Opinione

Riprodhimi politik i klientelizmit

Autori: Gazeta inFokus 18:44 | 27 May 2023
Ka kohë që skena politike në Kosovë është shndërruar në pengesë për synimet dhe shpresat e qytetarëve të Kosovës për ndryshim.
Madje, në mënyrë të “pavetëdijshme” sikur është bërë interes i partive politike përfaqësuese institucionale, që të duken të njëllojta me njëra-tjetrën, si ato që janë në opozitë apo pushtet. Sepse, vetëm në këtë mënyrë mund t’i riprodhojnë ato norma politike që ju shërbejnë më mirë interesave të grupeve dhe klaneve të tyre të ngushta politike dhe ekonomike.
E ky uniformitet i tyre real vjen nga fakti, se ato drejtohen nga të njëjtat ide, koncepte, mendësi dhe interesa politike.
Kurse, kur flas këtu për ide dhe koncepte e kam fjalën pikërisht për atë botëkuptim të Hegelit, e të cilin e ka analizuar Andy Blunden ne librin e tij “Hegel for Social Movements”. Kështu, për këtë interpretues të “Logjikës” së filozofit gjerman, të cilën edhe e quan si “logjikë të ndryshimeve shoqërore”, konceptet në filozofinë e Hegelit janë shprehje e drejtpërdrejtë e normave njerëzore. Sepse nga këto të fundit “kuzhtëzohen” veprimet praktike. Ato e kanë kuptimin modelit, idealit dhe parimeve.
Pra për Hegelin, ekzistojnë disa lloje të normave, sikurse se ato praktike, (çka njerëzit duhet të bëjnë një situatë të caktuar, ligjet, zakonet), normat teorike, (të gjitha llojet e normave metafizike, shkencore, besimet e përbashkëta etj) dhe normat semantike (kuptimi që marrin fjalët për një bashkësi të caktuar në një moment historik).
Këto tri lloje të normave në përgjithësi e karakterizojnë aktivitetin njerëzor në një realitet social, prandaj kushdo që është i interesuar të prodhojë ndryshime shoqërore, e ka të pamundur t’i promovojë ato, pa u angazhuar praktikisht për ndryshimin e tyre. Bie fjala, dikush s’mund t’i avancojë kauzat gjinore, për aq kohë sa tenton t’i ruaj normat patriarkale. Kështu, ndryshimi praktik normativ është edhe koncpetual dhe ideor në të njëjtëtën kohë, diçka që i mungon pikërisht skenës sonë politike. Sepse ajo tashmë drejtohet nga të njëjtat norma, çfarë ka ndikuar të riprodhohet edhe e njëjta gjendje që e pamundëson ndryshimin.
Le të marrim vetëm fenomenin e klientelizmit dhe nepotizmit politik. Partia në pushtet me të marr këtë të fundit, filloi të akomodohet brenda atyre normave që i trashëgoi në këtë drejtim. U adaptua. Dhe nga promovuese e ndryshimit social dhe politik u shndërrua në vazhduese dhe mirëmbajtëse të asaj gjendje klienteliste, nepotiste dhe familjare, përkundër faktit se kishte ardhur në pushtet me të tjera premtime. Ndërkohë, çfarë po bënë opozita? Ajo në vend se të angazhohet praktikisht për t’i ndryshuar këto norma aty ku ka mundësi, një pjesë partive opozitare po i shndërrojnë partitë tyre në struktura familjare dhe fisnore, ku lidhjet primare të kësaj natyre konsiderohen si kriter kryesor për avancim politik partiak. Ngase për ta politika e ka kuptimin e biznesit familjar. E ky i fundit mbrohet me së miri vetëm brenda kodeve të gjakut. Me këtë rast, në vend se ta bëjnë diferencën, partitë e opozitës po mjaftohen me transmetimin e mesazhit se tashmë të gjithë jemi të njëlloj, dikush në qeveri e dikush në parti, ngase drejtohemi nga të njëjtat norma.
Kjo ka bërë, që sot skena politike e vendit të mos ketë dallime ndërmjet vete. Sepse brenda saj dominon i njëjti koncept. Ndërkaq, kur partitë nuk dallojnë koneptualisht e në aspektin normativ ndërmjet vete, ato i marrin tiparet e klaneve feudale. Në fund të fundit edhe në mesjetë, klanet e tilla rivalizonin njëri-tjetrin, por jo për ta ndryshuar rendin social dhe ekonomik të kohës, por për ta arritur sundimin brenda të njëjtave norma të veprimit politik.
Shkruan: Afrim Kasolli

-Advertisement-

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera