Rrëfimet e tre burrave të mbijetuar flasin për përdhu*imet gjatë luftës në Kosovë
Autori: Gazeta inFokus 12:18 | 07 February 2024
Tre të mbijetuar meshkuj të përdhunimeve të kohës së luftës në Kosovë i treguan BIRN se si përvojat e tyre të hidhura u kanë shkatërruar jetën. Historitë e tyre nxjerrin në pah pse stigma sociale dhe turpi ende i pengojnë viktimat meshkuj të sulmeve seksuale që të kërkojnë ndihmë dhe drejtësi.
Kur ai komentoi në një postim në rrjetet sociale për një roje burgu i cili ishte arrestuar për kryerjen e krimeve të luftës në vitin 1999 në Kosovë, Bekimi nuk e dinte se kjo do të çonte në hapjen e hetimit të parë zyrtar për përdhunimin e meshkujve në vend.
Por një ditë pasi ai postoi komentin, dy oficerë policie trokitën në derën e shtëpisë së tij.
Deri atëherë, Bekimi, një shqiptar i Kosovës, nuk kishte folur kurrë për atë që i kishte ndodhur, as me familjen e as me dikë tjetër. Ai nuk kishte kërkuar ndihmë, pavarësisht se kishte tentuar dy herë të vriste veten.
Por kur mbërritën oficerët e policisë, Bekimi u tregoi gjithçka për atë që ndodhi pasi u ndalua mëngjesin e 27 shtatorit 1998.
Atë ditë, ai u mor nga policia serbe nga një fshat në Kosovën qendrore bashkë me 18 civilë të tjerë. Kur mbërritën në rajon, atje ishin të paktën 20 persona të tjerë që prisnin të merreshin në pyetje.
Fytyra e tij e zbehtë skuqet nga turpi dhe duart i dridhen mbi tavolinë, ndërsa kujton sesi dielli po shkëlqente ndërsa ai dhe të tjerët po prisnin përpara ndërtesës së policisë. “I thamë njëri-tjetrit: ‘Nuk do të na lirojnë kurrë’”.
Ai priti deri në mbrëmje që t’i vinte radha. “Ishte rreth orës 20:00 kur hyra në një dhomë me një tavolinë, dy karrige dhe dy oficerë policie”- tha ai.
Gjatë marrjes në pyetje, ai kujton se e rrahën të paktën pesë herë. Marrja në pyetje vazhdoi deri në orën 23:00. “Më pas, njëri prej tyre më vuri një pistoletë në kokë dhe më tha: ‘Hiqi pantallonat’. Ngriva në vend”- kujton ai. Më pas ai u sulmua seksualisht.
Teksa dëgjoi britmat e tij, dikush hapi menjëherë derën duke e goditur atë fort me shkelma. “Ia pashë fytyrën, por nuk e njihja”- tha Bekimi. “Vetëm pas luftës e kuptova se kush ishte ai – një përkthyes shqip (për policinë)”.
Atë mbrëmje, kur Bekimin e sollën në rajonin e policisë, aty ishte edhe një polic shqiptar. Më vonë, ky oficer do të refuzonte të jepte informacione që mund të ndihmonin në sjelljen e autorëve para drejtësisë.
Atë natë të shtatorit të vitit 1998, pasi u sulmua seksualisht, Bekimi u dërgua në një qendër paraburgimi dhe më pas në burg.
Disa ditë para përfundimit të luftës në qershor 1999, kur trupat jugosllave dhe policia serbe u tërhoqën nga Kosova pasi ranë dakord për një tërheqje nën presionin e sulmeve ajrore të NATO-s, Bekimi dhe 100 të burgosur të tjerë shqiptarë etnikë u transferuan në një burg në Serbi.
“Na rrahën vazhdimisht ndërsa ishim të prangosur dhe ndërsa udhëtonim me autobus për në Serbi”- tha ai.
“Pashë një djalë që goditi një oficer policie gjatë kohës që ishim në autobus. E dinim që ai e bëri këtë sepse donte t’i shtynte që ta vrisnin. E larguan që aty. Nuk jam i sigurt se çfarë u bë me të”.
Pasi Bekimi mbërriti në burgun serb, ai u përpoq të përdorte këmishën e tij për të mbytur veten në tualetin e burgut, por u shpëtua nga të burgosurit e tjerë.
Ai u lirua në vitin 2000 dhe disa muaj më vonë filloi të kërkonte identitetin e policëve serbë që e sulmuan seksualisht në vitin 1998.
Ai iu drejtua policit shqiptar – tani polic i Kosovës – i cili kishte qenë në detyrë atë natë. “E pyeta për emrin e njërit prej policëve që ishte aty atë natë. Më tha se nuk e dinte, por mendoj se ai e di”- tha Bekimi duke psherëtirë.
Në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës, misioni i sapovendosur i OKB-së në Kosovë, UNMIK, u bë përgjegjës për administrimin e Kosovës, duke përfshirë policinë dhe gjyqësorin. Bekimi mendoi t’u drejtohej autoriteteve për t’u treguar atyre se çfarë kishte ndodhur.
