Opinione

Rrëfime për shkollën

Autori: Gazeta inFokus 13:26 | 09 December 2019

Sistemi shkollor në Kosovë është i keq. Mirëpo, zgjidhjet për përmirësimin e tij po kërkohen gabimisht. Zgjidhjet duhet të kërkohen jo në plane të reja, por në zbatueshmërinë e planeve – cilatdoqofshin ato

Ai ishte anglez. Kishte ardhur t’i mësonte profesorët e Universitetit të Prishtinës. Ishte i ditur. I zoti. Plot vetëbesim. Profesorë me nam të Universitetit shkonin të “trajnoheshin” në ato dy-tri kurse që i mbante ai. Ishte viti i parë i pasluftës dhe thuajse të gjithë ishin dakord se Universiteti i sapodalë nga shtëpitë private kishte nevojë për ndryshime. Të gjithë prisnim me shumë qejf përvojat perëndimore për universitetin dhe ardhja e një anglezi për t’i bartur këto përvoja nuk konsiderohej punë e vogël.

Pas “trajnimit” të fundit, mirësjellja e donte që t’i bëhej edhe një ftesë për darkë. Me mirësjellje të njëjtë e pranoi ftesën.

-Advertisement-

I ditur, i zoti dhe tërë vetëbesim ishte ulur në krye të vendit dhe pyeste për sistemin. Pas ndonjë përgjigjeje qeshej me zë, duke lënë nëpër ha-ha-ha mesazhin: “Sa të dobët dhe të padijshëm që jeni!”

Nja dy herë e gjeta veten duke dashur të fshihesha nën tavolinë.

Nuk e di se si ndodhi që me kokën të ulur dhe me gjysmë zëri ta pyesja anglezin se cila ishte fusha e studimeve të tij në universitetin prej nga vinte. Ai nuk e ngriti kokën nga pjata dhe shpejt e shpejt tha se ishte ekspert i fonologjisë. Kush e di si do të kem reaguar nga gëzimi, sepse shoqëruesit e tjerë në tavolinë e kthyen menjëherë shikimin nga unë. Sapo kisha nisur punën si asistent i ri në universitet dhe mbaja ushtrime pikërisht nga lënda e fonologjisë. Në atë nismën time të hulumtimeve më të thella, kisha hasur në disa nyja që shpresoja t’i zgjidhja me ndihmën e këtij profesori kaq të nderuar anglez. Nuk kishte as shtatë-tetë vjet që dy autorë të shquar, Prince dhe Smolensky, kishin nxjerrë një teori të re të quajtur teoria e optimalitetit në gjuhësi dhe ndjeva nevojë për ca sqarime të ustait që ishte ekspert pikërisht i kësaj fushe.

Anglezi e dëgjoi pyetjen me kujdes dhe pastaj nisi të rreshtonte ca fraza që nuk kishin fare të bënin me atë që e kisha pyetur. Ia përsërita pyetjen me fjalë të tjera dhe ai u humb edhe më shumë në fraza të pakuptimta. Ai, në të vërtetë, nuk po i dinte as konceptet elementare të fonologjisë, as autorët më të shquar të kësaj fushe e për teorinë e optimalitetit as të mos flitet. Kur frazat e tij nisën të bëheshin gjithnjë e më të rënda, vendosa t’ia ndërprisja agoninë.

Më falni, zotëri, por ju nuk jeni profesor i fonologjisë!

Jo nuk jam, tha.

Pastaj më tregoi se ai vetëm e kishte kryer një kurs disajavor të gjuhësisë, ku ishte prekur pak fonologjia, se kishte mbaruar për drejtësi dhe se nuk ishte as profesor, e as nuk kishte ndonjë kualifikim më të lartë universitar. Thjesht, kishte konkurruar në një konkurs që ishte shpallur në vendin e tij dhe, në një rrotullim rrethanash, ja tek ishte duke i mbledhur përreth profesorët e Universitetit të Prishtinës në Kosovën e UNMIK-ut, për t’i “trajnuar” me metodat evropiane.

Kur dritat e restorantit u zbehën dhe darka mbaroi, anglezi doli nga restoranti, megjithatë, tërë vetëbesim. Kishte ardhur t’i mësonte profesorët e Universitetit të Prishtinës. Ishte anglez.

Migjeni ka qenë shqiptar. Ka shpërthyer në letërsinë shqipe si vullkan dhe është shuar në moshë të re.

Nxënësi i shkollës së mesme me këto fjalë po niste të përgjigjej para mësimdhënëses së tij për shkrimtarin shqiptar Migjenin.

Shumë bukur. Pesë, i tha arsimtarja. Pastaj e thirri një tjetër për ta pyetur.

Migjeni shpërtheu si tërmet dhe vdiq i ri në moshën 27-vjeçare, nisi përgjigjen e tij nxënësi tjetër.

Nuk është edhe aq mirë. Katër. Migjeni shpërtheu si vullkan – e jo si tërmet – dhe “u shua në moshë të re”.

Kisha shkuar si gazetar në një orë mësimi në njërin nga gjimnazet e Prishtinës në atë vitin e parë të pasluftës. Qëlloi një nga ato orët, në të cilat “arsimtarja pyet me notë”. Më vonë, atë ditë shkova në bodrumin e shtëpisë, kërkova fletoren time të vjetër të shënimeve të letërsisë dhe e gjeta mësimin për Migjenin.

Migjeni shpërtheu në letërsinë shqipe si vullkan dhe u shua në moshë të re, shkruante në fletoren që kishte sa vjet që mbulohej nga pluhuri në bodrum.

Njëri nga profesorët e Deparatmentit të Pedagogjisë në Universitetin e Prishtinës pati thënë se në shkollat e Kosovës nuk i mësojnë nxënësit. I dresojnë. Siç dresohen shtazët.

Pas orës së mësimit, mësimdhënësja, një grua flokëverdhë, ankohej se nxënësit nuk po lexojnë mjaft.

Merre me mend, unë u bëj pyetje të lehta: më fol për tingëllimat e Koliqit e ata heshtin. Nuk lexojnë sa duhet.

Pikërisht këtu e prita.

Profesoreshë, ju a e dini se çfarë është tingëllima?

U skuq. Nuk e dinte se tingëllima është sonet. Jo ta kishte lexuar, por vetëm ta kishte shikuar një tingëllimë të Koliqit, do ta kishte dalluar se është sonet. Mirëpo, ajo vetë kurrë nuk kishte parë asnjë nga tingëllimat e tij. Për t’i lexuar jo se jo.

Të nesërmen ajo ka vazhduar “të pyeste me notë”. Edhe një ditë më pas, e dy e tri. Shumë mirë, katër, shkëlqyeshëm pesë, dobët njësh, ka vlerësuar ajo brezat një nga një.

Pesë është numri i lëndëve, për të cilat është zgjedhur një profesor i Universitetit të Prishtinës në vitin 2009. Ai do t’i mbajë pesë lëndë të ndryshme. Tani me letër është ekspert i pesë lëndëve që nuk kanë lidhje njëra me tjetrën.

Mbaj mend një punim të Eric P. Hampit, albanologut amerikan. Po trajtonte një çështje të historisë së gjuhës shqipe dhe për ta zgjidhur një problem që i kishte dalë thoshte se duheshin njohuri të gjuhësisë historike, të gjuhësisë krahasimtare dhe të ballkanistikës. “Askush nuk mund të jetë ekspert i që të triave”, shkruante Hamp.

Kush mund të jetë ekspert i pesë fushave të ndryshme?! Natyrisht, përveç ndonjë sharlatani injorant që vetëm kujton se mund të jetë.

Në këto dhjetë vjetët e pasluftës, sistemi mësimor i Kosovës përfshirë Universitetin e Prishtinës ka kaluar në shumë eksperimente, prova, ide e variante nga kosovarë dhe ndërkombëtarë. Janë huazuar programe nga vende të ndryshme me “copy paste”, shumë shpesh pa u kuptuar fare. Shembull i mirë i këtij moskuptimi është edhe zgjedhja e

një profesori për pesë lëndë të ndryshme

në UP. Mungesa e një ideje të qartë për zhvillimin e arsimit kosovar dhe improvizimet e nisura nga të huaj si ai anglezi me kurs

disajvaor të gjuhësisë dhe të vazhduar

nga vendas, nuk e lënë shkollën e Kosovës të zhvillohet e të përparojë.

Njëri nga ekspertët ndërkombëtarë që punonin me Universitetin e Prishtinës në një muhabet kafeje thoshte me qejf: “Ky Universitet ka ngecur në vitet pesëdhjetë dhe ne po bëjmë të pamundurën për ta dërguar në vitet gjashtëdhjetë”.

Universiteti i Prishtinës është themeluar më 1970.

