Rrahje, përdhunime, rrëmbime: Rreth 1 mijë gra, viktima të dhunës në familje në Maqedoninë e Veriut në vitin 2022
Autori: Gazeta inFokus 09:12 | 16 March 2023
Nëntë vrasje, 26 plagosje të rënda, 675 lëndime trupore, 389 raste të rrezikimit të sigurisë, 15 detyrime me forcë si dhe tre rrëmbime, ose gjithsej 1 mijë e 117 vepra penale që lidhen me dhunën në familje, kanë ndodhur brenda territorit të Maqedonisë së Veriut gjatë vitit 2022.
Kjo është pasqyra e paraqitur në të dhënat e ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), sipas së cilës numri më i madh i veprave penale lidhur me dhunën në familje është regjistruar në rajonin e Shkupit me gjithsej 279, pas të cilit radhitet rajoni i Manastirit me 203 vepra penale. Në vend të tretë është rajoni i Tetovës ku Sektori i Punëve të Brendshme i kësaj komune ka regjistruar 145 vepra penale. Në vendin e fundit është Velesi, me 85 vepra të këtilla.
Ndërkaq, janë regjistruar gjithsej 1 mijë e 191 viktima të dhunës në familje. Ndër to, numrin më të madh e përbëjnë gratë, përkatësisht 942, gjysma prej të cilave janë të regjistruara si bashkëshorte në bashkësi familjare. Por, ka edhe rreth 120 gra viktima të dhunës në familje në bashkësi jashtëmartesore.
Në një seri dhune nuk janë kursyer as fëmijët dhe prindërit. Autoritetet kanë regjistruar 44 vajza dhe 58 djem, si viktima, por edhe 100 nëna dhe 86 baballarë.
Numri më i madh i kryerësve të veprave penale të dhunës në familje janë burra, përkatësisht 1 mijë e 61. Rreth gjysma e tyre janë bashkëshortë. Por, si kryerës janë regjistruar edhe bijtë, në 171 raste. Në regjistra janë përfshirë edhe rreth 50 ish-bashkëshortë si kryerës të veprave penale që kanë të bëjnë me dhunën në familje.
Si viktima në vitin 2022 paraqiten edhe burrat në 249 raste. Prej tyre, 25 kanë qenë në bashkësi bashkëshortore, ndërsa tre janë regjistruar si pjesë e bashkësisë jashtëmartesore.
Por, më shqetësues janë numrat kur bëhet fjalë për përdhunime dhe sulme seksuale. Në tre muajt e parë të vitit të kaluar janë regjistruar dy përdhunime ku viktimat ishin gra të moshës madhore. Janë regjistruar pesë sulme seksuale ndaj fëmijëve, përkatësisht personave që nuk kanë mbushur 14 vjet. Katër nga to ishin vajza, ndërsa është regjistruar edhe një djalë si viktimë e dhunës seksuale.
Në këta regjistra është përfshirë edhe një akt i kryer me forcë ndaj një personi të pambrojtur ku viktimë ishte një vajzë e mitur.
Në parakalimin e protestës që u mbajt në Shkup me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, një numër i madh i veprimtareve thanë se nuk ndjehen të sigurta.
“ Të jesh grua në Maqedoni (të Veriut) do të thotë të pyesësh veten nëse do të mbijetosh dhunën e përditshme nga partneri, që tanimë ke provuar ta denoncosh tek institucionet të cilat duhet të të mbrojnë. Ato kanë bërë procesverbal dhe nuk kanë vepruar dhe nuk të kanë mbrojtur”, thuhet në mesazhin të cilin e lexoi Nadica Banishka, pjesëmarrëse në parakalim.
Organizatat joqeveritare theksojnë se problem serioz në shoqëri është përballja e viktimave me paragjykime.
“Ne jetojmë në një shoqëri në të cilën faji së pari kërkohet tek viktima. ‘E çka bëre ti, që ai të ta bëjë këtë?’ Dhe për këtë gjë duhet punuar me gruan e cila ka mbijetuar dhunën, e madje edhe me fëmijët. Që ata thjesht të pranojnë dhe kuptojnë se nuk janë fajtorë për atë që kanë përjetuar. I vetmi fajtor është kryerësi i dhunës dhe vetëm ai duhet të dënohet”, thotë Elena Dimushevska, Drejtore e Përgjithshme e Rrjetit Kombëtar për Luftë kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje.
Në ministrinë e Brendshme i thanë Zërit të Amerikës se zyrtarët e saj veprojnë pas çdo njoftimi për dhunë mbi bazë gjinore.
“Ndërmerren masa për mbrojtjen e viktimës dhe masa për pengimin e autorit në kryerjen e mëtutjeshme të dhunës. Gjithmonë kur ekziston mundësia dërgohet në vendin e ngjarjes edhe një oficer i policisë i gjinisë femërore”, thonë në MPB duke shtuar se procedurat kryhen në bashkërendim me shërbimet sociale.
“Policia në kuadër të autorizimit të saj është angazhuar në mënyrë të rregullt në të gjitha format e veprimit parandalues-edukues në fushën e parandalimit të dhunës me bazë gjinore, së bashku me subjekte të tjera shtetërore apo jashtë-institucionale. Ndërkohë, është parësore lufta kundër të gjitha stereotipave dhe paragjykimeve në drejtim të informimit dhe inkurajimit të qytetarëve për mekanizmat për hetimin e hershëm, parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të mundshme”, thonë në MPB.
Megjithatë, organizatat joqeveritare theksojnë se mbrojtja e viktimave nga dhuna në familje, përkatësisht e grave dhe fëmijëve, nuk është e mjaftueshme./VOA
Të tjera
-
Kosovari që u arrestua nën pretekstin për kri*me lu*fte në Serbi, nesër del para gjykatës
Kosovari që u arrestua nën pretekstin për krime lufte në Serbi, nesër del par...
-
Lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës që u arrestua nga Serbia
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, që u ndalua në kufi n...
-
Të shtëna armësh në Prishtinë
Mbrëmjen e sotshme në Prishtinë, në afërsi të një pompe derivatesh, ka pasur ...
-
Gazeta ukrainase: Më e udhës Kyivi ta zgjedh partnere Kosovën se Beogradin prorus -humbje historike për Serbinë në Strasburg
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE), të martën në mbrëmje vo...
-
Hoxhaj në Austri takon ish-kancelarin Kurz dhe deputetë austriakë, ka një kërkesë për ta
Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë një vizite në Austri, k...
-
Prindon Sadriu i gëzohet çmimit që e mori Presidentja: Krenar me ty
Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani i është ndarë çmimi Evropian nga shoqëria...
-
Maqedonci ngre alarmin: Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci 24 orë pas bllokimit në kufi me Serbinë ...
-
Gërvalla takon ambasadorin amerikan – diskutuan për këto çështje
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar ta...
-
ShBA do të vërë veton ndaj anëtarësimit të Palestinës në OKB
ShBA do të ushtrojë të drejtën e vetos nesër në një takim të Këshillit të Sig...
-
I vazhdohet paraburgimi Thaçit, Veselit dhe Bahtjarit
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për të...
-
Panairi i Kantonit, një mundësi për zgjerimin e komunikimit në fushën e biznesit
Kryeministri kinez Li Qiang u shpreh gjatë takimit me biznesmenët e huaj, pje...
-
Lëkundje të forta tërmeti në Turqi
Një tërmet më magnitudë 5.6 ballë është regjistruar në Turqi në provincën e T...