Lajme

Rozeta Hajdari bashkë me stafin politik dhe civil shpenzuan 200 mijë euro për bileta, akomodim dhe mëditje

Autori: Gazeta inFokus 13:10 | 31 January 2023

Rozeta Hajdari bashkë me stafin e saj politik dhe civil për udhëtimet zyrtare jashtë vendit kanë shpenzuar 195 mijë e 869 euro gjatë vitit 2022. Gazeta Insajderi përmes qasjes në dokumente publike ka siguruar këto shpenzime, të cilat ua sjell me detaje.

Ministrja e Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, udhëtimin e fundit zyrtar e ka pasur vitin e kaluar në shtetin grek.

Atje ajo kishte udhëtuar bashkë me stafin e saj për të qenë pjesë e Forumi i Biznesit ndërmjet Greqisë dhe Kosovës.

-Advertisement-

Për ta realizuar këtë vizitë jashtë shtetit, e para e Industrisë dhe delegacioni i saj janë dashur të paguajnë për biletat e udhëtimit, akomodimin, ushqimin, si dhe i kanë marrë mëditje.

Sikur për këtë udhëtim zyrtar, edhe për të tjerët që Hajdari ka realizuar me stafin politik dhe civil për gjatë janarit deri në dhjetor 2022, ata kanë shpenzuar saktësisht 195 mijë e 869 euro euro nga buxheti i shtetit.

Sa ka shpenzuar vetëm ministrja Rozeta Hajdari?

E para e MINT, Rozeta Hajdari, në udhëtimet e saj zyrtare jashtë vendit gjatë vitit 2022 ka shpenzuar 6 mijë e 253 euro.

Prej tyre, 938 euro i ka harxhuar për akomodim, 3 mijë e 395 për bileta të udhëtimeve, dhe 212 për shpenzime të tjera, shkruan Gazeta Insajderi.

Hajdari përkundër pagës që merr, ajo i ka marrë edhe mëditjet në udhëtimet zyrtare që ka realizuar jashtë vendit.

Përgjatë vitit të kaluar, nga buxheti i shtetit në buxhetin e saj kanë kaluar 1 mijë e 706 euro për kategorinë ‘ushqim dhe mëditje’, ka kuptuar Gazeta Insajderi përmes qasjes në dokumente publike.

Sa kanë kushtuar udhëtimet e Mentor Arifajt, zv/ministrit të parë të MINT?

Zëvendës i parë i Rozeta Hajdarit, Mentor Arifaj, në udhëtimet e tij jashtë vendit ka shpenzuar rreth 1 mijë e 500 euro.

Nga to, 226 euro i kanë shkuar për akomodim, 316 euro për ushqim dhe mëditje, ndërsa biletat i kanë kushtuar 1 mijë e 13 euro, shkruan Gazeta Insajderi.

I njëjti nuk ka shpenzuar asnjë cent në kategorinë e shpenzimeve të tjera.

Sikur ky, për këtë kategori, por edhe për të tjerat nuk ka shpenzuar asnjë euro, zëvendësi tjetër i Rozeta Hajdarit, Enes Goran, shkruan Gazeta Insajderi.

Kush është kampioni i shpenzimeve për udhëtimet jashtë vendit në MINT?

Zef Dedaj, shefi i Divizionit të Politikave Tregtare në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka harxhuar hiç më pak se 14 mijë e 513 euro në udhëtimet që ka realizuar jashtë vendit.

Ai vetëm për bileta të udhëtimeve ka shpenzuar rreth 7 mijë euro, ka zbuluar Gazeta Insajderi përmes qasjes në dokumente publike.

Dedaj ka marrë edhe 4 mijë e 170 euro për ‘ushqim dhe mëditje’, derisa për t’u akomoduar në vendet ku ka shkruar, ka shpenzuar edhe 3 mijë e 29 euro.

Derisa në kategorinë ‘shpenzime të tjera’ ai ka harxhuar edhe 361 euro të tjera, shkruan Gazeta Insajderi.Ndryshe, Gazeta Insajderi një javë më parë ka kërkuar të ketë qasje në shpenzimet që stafi politik dhe ai civil i Rozeta Hajdarit ka bërë në udhëtimet zyrtare.

Në bazë të dokumentit që ka ofruar MINT, del se 124 zyrtarë të këtij dikasteri gjatë vitit 2022 kanë shpenzuar 195 mijë e 869 mijë euro në vizitat jashtë vendit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation

Të tjera