Njëzet vjet më vonë ka lindur Leutrim Halimi. Kurrë nuk do të arrijë ta përmbyllë njëzetvjetëshin e vet. Nxënës i shkollës “28 Nëntori”, ai është vrarë me thikë nga një nxënës tjetër në një përleshje. Në raportet e Policisë së Kosovës evidencohet e dhëna se shumë armë u janë zënë nxënësve në shkolla. Rreth 90 sosh vetëm në tetë muajt e fundit, prej tyre 30 armë zjarri dhe 59 armë të ftohta. Sipas statistikave policore, prej shtatorit të vitit të kaluar e deri në fund të prillit të sivjetmë janë regjistruar 505 denoncime për sjellje asociale të nxënësve.

Gjatë dhjetë vjetëve rresht në Kosovë janë ndërruar idetë për sistemin e arsimit. Janë shkruar e ndërruar libra e plane mësimore. Janë kopjuar programe të shteteve të ndryshme. Është ndërruar sistemi fillor nga tetë, në nëntë vjet. Tani po shfaqen ide të reja bizare si ai margaritari: “Duhet ta shkurtojmë pushimin veror se nxënësit po i harrojnë mësimet pas pushimit dymujor”.

Planifikohen tetëdhjetë milionë euro për fibra optike nëpër shkolla dhe dhjetë milionë euro të tjera për kompjuterë, por nuk zgjidhet problemi i mbingarkimit të klasave me nxënës. Ka shkolla që punojnë në tri ndërrime dhe klasë me nga mbi dyzet nxënës. Cili plan a program mund të ketë sukses në këtë sfond?

Në të vërtetë, sistemi shkollor në Kosovë është i keq. Mirëpo, zgjidhjet po kërkohen gabimisht. Zgjidhjet duhet të kërkohen jo në plane të reja, por në zbatueshmërinë e planeve – cilatdoqofshin ato.

Më kot shtohen ose hiqen lëndë shkollore, kur mësueset e ciklit të ulët nuk arrijnë të bëjnë asgjë tjetër, pos gjuhë shqipe dhe matematikë, për shkak se kanë numër të madh të nxënësve dhe mezi arrijnë t’ua mësojnë të gjithëve shkronjat e numrat. Prandaj, zgjidhja duhet të kërkohet në formulën e hapjes së paraleleve të reja, duke përgjysmuar numrin e nxënësve të një mësueseje.

Më kot rishikohen programet e lëndëve dhe librat, nëse ato nuk zbatohen nga arsimtarët. Për këtë duhet inspektim.

Më kot kërkohet shumë nga mësimdhënësit, nëse nuk gjendet një formulë për stimulimin e tyre.

Më kot vihen kompjuterë nëpër shkolla, kur shkolla nuk ka boll vend as për nxënësit e saj.

Më kot bëhen përpjekje për ta ngritur shkallën e dijes dhe të disiplinës, nëse askush nuk lejohet ta përsërisë klasën ose të përjashtohet, qoftë edhe pas therjes me thika. Duhen krijuar programe të posaçme për nxënësit që nuk kanë aftësi për nxënësit që nuk mund ta kalojnë klasën dhe për nxënësit problematikë.

Më kot shkurtohet pushimi i verës, nëse nuk funksionon sistemi.

Më kot mund të pritet dije nga mësimdhënësit, kur në universitet ka profesorë të zgjedhur për të mbajtur nga pesë lëndë të ndryshme, plus kush e di sa të tjera honorar.

Më kot mund të pritet zhvillimi i shkencës, kur zyrtarë të Ministrisë nuk investojnë në këtë kuadër, duke deklaruar: “Nuk ka shkencëtarë në Kosovë”.

Më kot bëhen testet kombëtare, nëse aty lejohet të kopjohet dhe vite të tëra të studimit, zëvendësohen me pesë minuta kopjim.

Anglezi me kurse disajavore, mësimdhënësja që nuk e di se ç’janë tingëllimat dhe ankohet se nxënësit nuk po mësojnë sa duhet, nxënësi i vrarë me thikë dhe profesori i zgjedhur për të mbajtur pesë lëndë të ndryshme në UP janë shembuj të mosfunksionimit të sistemit. Janë shembuj të dhimbshëm nga përditshmëria e jetës shkollore e mësimore. Pikërisht, aty edhe duhet të kërkohen zgjidhjet për përmirësimin e gjendjes.

Me fjalë të tjera: Shkolla shërben për nxënie.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera