Lajme

Rrëfimi i ish-deputetit kosovar për Masakrën e Reçakut, i cili raportoi live për BBC-në!

Autori: Gazeta inFokus 11:57 | 15 January 2020

Qindra qytetarë në orët e të mëngjesit të sotëm u nisën drejt Reçakut, për të përkujtuar 45 të rënët në masakrën që zgjoi ndërgjegjën e botës, duke i thënë ndal shtetit serb, të cilët pamëshirshëm nuk kursyen as gra e fëmijë.

Sot, më shumë se asnjëherë ndjehen lotët dhe dhimbjet e familjarëve dhe të atyre që humbën më të dashurit e tyre, por sot e mbarë bota është me ta, duke kërkuar drejtësi

Është ish-deputeti Muharrem Nitaj, ai i cili ishte një nga dëshmitarët që kishte parë terrorin, derisa përmes një shkrimi të bërë në Facebook ai tregon përjetimet që kishte ndjerë. Derisa i njëjti kishte raportuar për BBC-në për këtë masakër.

-Advertisement-

Ky është postimi i tij i plotë:

Reçaku i 15 Janarit të 1999

15 janari i vitit 1999, ishte si ky i sotmi, i vranët, me qiellin gri dhe ende pa borë!

Heret në mëngjes e morëm një lajm, se në një fshat të Shtimes, Reçak, (për të cilin pak kush nga ne kishte dëgjuar) kishte ndodhur një hata, se kishte shumë të vrarë e të sakatosur, dhe që vendi mbahej i rrethuar nga forcat serbe!

U tha se në vendin e ngjarjes do të shkonte edhe ambasadori William Wallker, por dy prej nesh, pa pritur njeri, u nisëm turravrap drejt Recakut!

E gjatë dukej rruga edhe pse kishte 20 e pak kilometra, sepse sikur e ndienim se tmerri me të cilin do të përballeshim atje, ishte korb i zi!

Sapo mbërritëm në udhëkryqin e fshatit, të parët qe takuam ishin 10-15 burra e një kallabllak fëmijë, që po prisnin për të parë se kush do të shkonte nga Prishtina atje, si dhe disa njerëz me tesha të zeza, që sikur mbanin rend e që ishin pjesetarë të UÇK-së.

Pa një pa dy, u mblodhë përreth nesh, secili me rrëfimin e vet, dhe njëri prej burrave, si më i moshuar, na e hoqi udhën për te oborri i shtëpisë së parë në të majt të rrugës, që ngjitej shpatit mbi Reçak!

Në oborr e para nesh ishte një grumbull me një çilim përmbi, dhe burri që e hoqi çilimin dhe që para syve tanë u shfaq një gjysmëtrupi njeriu, veç në shokë e posht, me copa ashti e mishi përreth. Na u tha se i kishin futur bombën në gojë dhe e ajo e kishte coptuar duke ia marrë gjysmën e trupit!

Kjo ishte pamja e parë në Reçak me 15 Janar 1999, e cila do të përsëritej në forma të ndryshme deri në maje të kodrës. Në atë lugun e malit, që i gjasonte një përrocke pa ujë, por me kufoma të renditura njëra pas tjetrës! Dhe maja e malit dhe një gropë e e mbetur nga një furrë gëlqereje, e mbushur plot kufoma…edhe ata si të tjerët me poshtë, me kafka të llomitura, me gjymtyrë të thyera, e me trup e shpirt të sakatosur..!

Kjo ishte masakra e Reçakut!

Pas gjithë këtij tmerri, që na kishte mpirë e s’po nxirrnim zë, u mblodhëm përreth Ambasadorit William Wallker! Ai do tē bënte një deklaratë për opinion. Ishte i shkurtër me sa mbaj mend. Tha se shihej qartë se të vrarët ishin fshatarë të paarmatosur. Dukeshin si bujq e punëtorë! “This is a crime against humanity”, tha ambasadori!

Ashtu u pa, ashtu u tha dhe ashtu lajmi mori dhenë! Unë drejperdrejt për BBC-në me zërin që me dridhej,nga shpati i malit përmbi Reçak, me dhjetëra të masakruar pranë dhe me qindra snajperistë të Millosheviqit përreth që po na vështronin përmes nishanit të pushkës!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut

Të tjera