Fokus

Rrëfimi i llapjanit që iku në Kroaci

Autori: Kada Mulolli 15:38 | 26 April 2019

Kushtet e rënda ekonomike, muajin e kaluar, e detyruan 26 vjeçarin, S.U nga Podujeva ta braktisë Kosovën. Fillimisht u nisë për në Kroaci, me plan që të mos kthehet kurrë më në vendlindje.

Nga atje, ai tregon për gazetën inFokus se sa ishte në Kosovë asnjëherë nuk ka arritur të punësohet në ndonjë vend tjetër të punës përpos si shankist në kafiteri  ku punoi për 4 vite rresht.

Me këtë punë nuk fitonte mjaftueshëm që ta mbajë as veten e as familjen.

-Advertisement-

“Unë kam lënë edhe shkollimin në gjysmë, familjen e erdha me punu në vend të huaj për të siguruar një jetë më të mirë, e këtë nuk e kam bëre nga dëshira po nuk kam pasur zgjidhje tjetër”, rrëfen ai për gazetën inFokus.

Gyrbetin thotë se e shihte si zgjidhje të vetme të problemeve të tij sa ishte në Podujevë dhe sigurimi i vizës kroate ishte një shans i mirë për ti dhënë fund varfërisë.

“Unë, përmes një shoku e kuptova se një kompani  kroate kërkon punëtor në kompaninë e tij si mjeshtër ndërtimi, dhe menjëherë unë dhe një shok i imi kemi filluar procedurat për të braktisur vendin e të sigurojmë vizën e të nisim rrugëtimin tonë për në Kroaci”, tregon S.U.

Kompania i kishte rregulluar vizën brenda dy javësh.

Ndërsa tani të dy miqtë kanë një muaj që janë vendosur në Rijekë të Kroacisë, ku kanë filluar punën menjëherë.

“Javën e parë nuk kemi punuar, pasi që është dashtë me prit për leje të punës, e gjatë asaj jave kemi bëre analiza te mjeku për ta vërtetuar se jemi të aftë për punë, kurse tani punojmë nga e hëna deri të premten nga 07:00-17:00, e vikendin e kemi të lirë”, thotë ai.

S.U tregon se tani posedojnë viza kroate që kanë afat deri në shkurt të vitit të ardhshëm edhe paga nuk është e ulët dhe kushtet janë të mira për të punuar dhe jetuar.

Atyre gjithashtu i është siguruar vendbanimi nga ana e kompanisë, ku janë të vendosur 16 persona në një kat e të cilët janë të gjithë kosovarë, ku ndajnë se bashku një kuzhinë, një banjë dhe 6 dhoma gjumi.

Kosovari thotë se nuk e ka ndërmend të rikthehet në Kosovë dhe ta kalojë gjithë jetën e tij duke punuar si shankist.

Ngjashëm tregon se mendojnë edhe shumica e bashkëvendësve të tij që aktualisht gjenden në Kroaci.

E ata nuk janë të paktë.

Muajt e fundit u shfaq interesim i madh i qytetarëve për të ikur nga Kosova për në Kroaci pasi që në fund të vitit të kaluar Qeveria e Kroacisë miratoi vendimin e punësimit të të huajve./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera