë se 15 herë me gjobë nga Shërbimi Spitalor i Kosovës vetëm në vitin 2024.

Me 4 korrik 2024 ishte dënuar me gjobën 7 mijë 863 euro nga Shërbimi Spitalor i Kosovës, edhe për mosliferim të mallit.

Mirëpo Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës vazhdon ti japë tenderë kësaj kompanie problematike e cila ndër të tjera dyshohet edhe se rrezikoi jetët e pacientëve duke i furnizuar klinikat me kontrast kinez.

Gazeta Infokus ka më shumë se dy javë që ka provuar të marrë një përgjigje nga Drejtoria e ShSKUK-së se pse pavarësisht gjithë këtyre problemeve të vazhdueshme që i ka sjellë kompania “Liri – Med” sërish ata kanë vazhduar bashkëpunimin duke i dhënë para nga buxheti i shtetit mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova lanson Kredinë për Ekonominë Qarkore – e para dhe e vetmja e këtij lloji në Kosovë
-Advertisement-

Të tjera