“Doja ta denoncoja, por isha i hutuar se çfarë të bëja”- tha ai.
Por në gusht të vitit 2001 ndodhi diçka që ia mbylli gojën. Përkthyesi shqiptar që kishte shkelmuar derën e rajonit të policisë atë natë të vitit 1998 u vra.
Bekimi i dha fund kërkimit të tij për identitetin e agresorit të tij sepse i druhej hakmarrjes. Por tani, pasi policia e kontaktoi atë për postimin e tij në rrjetet sociale për një roje burgu të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës, rasti i tij po merr vëmendjen zyrtare.
Sipas Drejtorisë së Policisë së Kosovës për Hetimin e Krimeve të Luftës, kjo është një nga 18 rastet e krimeve të luftës që po hetohen aktualisht.
Stereotipat gjinorë rrisin stigmatizimin
Feride Rushiti, mjeke dhe drejtuese e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, e cila ofron mbështetje mjekësore, ligjore dhe financiare për të mbijetuarit e përdhunimeve të kohës së luftës, tha se viktimat meshkuj të sulmeve seksuale janë shumë të stigmatizuar në shoqërinë kosovare.
“Stereotipat gjinorë të ‘forcës’ dhe ‘burrërisë’ kanë ndikuar ndjeshëm në stigmatizimin e tyre”- tha Rushiti për BIRN.
“Ata nuk kanë parë drejtësi dhe kjo mungesë drejtësie i bën ata të ndiejnë zemërim dhe mungesë shprese”- shtoi ajo.
Me mbi 25 vite përfshirje në trajtim dhe hulumtim, Rushiti tha se organizata e saj e ka kuptuar se “këta individë shpesh ndihen tepër të dëshpëruar, veçanërisht kur dhuna ndodh përpara anëtarëve të familjes ose të tjerëve, gjë e cila i intensifikon emocionet e tyre”.
“Psikologjikisht, kjo shpesh trondit themelet e identitetit të tyre si burra dhe i bën ata të qëndrojnë të heshtur”.
Sipas një projekti hulumtues që do të publikohet së shpejti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe Universiteti i Leuvenit në Belgjikë, një nga barrierat kryesore që burrat të bëjnë para dhe të dëshmojnë për abuzimin e tyre seksual është frika nga stigmatizimi.
Heleen Touquet, një profesoreshë e ftuar në Universitetin e Antuerpit dhe një studiuese e lartë në Universitetin e Leuvenit, e cila ka punuar në hulumtim, theksoi se në Kosovë, dhuna seksuale ndaj burrave është përdorur nga autoritetet serbe edhe para se të shpërthente lufta.
“Përdhunimi u përdor për të shtypur protestën dhe mospajtimin dhe kjo u dokumentua (edhe pse jo sistematikisht) nga organizatat e të drejtave të njeriut”- tha Touquet për BIRN.
Gjatë luftërave në Bosnje dhe Kroaci, shpjegoi Touquet, përdhunimi “ndodhi në kampe paraburgimi dhe në burgje”. Në Kosovë, ajo “ndodhi në postblloqe, në qendra paraburgimi dhe gjithashtu në shtëpi private”.
Numri i viktimave të sulmeve seksuale meshkuj nga lufta e Kosovës është i panjohur dhe shumë pak informacion rreth tyre u dokumentua në atë kohë.
Viktima fsheh krimin ndaj tij
Malushi është një tjetër shqiptar i Kosovës, i cili nuk ka folur për përdhunimin e tij për shkak të frikës së tij nga stigmatizimi.
Më 31 mars 1999, disa ditë pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë që synonte t’i jepte fund represionit ndaj shqiptarëve etnikë, Malushi do të shkonte të merrte ushqime, ndërsa familja e tij ishte fshehur nga forcat serbe në një pyll aty pranë, tha ai.
Teksa po tentonte të kalonte rrugën, ai u qëllua nga ushtarë serbë nga një postbllok aty pranë. I plagosur në këmbë, ai u ndalua nga dy ushtarë të cilët e çuan në një shtëpi të braktisur aty pranë.
Njëri prej tyre e mbajti nga duart ndërsa tjetri e përdhunoi. “Mendova se do të më vrisnin, por ndodhi diçka më e keqe”- tha ai.
Kur shkoi në shtëpi në perëndim të diellit, ai u përpoq ta fshihte atë që kishte ndodhur, duke thënë vetëm se policët e kishin rrahur. “U thashë që më torturuan, por falë Zotit jam gjallë”- kujton ai.
Dy javë më vonë, Malush tentoi të vriste veten, por ai u dërgua në spital nga familjarët e tij dhe një fqinj serb. “Ai më shpëtoi jetën”- tha ai.
“Një tabu psiko-sociale”
Veprore Shehu, drejtoreshë ekzekutive e Medica Kosova, një organizatë me seli në Gjakovë që punon me të mbijetuarit e dhunës, tha se burrat përballen me përdhunimin duke u përpjekur ta racionalizojnë atë.
“Si pasojë e roleve dhe stereotipave gjinorë, burrat shpesh e karakterizojnë dhunën që përjetojnë më shumë si ‘torturë fizike’ sesa si përdhunim”- tha Shehu për BIRN.
“Ndërsa ndihmonim 13 viktima në plotësimin e aplikimeve për njohjen e statusit të tyre si viktima të dhunës seksuale, ne vumë re se ato prireshin ta shmangnin termin ‘abuzimi seksual’ dhe në vend të kësaj e quanin atë si torturë”- shtoi ajo.
Fehma Kovac, një neuropsikiatre dhe studiuese në Institutin për Ekspertizë Mjekësore në Sarajevë, e cila ka punuar me të mbijetuarit e përdhunimeve të kohës së luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, tha gjithashtu se burrat që i mbijetuan abuzimit seksual përballen me “stigmë më të madhe sociale”.
Kjo e bën më të vështirë që ata të kërkojnë të drejtat e tyre ligjore si viktima dhe të kërkojnë qasje në trajtim, shpjegoi ajo.
Wiola Rebecka, psikologe në Universitetin Touro në Nju Jork dhe autore e librit “Rrape: A History of Shame, Diary of the Survivors”, tha se në shoqëri patriarkale si ajo e Kosovës, të flasësh për dhunën seksuale ndaj burrave është ende “një tabu psiko-sociale”.
“Përveç stigmës sociale, mos raportimi i dhunës seksuale nga burrat lidhet edhe me mungesën e besimit në sistemin e drejtësisë dhe me frikën se përvojat e tyre mund të mos besohen”- tha Rushiti.
Më shumë se dy dekada pas luftës së Kosovës, njerëzit që kanë punuar me të mbijetuarit e përdhunimit shpjegojnë se trauma dhe frika ndonjëherë kanë një çmim më të madh te burrat “sepse ata janë më të ngadaltë për të filluar trajtimin e traumës së tyre”- sipas Rushitit.
Shehu tha gjithashtu se një arsye tjetër pse pak meshkuj kërkojnë ndihmë është fakti se në organizatat që ofrojnë mbështetje psikologjike dhe ekonomike, psikologët dhe punonjësit socialë janë kryesisht gra. “Kjo pengon ndjeshëm aksesin e burrave në këto shërbime”- argumentoi ajo.
“Më është shkatërruar jeta”
Një ndjenjë ankthi e shkaktuar nga trauma e qëndrueshme ishte e dukshme kur BIRN shkoi të takonte një viktimë tjetër mashkull të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë në vendin e tij të punës.
Neziri mbylli derën e zyrës së tij për t’u siguruar që asnjë nga kolegët e tij të mos dëgjonte se çfarë do të thoshte. Fillimisht foli ngadalë, pastaj ndaloi.
“Mendova se mund të flisja”- tha ai. Vetëm dy javë më vonë ai u ndje në gjendje ta vazhdonte bisedën në një kafene.
Në maj të vitit 1999, Neziri u largua nga shtëpia e tij dhe përfundoi në një fshat të largët, i cili më pas u rrethua nga ushtarë serbë. Pasi vranë katër nga të afërmit e tij, ata e çuan atë në shtëpinë private të një serbi që përdorej si qendër paraburgimi.
Ai u mbajt atje për dy ditë, u torturua dhe më pas u përdhunua. “Kur u ktheva në familjen time, isha plot të mavijosura dhe kisha shumë plagë të gjakosura. Askush nuk dinte më shumë se çfarë ishte e dukshme”- tha ai.
Pas luftës, Neziri e raportoi rastin e tij fillimisht në një bazë ushtarake amerikane dhe më pas, në vitin 2000, tek oficerët e policisë së UNMIK-ut.
Ai u mor në pyetje vetëm një herë për krimin ndaj tij. Kur nuk pati asnjë përparim me rastin e tij, shëndeti i tij filloi të përkeqësohej dhe një vit më pas, ai tentoi të vriste veten. Më shumë se një dekadë më pas, ai më në fund vendosi t’i tregonte gruas së tij për atë që ndodhi.
Për Bekimin, sulmi që përjetoi në shtator të vitit 1998 ia ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e jetës së tij.
“Më është shkatërruar jeta; asgjë nuk mund të ma kthejë dot më shëndetin apo jetën time të mëparshme”- tha ai.
Shumica e autorëve serbë të krimeve të luftës në Kosovë nuk janë më në vend. Pas ndryshimeve ligjore në Kosovë vitin e kaluar, të dyshuarit mund të akuzohen dhe gjykohen edhe në mungesë të tyre. Por duke qenë se Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe nuk i ekstradon të dyshuarit, këta autorë nuk kanë gjasa të përballen ndonjëherë personalisht me drejtësinë, siç ka kuptuar Bekimi.
“Nuk kam shpresë për drejtësi”- tha ai. “Të paditësh apo gjykosh dikë në mungesë jo domosdoshmërish do të thotë se kjo është drejtësi”.
Emrat janë ndryshuar dhe vendndodhjet janë mbajtur të fshehta për të mbrojtur identitetet e të mbijetuarve/BalkanInsight
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...