Fokus

Rrëqethëse| Kush po ua merr jetën punëtorëve në Kosovë?

Autori: Lindita Berisha 16:09 | 13 September 2019

“Kemi montuar skelet dhe nuk e di as vet se qysh ka ndodh, por jam rrëzuar nga skelet. Armatura mu ka ngul në krahun e djathtë. Kam marr një javë pushim, lëre që shefi nuk ma pagoi as një ditë por edhe shpenzimet mjekësorë që më kanë kushtuar sa një rrogë mujore nuk mi ka pagu”.

Ky është rrëfimi rrëqethës i M.D për fatkeqësinë që pësoi një vit më parë derisa po punonte në një kompani ndërtimi në një qytet të Kosovës.

Në vend të ndihmës, sa ishte në gjendje të rëndë shëndetësore shefi i tij i kishte dhënë edhe një goditje të rëndë shpirtërore.

-Advertisement-

“Duhet me u rujt kapak”, i kishte thënë ai derisa M.D po luftonte për jetë.

Ai ende ka frikë të flasë hapur në detaje se mund të identifikohet dhe pësoi më keq nga punëdhënësi.

Gjendja e rëndë ekonomike, thotë se nuk i jep komoditet të zgjedhë punë e të kërkoj kushte më të mira.

Për të dhe shumë kosovarë të tjerë ndërtimtaria mbetet sektori më i rrezikshëm, në të cilin duhet të angazhohen për të siguruar kafshatën e gojës.

Të enjten në Prishtinë, kjo i kushtoi me jetë një punëtori në Prishtinë.

Ai humbi jetën pasi ra nga kati i shtatë në një objekt në ndërtim e sipër në lagjen Lakërishte të kryeqytetit.


Puna e pasigurte

Jusuf Azemi  kryetarit i Sindikatës së Pavarur të Ekonomisë së Vogël dhe Zejtarisë(SPEVZ), tregon se vetëm gjatë vitit 2019 kanë humbur jetën 15 vetë në vendin e punës.

“Jeta e punëtorëve rrezikohet më së shumti në sektorin e ndërtimtarisë, mirëpo nuk mbesin mbrapa as sektorët e tjerë”, tregon Azemi për gazetën inFokus.

Sipas tij, numri i madh i vdekjeve në këtë sektorë po ndodhin për shkak së institucionet përgjegjëse nuk po e kryejnë punën siç duhet.

“Kaq shumë raste po ndodhin sepse nuk janë në nivel të duhur Qeveria, Ministria e Punës, Inspektorati i punës dhe pronarët e kompanive”, thotë Azemi.

Ndaj kompanive të ndërtimit këtë vit janë shqiptuar mbi 100 gjoba.

Por, kjo duket se nuk është e mjaftueshme për të rritur sigurinë në punë.

Valon Leci Kryeinspektor i Inspektoratit të Punës tregon se kanë mungesë te theksuar të numrit të inspektorëve të punës dhe nuk arrijnë ti inspektojnë të gjitha bizneset.

“Ka numër shumë të vogël të inspektorëve. Dyfishimi i numrit të inspektorëve të tanishëm do të  ishte optimal”, thotë ai duke treguar se ky konstatim ka dalë edhe në Raportin e Progresit qe disa vite.

“Kjo rritje (e numrit të inspektorëve) duhet të bazohet në varësi të bizneseve që janë të regjistruar, të punëtorëve por edhe të gamës që janë në mbikëqyrjen e inspektoratit të punës, tu e përfshi këtu edhe sektorin publik. Por, edhe shërbimin civil, administratën shtetërore në kuptim të ligjit për siguri shëndetësi dhe punë”, thotë Leci.

Sipas tij, ndërtimtaria edhe në Kosovë sikur se në vende të tjera  të rajonit dhe në BE është sektori që paraqet më së shumti rrezik në vendin e punës.

“Ndërtimtaria është nën nivelin e duhur për faktin që kemi aksidente në vend të punës. Ne jemi tu ba përpjekje në vazhdimësi, bazuar në kapacitete dhe kompetenca tona me ngritë këtë nivel të sigurisë në punë të ndërtimtarisë”, tregon Leci.

Punëtorët po trajtohen si kafshë

Megjithatë, përpjekjet e inspektoratit nuk duhet se kanë dhënë efekt aspak në këtë sektor.

Një punëtorë i një kompanie ndërtimi në Komunën e Drenasit, e krahason punën në ndërtimtari me punën e një kafshe.

“Më duhet me punu si kali. Baj blloka, cement e krejt senet çka duhen me i ofru. Disa here jam kanë te mjeku se jam i sëmur prej unazave  të qafës. Po këtu s’të vet kush. Duhet mi grah me punu se me çka me majt familjen. Në fund as barkun buk sun e ngin se 2 euro ushqimin çka do që të marrësh”, rrëfen Sh.T.

E gjithë kjo, sipas tij duhet bërë patjetër, pasi nga ai varet ekzistenca e familjes, e cila në fund as nuk ushqehet mirë.

Me vështirësi të tilla nuk përballen vetëm meshkujt të cilët punojnë në ndërtim.

Një vajzë, e cila punonte në kuzhinën e njërit nga restorantet e Prishtinës, ankohet për trajtimin aspak njerëzor që i ishte bërë në vendin e punës.

“Kam punu në një restorant 8 muaj, pastaj më lindi vajza. Pas 4 muajve lindje u ktheva me vazhdu punën dhe shefi e kish porosit menaxherin mem thanë që ka ardh dikush tjetër dhe se tash unë  e kam fëmijën e vogël dhe nëse e vazhdoj prap punën sigurt ka me i kërku mem liru prej pune sa here t’mu teket”, tregon V.B për gazetën inFokus. /Gazeta inFokus/.

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera