Lajme

Rikthim vizash për Shqipërinë? Reagon Ministria e Jashtme: Lajm për të dëmtuar Kosovën

Autori: Gazeta inFokus 12:30 | 19 October 2022

Ministria e Punëve të Jashtme  e Shqipërisë, ka reaguar me një deklaratë këtë të mërkurë ndaj lajmeve për mundësinë e pezullimit të regjimit pa viza të shtetasve shqiptarë si pasojë e rritjes së numrit të emigrantëve të paligjshëm që kalojnë drejt Bashkimit Europian përmes të ashtuquajturës “rrugë ballkanike.

Ministria e Jashtme  thekson se “ky lajm duket të jetë thjesht e vetëm produkt i interesave të caktuara në një moment kur në Bruksel është duke u diskutuar për të gjetur sa me parë dhe pa vonesa të tjera të pajustifikuara mundësinë për t’i njohur të drejtën e lëvizjes së lirë qytetarëve të Kosovës”.

“Gjatë ditëve të fundit, në disa media por edhe përmes reagimeve publike të disa forcave politike, është përhapur lajmi për mundësinë e pezullimit të regjimit pa viza të shtetasve shqiptarë si pasojë e rritjes së numrit të emigrantëve të paligjshëm që kalojnë drejt Bashkimit Europian përmes të ashtuquajturës “rrugë ballkanike.”

-Advertisement-

Dëshirojmë të informojmë qytetarët që këto lajme janë krejtësisht të pavërteta. Nuk ka asnjë plan, asnjë iniciativë, asnjë dokument të propozuar nga ndonjë vend anëtar i BE e asnjë diskutim lidhur me mundësinë e pezullimit të lëvizjes pa viza të qytetarëve shqiptarë. Ky lajm duket të jetë thjesht e vetëm produkt i interesave të caktuara në një moment kur në Bruksel është duke u diskutuar për të gjetur sa me parë dhe pa vonesa të tjera të pajustifikuara mundësinë për t’i njohur të drejtën e lëvizjes së lirë qytetarëve të Kosovës. Është për të ardhur keq, që një lajm i tillë i rremë, lehtësisht i verifikueshëm për mediat apo forcat politike, ka gjetur jehonë në sferën publike në Shqipëri.

Shqipëria është një partnere e besuar e BE dhe nëse ka shqetësime për rritjen e numrit të emigranteve të paligjshëm në të ashtuquajturën ´rruga ballkanike´, ato janë trajtuar e trajtohen me seriozitet dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë europianë. Vendi ynë ka qenë i pari në rajon, qe ka nënshkruar marrëveshjen me Frontex dhe ka një bashkëpunim shembullor me të gjitha agjencitë e BE dhe vendeve anëtare në përballimin e emigracionit të paligjshëm. Fakti që në datën 3-4 nëntor, në Tiranë, do të mbahet Ministeriali i Ministrave të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të BE dhe Ballkanit Perëndimor është shprehje e këtij vlerësimi për punën tonë.

Ne garantojmë qytetarët shqiptarë se ata nuk rrezikohen aspak dhe në asnjë moment nga e drejta për të lëvizur pa viza në hapësirën e BE”, mbyllet njoftimi i Ministrisë së Jashtme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera