Lajme

Rozeta Hajdari ka deklaruar në gjykatë se ka gjendjen e ulët ekonomike

Autori: Gazeta inFokus 12:18 | 13 October 2023

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë se e ka gjendjen e ulët ekonomike.

Deklarimi i ministres Hajdari ka ndodhur më 9 tetor në rastin ku ajo po përballet me procedurën e kundërvajtjes se më 10 prill kishte shkaktuar aksident ku ishte lënduar lehtë një fëmijë.

Në procesverbalin e seancës, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi” është shkruar konstatimi se Hajdari ka gjendje të ulët ekonomike.

-Advertisement-

“Gjendja ekonomike: të ulët”, thuhet në këtë procesverbal.

Ndërkohë, në deklarimin e pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Hajdari ka deklaruar pagë vjetore 15 mijë e 229 euro, një banesë 56 mijë euro e blerë më 2012 si dhe një veturë ne vlerë prej 3 mijë e 100 eurosh.

Nga Gjykata Themelore në Prishtinë kanë thënë se deklarimi i gjendjes ekonomike është bërë nga e pandehura Hajdari pasi është pyetur në pyetjen e zakonshme të gjyqtarit

“Nga gjyqtari i kësaj çështje jemi informuar, se në seancën fillestare me rastin e marrjes së të dhënave personale e pandehura R.H është deklaruar lidhur me të dhënat e saj personale, e në pyetjen e zakonshme që e parashtron gjyqtari i çështjes rreth gjendjes ekonomike, e njëjta është deklaruar se i takon gjendjes së ulët ekonomike, që do të thotë se gjendjen ekonomike të të pandehurës nuk e ka vlerësuar gjykata por është deklarim i vetë të pandehurës”, thuhet në përgjigjen e gjykatës për “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e datës 9 tetor si dhe ajo e datës 11 tetor 2023 janë mbyllur për publikun më arsyetimin se kemi të bëjmë me rastin e aksidentit ndaj një të miture.

Më 12 tetor 2022, ministrja Hajdari kishte thënë se nuk ndjehet fajtore për aksidentin ku ishte goditur një fëmijë, sipas saj, ajo kishte qenë në shpejtësinë brenda rregullave të komunikacionit dhe se papritmas vajza është goditur nga vetura pasi e njëjta ka qenë duke vrapuar.

Ndryshe, kërkesa ndaj të pandehurës Hajdari për inicim të procedurës së kundërvajtjes është bërë nga stacioni policor, Policia e Kosovës – Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, për aksidentin e ndodhur më 10 prill 2022, rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum”, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Me të njëjtën kërkesë, Hajdari ngarkohet me “mospërshtatje të shpejtësisë” dhe “aksident komunikacioni me lëndime trupore”.

Pas seancës së fundit, përfaqësuesi i palës se dëmtuar ka deklaruar se ekspertët kanë konstatuar se vetura e ministres Hajdari s’kishte gjurmë të frenimit në momentin e aksidentit

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…
-Advertisement-

Të tjera