Lajme

Rreth 800 kërkesa për lirim me kusht nga burgjet, vetëm 300 të liruar

Autori: Gazeta inFokus 22:57 | 13 March 2022

Personat që po vuajnë dënimin në burgjet e Kosovës, po vlerësohet se po përfitojnë pak nga Paneli për Lirim me Kusht.

Nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut thonë se rreth 30% e të burgosurve në Kosovë plotësojnë kriteret për t’u liruar me kusht.

“Vlerësojmë se rreth 30% e personave të privuar nga liria meritojnë që të përfitojnë nga Paneli për lirim me kusht. Është e pakuptueshme që brenda vitit nga Paneli për Lirim me Kusht përfitojnë një numër shumë i vogël i tyre”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Valentina Demolli.

-Advertisement-

Por me këto konstatime nuk pajtohet gjykatësi Rasim Rasimi, që për dy vite kryeson Panelin për lirim me kusht, i cili thotë se në të gjitha rastet kanë respektuar kriteret.

“Ne respektojmë kriteret e përcaktuara në bazë të rregullores. Në bazë të këtyre kritereve ne edhe kemi marrë vendimet që besoj se të gjitha kanë enë të arsyetuara dhe bazuara”, deklaroi Rasimi, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se gjatë vitit 2021 janë trajtuar rreth 800 kërkesa për lirim me kusht.

Rreth 500 kërkesa janë refuzuar, derisa 300 prej tyre janë pranuar.

“E mbaj mend një rast që ka qenë i dënuar me 26 vite heqje lirie. Ai ka mbajtur 20 vite burg, derisa gjashtë tjera i janë falur pasi ka pasur sjellje të mira gjatë gjithë kohës së vlerësimit”, deklaroi tutje gjykatësi.

Por Valentina Demolli thotë se të pakta janë rastet kur personat përfitojnë nga lirimi me kusht.

“Numri i të falurve që përfitojnë nga ky panel është shumë i vogël. Edhe kur falen këta persona, falja është aq e vogël sa që as nuk mund të quhet falje. Ne mendojmë se ka shumë më tepër persona që plotësojnë kriteret për të përfituar nga ky panel”.

Seancat e Panelit për lirim me kusht nuk monitorohen nga KMDLNj apo organizatat tjera qeveritare, por ato monitorohen nga Avokati i Popullit.

Pesha e krimit, historia e kaluar kriminale dhe sjellja gjatë mbajtjes së vuajtjes janë vetëm disa nga kriteret që një i dënuar mund të fitojë lirimin me kusht.

Paneli për Lirim me Kusht është organ i veçantë dhe i pavarur në vendimmarrje, i themeluar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në pajtim me dispozitat ligjore të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.

Paneli është kompetent për shqyrtimin e të gjitha kërkesave dhe propozimeve për lirim me kusht, në bazë të raporteve të përpiluara nga ekipet profesioniste të Institucioneve Korrektuese të Kosovës. Kundër aktvendimit të Panelit nuk lejohet ankesa dhe nuk mund të ngritet konflikt administrativ.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik

Të tjera