Rrëfimi i studentes kosovare, Universiteti në Holandë nuk ia njeh shtetin

Autori: Gazeta inFokus
14:10 | 05 October 2021
Donika Elshani, në të 20-at e saj, i ka përfunduar studimet master për Menaxhim të Krizave dhe Sigurisë në Universitetin Leiden në Holandë.
Për shkak të pandemisë së koronavirusit, ajo i ka nisur dhe i ka përfunduar studimet në versionin online nga Prishtina, pa u takuar asnjëherë fizikisht me kolegët dhe profesorët e saj.
Ndërkohë që ka nisur përgatitjet për të shkuar në Hagë, për ceremoninë e diplomimit, një email që ka marrë nga fakulteti i ka nxjerrë një angazhim të ri.
Në të, Elshanit i është thënë se vendi i lindjes – që do t’i paraqitet në diplomë – nuk do të jetë “Prizren, Kosova”, por “Prizren, Republika Federale e Jugosllavisë”.
Fillimisht kjo gjë asaj i është dukur e çuditshme, pasi kur ka përfunduar studimet në nivelin bachelor, po ashtu në Holandë – ndonëse në tjetër universitet – vendlindja nuk i ka figuruar në diplomë, dhe rrjedhimisht nuk është përballur me diçka të tillë.
E habitur nga njoftimi i universitetit, ajo më pas i është drejtuar Komunës së Amsterdamit për ta ndryshuar vendlindjen nga Jugosllavi në Kosovë.
“Kam nxjerrë certifikatën e lindjes në Kosovë dhe bashkë me pjesën tjetër të dokumentacionit i kam dërguar me postë në departamentin e Komunës së Amsterdamit, i cili merret me ndryshimin e informatave të personave që janë të regjistruar aty. Ata më pas më kanë njoftuar që duhet të presë katër javë për përgjigje”, ka thënë Elshani.
Yllka Geci, konsulle në Ambasadën e Kosovës në Hagë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se jo vetëm për studentët, por edhe për të gjithë qytetarët e ish-Jugosllavisë, që jetojnë në Holandë, vlen vendimi i njëjtë.
“Pas vitit 2008, çdo dokument që lëshohet nga shteti holandez e ka emrin e Kosovës në të sepse autoritetet e njohin shtetësinë e Kosovës nga viti 2008. Më herët ka qenë pjesë e ish-Jugosllavisë. Ne kemi bërë përpjekje, kemi pasur takime të vazhdueshme këtu me komunën. Zakonisht problemi më i madh ka qenë nëpër banka, nëpër spitale, sepse është e cekur ish-Jugosllavia”, ka deklaruar Geci.
Pse ndodh kjo ?
Zyrtarë të Ambasadës së Kosovës në Holandë, përfshirë edhe ambasadorin janë marrë me këtë çështje, por nuk kanë arritur të ndryshojnë diçka, sipas Gecit.
“Kemi pasur takime të ndryshme me zyrtarë të Holandës, por tani për tani situata është kjo”, është shprehur Geci.
Certifikatë e lindjes, e lëshuar nga autoritetet holandeze për një person që ka lindur në Prishtinë, por vendlindja i paraqitet si Jugosllavi, meqë ai/ajo ka lindur më 1996.
Certifikatë e lindjes, e lëshuar nga autoritetet holandeze për një person që ka lindur në Prishtinë, por vendlindja i paraqitet si Jugosllavi, meqë ai/ajo ka lindur më 1996.
Komuna e Amsterdamit ka treguar për Radion Evropa e Lirë se momenti i lindjes e përcakton shtetin e lindjes.
Marloe Boon nga Zyra për Media në këtë komunë, ka thënë në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë se ky rregull vlen edhe nëse emri i shtetit ndryshon më vonë.
“Kjo gjë nuk vlen vetëm për ish-Jugosllavinë, por edhe për shtetet si Bashkimi Sovjetik, zona kufitare mes Polonisë dhe Gjermanisë dhe ish-kolonitë holandeze”, ka deklaruar ajo.
E pyetur nëse mund të ndryshojë kjo e dhënë, nëse bëhet kërkesë personalisht, përgjigja ka qenë negative.
“Kjo nuk mund të ndryshohet. Një person lind në shtetin që është krijuar në datën e lindjes. Prandaj, sistemet e çështjeve civile gjithashtu funksionojnë duke u bazuar në datën e nisjes së një shteti dhe datën e ekzekutimit. Kjo gjë e bën teknikisht të pamundshme që të bartet data e krijimit të një shteti që nuk ka ekzistuar në datën e lindjes së një personi”, ka sqaruar mes tjerash Boon.
Por, vende tjera të Bashkimit Evropian, shembull Suedia mundësojnë ndryshimet.
Agjencia e Taksave në Suedi, që merret me çështje të ngjashme të regjistrimit të të dhënave, përmend në faqen e saj zyrtare se për hir të parimit, vendi i lindjes duhet të regjistrohet siç është quajtur në kohën e lindjes së personit, edhe nëse emri i shteti ka ndryshuar më vonë për shkak të arsyeve administrative, politike, linguistike apo arsye tjera.
“E njëjta gjë vlen edhe nëse shteti më nuk ekziston, shembull Gjermania Lindore apo Jugosllavia”.
Megjithatë, kjo agjenci ka thënë se i merr parasysh kërkesat kur për një person është tejet e rëndësishme që të jetë i regjistruar me emrin e ri të një shteti.
“Shembull, një person i lindur më 1963 në Kiev, Bashkimi Sovjetik, me kërkesën e tij mund ta regjistrojë vendin e lindjes si Kiev, Ukrainë”, është thënë në faqen zyrtare të Agjencisë së Taksave të Suedisë.
Në mars të këtij viti, komuniteti suedezo-shqiptar në Facebook, ka publikuar një njoftim që flet pikërisht për këtë çështje.
Sipas njoftimit, personat që kanë lindur në Kosovë dhe kanë emrin e Jugosllavisë në dokumente, tani mund ta ndryshojnë këtë gjë.
“Në mënyrë që të bëni këtë ndryshim, ju duhet të kontaktoni Agjencinë e Taksave në Suedi personalisht, apo përmes emailit, dhe të dërgoni të dhënat personale, duke treguar se dëshironi të ndryshoni shtetin e lindjes nga Jugosllavi në Kosovë, ta përmendni se Jugosllavia nuk ekziston më dhe të tregoni se kjo gjë ka shumë rëndësi për ju”, thuhet në njoftimin në Facebook.
Cili do të jetë epilogu i diplomës?
Donika Elshani, e cila ka vendosur të kontribuojë në Kosovë pas përfundimit të studimeve në Holandë, e konsideron kapitull të ri kthimin në vendlindje dhe sigurimin e një vendi të punës.
Megjithatë, punën e emrit të vendlindjes në diplomë, tha se nuk do ta lë pas krahëve.
“Jam duke menduar që të mos ndalem këtu, sepse po më duket shumë absurde që unë të marr një dokument, një diplomë, dhe aty të figurojë një shtet, një entitet që nuk ekziston tash e sa kohë”, ka deklaruar ajo.

Të tjera
-
WSJ: Trump-i miratoi privatisht planet e sulmit ndaj Iranit, por e ka pezulluar urdhrin përfundimtar
Presidenti Trump u tha ndihmësve të tij të lartë të martën vonë se kishte mir...
-
KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të enjten
Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) bën të ditur...
-
Macron nis iniciativën evropiane për të negociuar përfundimin e konfliktit Izrael-Iran
Presidenti francez Emmanuel Macron i ka ngarkuar ministrit të tij të Jashtëm ...
-
Tensionet e larta Iran-Izrael, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë seancë urgjente të premten
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë një tjetër takim urgj...
-
Kurti: Profesor Owada nuk është vetëm një mysafir i nderuar i Kosovës, ai është një mik
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga a...
-
Trump: Mund të takohem me Iranin pas sulmeve izraelite
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Irani ka shprehur dëshirën p...
-
Amerika evakuon nga Izraeli disa punonjës të ambasadës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë evakuuar nga Izraeli disa punonjës të am...
-
Basha për Hajrulla Çekun: Ka shkëlqy si Ministër, do t’shkëlqej edhe si kryetar i Prishtinës!
Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar kandidaturën e Hajrulla Çekut për kryetar...
-
Trumpi së shpejti në Dhomën e Situatave për përfshirjen e mundshme në konfliktin Izrael-Iran
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se deri në pasditen e sotme ende ...
-
Hasani: Çdo vendim që Kurti e ka marrë pas 19 prillit është joligjor
Ka më shumë se dy muaj që Albin Kurti po mban dy pozita të rëndësishme shtetë...
-
Rexhaj: Dojmë Qeveri, por veç me LDK-në
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, është shprehur i qartë sa i p...
-
40 mijë euro mbushje Vala për deputetët në vitin 2024, kush shpenzoi më së shumti?
Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë pse brengosen kur flasin e shkruajnë...