Lajme

Rrahman Jashari i kundërpërgjigjet Albin Kurtit për sapunët në shkolla

Autori: K.Z 16:05 | 13 December 2021

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jashari ka reaguar pasi Kryeministri, Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit tha se në shumë shkolla në Kosovë për më shumë se dy dekada nuk ka pasur as sapunë, derisa krye sindikalistët kërkojnë rritje të pagave, shkruan Gazeta Infokus.

Kurti madje tha se sindikatat në vend që të kërkojnë kushte më të mira për shkollat e nxënësit po kërkojnë rritje pagash.

E në lidhje me këtë, Jashari në një prononcim për Gazetën Infokus ka thënë se në çdo takim të tij ka ngritur zërin edhe për gjendjen e kushtet në shkolla.

-Advertisement-

“Sa i takon asaj se SBASHK-u po kërkon vetëm rritje të pagave dhe se nuk është kujdesur asnjëherë për kushtet në punë nuk qëndron fare, sepse unë edhe në mediat e nderuara, në debate televizive dhe në takimet me institucionet gjithmonë e kam ngritë çështjen e kolegëve të mijë, duke i përfaqësuar ata për të kushteve të shkollave sepse ne ende po merremi me shkumës dhe shpuza, dhe e kemi ngritur zërin duke kërkuar që shkollat  të jenë të pajisura me ujë të pijshëm, me mjete dezinfektimit, me mjete higjienike”, tha Jashari.

Ai madje i ka dërguar edhe një mesazh Kurtit, ku i tregon se cilat çështje nuk i takon atij t’i komentojë por të ulet e të ofrojë zgjidhje.

“SBASHK ka pritu që pas letrës që i ka dërguar Unioni i Sindikatave te Evropës për Arsim Kryeministrit Albin Kurtit ku e ka treguar se në çështjet sindikale kryeministri nuk duhet të përzihet sepse bënë shkelje. Nuk e kemi përcjell por nga mediat dhe përmes kolegeve tanë merrem vesh se ai përsëri në vend që të ulet me sindikata dhe të bisedoi ai ka zgjedhur një rrugëve tjetër që nuk i takon atij”, ka shtuar Jashari.

Jashari po ashtu ka thënë se pa u ndihmuar nga askush janë duke organizuar edhe trajnime për mësimdhënësit.

“Jemi duke organizuar me takatin tone modest  edhe 8 trajnime tjera të licencuara  nga Këshilli Shtetëror i Licencimit,  me qëllimin e vetëm që mësimdhënësit të marrin njohuri të reja  dhe ti përdorin për ngritje të vazhdueshme te cilësisë në arsim”, ka thënë i pari i Sindikatës.

Kritikat e tij nuk kanë përfunduar vetëm me qeverinë Kurti. Ai ka thënë se edhe partitë e tjera kur vinin në pushtet nuk kishin prioritet arsimin, ani pse këtë e premtonin në fushata.

“Çdo subjekt politik  para se të vijnë në pushtet deklarohen se arsimi  e kanë prioritet por nuk po e tregojnë dhe nuk po e tregon as qeveria Kurti ngase ne ende po merremi me skamës dhe shpuza dhe kemi kërkuar vazhdimisht që të përmirësohen kushtet  në shkolla të furnizohen shkollat me mjete bashkohore të punës me llaptop, me projektor sepse nga jashtë janë shkollat e bukur por brenda janë gogja të zbrazta’, ka përfunduar Jashari.

Derisa kjo ishte deklarata ë plotë e Kurtit në seancën e sotme, ku përsëri ‘sulmoi’ sindikatat.

“Në njërën anë kemi pasur sindikalistë që i kanë mbrojtë ndërmarrjet, vendet e punës, i kanë mbrojtë punëtorët dhe për atë gjë janë rrahur nga grupe të caktuara që kanë qenë në anën e privatizimit të egër dhe abuziv. Këto po që janë elemente fashiste, sepse rrahja e sindikalistëve është dukuri fashiste që nuk ka ndodhur veç te na. Në anën tjetër kemi sindikalistë të cilët në fillim të qershorit të vitit 2017 midis fushatës zgjedhore patën bërë memorandum bashkëpunimi me PAN-in. Të pafajshëm nuk janë as disa krye sindikalistë. Qysh në shumë shkolla tona për dy dekada nuk ka pas as sapun, dhe të vijnë në shprehje vetëm përmes kërkesave për rritje pagash?”, deklaroi kryeministri, duke aluduar qartë në kryetarin e SBAShK-ut.

Kujtojmë që tash e disa kohë, SBASHK-u po kërkon rritje të pagave për mësimdhënësit, e po ashtu edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës po kërkojnë rritje të pagave për mantelbardhët./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera