Lajme

Revulucioni që rrëzoi komunizmin dhe lufta e Rusisë për t’u rikthyer në Evropë dhe në Ballkan

Autori: Gazeta inFokus 11:16 | 15 November 2019

Të dielën çekët festojnë 30 vjetorin e Revulucionit të Kadifenjtë, i cili e përmbysi regjimin komunist në Evropën Qendrore. Pas tri dekadave Moska po bënë përpjekje ta rikthej ndikimin në Evropë dhe në Ballkan.
“Front Online” nëpërmjet një analize thekson përfitimet që kanë pasur shtetet e ndryshme nga përmbysja e regjimit komunist në Evropë dhe për luftën që po bënë Rusia për t’u rikthyer

Shkruajnë: Lavdim Hamidi & Fatlum Berisha

Këtë të diele, përkatësisht më 17 nëntor, çekët festojnë 30 vjetorin e Revulucionit të Kadifenjtë, i cili e përmbysi regjimin komunist në Evropën Qendrore, duke i hapur rrugë tranzicionit demokratik që kulmoi ne integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian të pjesës më të madhe të ish-bllokut sovjetik.

-Advertisement-

Mijëra studentë të universiteteve në atë kohë ishin mbledhur në Pragë, kryeqytetin e Çekosllovakisë së atëhershme, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Studentëve.
Pak nga ta kishin menduar se protesta e tyre, në dukje joarmiqësore, do të nxiste ngjarje të rëndësishme, që do t’i jepnin fund sundimit komunist.

Protestat kulmuan me emërimin e qeverisë së parë jokomuniste të vendit, pas më shumë se katër dekadave, dhe me zgjedhjen e Vaclav Havelit, një dramaturg dhe disident, në postin e presidentit.
Tri dekada pas këtij Revulucioni, i cili i dha goditjen e fundit ndikimit të Moskës, Qeveria e Rusisë po e shfrytëzon influencën malinje për t’i arritur qëllimet në rritje të politikës së jashtme.

Përpos që regjimi brutal i Rusisë synon ta kontrolloj sovranitetin e shteteve evropiane, ndikimi i shtetit që udhëhiqet nga Vladimir Putin është në rritje në Serbi, të cilën së fundi e ka armatosur edhe me raketa S-400, duke e vënë në pikëpyetje kështu edhe stabilitetin rajonal.

Para se çekët ta shenojnë 30 vjetorin e Revulucionit që e rrëzoi regjimin komunist, Kosova ka festuar 20 vjetorin e luftës, ku me mbështetje të NATO-s vendi është çliruar nga Serbia.
Megjithatë, për shkak të partneritetit me Serbinë, Rusia po vazhdon ta bllokoj Kosovën në arenën ndërkombëtare, duke i shërbyer kështu jostabilitetit të Ballkanit dhe Evropës.
Pikërisht për shkak të kundërshtimeve të tilla të Kosovës dhe përkrahjes së Serbisë, Rusia vlerësohet nuk do të mund të ketë ndikim në shtetin më të ri të Evropës.

“Front Online” nëpërmjet një analize thekson përfitimet që kanë pasur shtetet e ndryshme nga përmbysja e regjimit komunist dhe për luftën që po bënë Rusia për t’u rikthyer në Evropë dhe Ballkan.

Vllahiu: Revolucioni i Kadifenjtë i dha shtysë shembjes së ish-Bashkimit Sovjetik

Arbër Vllahiu, ambasador i Republikës së Kosovës në Pragë, ka deklaruar për “Front Online” se liria ishte kryefjala e Revolucionit të Kadifenjtë dhe siç ka thënë ai pikërisht ky Revolucion në Çekosllovaki, për dallim nga një numër i vendeve të tjera në bllokun socialist edhe në ish-Jugosllavi, përfundoi pa dhunë i nisur me marshin e studentëve në shënimin e 50 vjetorit të protestave të studentëve ndaj pushtimit nazist.

“Ajo që solli Revolucioni i Kadifenjtë në Çekosllovaki është vala e demokratizimit të vendit përmes frymës së re që solli Lëvizja studentëve dhe e intelektualëve në vend, çrrënjosjes së mendësisë komuniste dhe zhvillimit të hovshëm edhe ekonomik, politik e kulturor”, ka pohuar ambasadori Vllahiu.

Sipas tij, realisht rënia e Murit të Berlinit shënon një epokë të re jo vetëm për Gjermaninë dhe Evropën Qendrore, por edhe për vendet e Evropës Lindore dhe për një pjesë të madhe të Evropës Jugore në zhvillimin e tyre dhe ndryshimet thelbësore brenda shoqërive të këtyre shteteve. Ndërkohë, siç ka thënë, Revolucioni i Kadifenjtë në Çekosllovaki i ka dhënë një shtysë shembjes së ish-Bashkimit Sovjetik, prandaj vlerësohet të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm, marrë parasysh historinë e dhimbshme të Çeksollovakisë në vitin 1968.

“Ajo që ka ndodhur me rënien e komunzimit është ribashkimi natyral i Evropës, i vendeve të ndara nga “Perdja e Hekurt” e epokës së luftës së ftoftë dhe i ndikimeve të ideologjive komuniste. Ajo që ka ndryshuar botën e qytetarëve të Evropës është reflektuar tek mënyra e jetesës së këtyre vendeve, lirisë në çdo kuptim të saj duke ndërtuar demokraci që zhvillohen çdo ditë”, ka thënë Vllahiu.
Ambasadori Vllahiu vlerëson se Çeskosllovakia është një prej shembujve të mirë të zhvillimit në Evropë. Sipas tij, nga një vend që ka vuajtur nga ndërhyrjet e Paktit të Varshavës të udhëhequr nga Rusia dhe dhunës është shndërruar në promotor të zhvillimit në Evropë, demokratizimit dhe gjithëpërfshirjes.

“Është gjithashtu shembulli i mirë se si ndahen shtetet në mënyrë paqësore (ndarja e Çekisë dhe Sllovakisë në vitin 1993), duke ruajtur lidhjet dhe historinë e përbashkët për dallim nga luftërat e përgjakshme në Ballkanin Perëndimor. Të dy shtetet që dolën nga Çekosllovakia, Çekia dhe Sllovakia, kanë rrugëtuar së bashku në procesin e integrimeve evropiane dhe ato i janë bashkuar BE-së në vitin 2004, kurse sot janë vendet që kanë ndikim në proceset zhvillimore të këtij Unioni. Ato sot janë edhe promotorë të procesit të zgjerimit të BE-së dhe perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor”, ka potencuar Vllahiu.

Koci: Revulucioni i Kadifenjtë mbetet i shkruar me shkronja të arta në historinë e çekëve dhe të sllovakëve

Ndërsa Melazim Koci, i cili për më shumë se një dekadë ka udhëhequr shërbimin shqip të Radios Evropa e Lirë në Pragë, ka thënë për portalin “Front Online” se Revulucioni i Kadifenjtë shënon fundin e regjimit komunist (pro sovjetik) dhe siç thotë ai, do të mbetet i shkruar me shkronja të arta në historinë e çekëve dhe sllovakëve.

Sipas tij, brutaliteti i atij regjimi ishte i theksuar në ish-Çekosllovakinë për shkak të rebelimit të çekosllovakëve kundër komunizmit dhe okupimit sovjetik në vitin 1968.
“Përpjekja e vitit 1968 kishte dështuar, por përpjekja e vitit 1989 (Revulucioni i Kadifenjtë) arriti ta çliroj popullin çek dhe sllovak nga komunizmi dhe okupimi klasik sovjet që zgjati plotë 4 dekada”, shprehet Koci.

Veterani i gazetarisë Koci thotë se më meritori për fitoren e këtij revulucioni ishte disidenti, humanisti, poeti dhe dramaturgu Vacllav Havell, pasi që, siç thotë Koci, ai e kishte vlerësuar drejtë se pas rënies së Murit të Berlinit më nuk kishte vend për asnjë kompromis me kastën prijëse komuniste në vend.
Lideri i Revulucionit të Kadifenjtë, Vacllav Havell, sipas Kocit, gjatë bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe në vitin 1999, ishte ndër mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës në përmasa botërore.

“Vetëm disa ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, Havell mblodhi 100 mijë veta në Sheshin qendror të Pragës, Vacllavske Namesti, në shenjë solidariteti me kosovarët. Gjatë majit të vitit 1999 ai doli në gazetën parisiene “Le Monde” me tekstin mbështetës për Kosovën me titull: Edhe unë jam kosovarë (shqiptarë)”, shprehet Koci.

Hasani: Evropa kishte përfitime kolosale nga rrëzimi i regjimit komunist

Enver Hasani, profesor i së Drejtës dhe i Mardhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, njëherit ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, thotë për
“Front Online” se përfitimet e vendeve të Evropës Qendrore nga rrëzimi i regjimit komunist nëpërmjet Revulucionit të Kadifejtë në vitin 1989 kanë qenë kolosale, pasi që, siç thotë ai, janë kthyer natyrshëm në gjirin e kulturës së tyre tradicionale pas një sundimi të egër dhe të gjatë rus.

“Këto përfitime janë të prekshme në të gjitha fushat, si në politikë, ekonomi, kulturë, art, letërsi, dhe në çdo fushë tjetër të jetës dhe organizmit njerëzor”, shprehet Hasani.
Profesori i së Drejtës dhe i Mardhënieve Ndërkombëtare thekson se askush më bukur nuk e ka vajtuar degradimin e përgjithshëm të politikës, ekonomisë, letërsisë, të artit dhe kulturës së shkrimtari polak-amerikan Çaslav Milosh në veprën e tij “Mendja e robëruar”.

“Këto vende, më në fund, u liruan nga një robëri e gjatë e ushtruar nga një kulturë tërësisht e huaj për ta në aspektin civilizues dhe kulturor”, shprehet ai.

Neziri: Revulucioni dëshmoi se sistemet jodemokratike nuk janë afatgjate

Edhe analisti nga Maqedonia, Xhelal Neziri, konstaton se rënia e regjimit komunist ishte ngjarja më e madhe e shekullit të XX dhe një fitore e madhe e njeriut mbi shtypjen nga sistemi.
“Ky moment duhet të shërbejë si mësim për të gjithë politikanët se sistemet jodemokratike nuk mund të jenë afatgjate, pasi lidhen me kultin e individit. Nuk janë të qëndrueshme poashtu sepse nuk sigurojnë liri, barazi, dinjitet, standard jetësor dhe perspektivë të ndritshme”, shprehet Neziri.

Sipas tij, nëse marrim shtetet që kishin sistemin komunist si model qeverisjeje, të gjitha përjetuan kolaps në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar.

“Qetësia sociale ishte e garantuar vetëm nga figura e liderëve si Stalini, Tito, Hoxha, Çaushesku e kështu me radhë. Me vdekjen e tyre ra edhe sistemi i ngritur mbi autoritetin, duke lënë pas shkatërrime nga luftërat e revolucionet”, ka potencuar Neziri, duke shtuar se shtetet e Evropës Qendrore përfituan shumë nga largimi prej ish-bllokut Sovjetik.

Qehaja: Tri dekada pas Revulucionit të Kadifejtë, Moska synon të shërbej si frenuese e zhvillimit

Tri dekada pas përfundimit të Revulucionit të Kadifenjtë, Moska po bënë përpjekje të vazhdueshme që ta rikthej ndikimin në Evropë, por edhe në Ballkan.

Florian Qehaja nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë(QKSS) thotë për “Front Online” se Rusia vazhdon të jetë shteti, i cili synon të shërbej si frenues i zhvillimit dhe jo si alternativë. Sipas tij, ndikimi i Moskës do të vazhdoj të mbetet në korniza politike e simbolike, por asesi si një alternativë ekonomike.

“ Qytetarët e vendeve të Evropës Lindore synojnë tregun perëndimor, nëse jo atë lokal, assesi atë rus. Megjithatë, Rusia do të përbëj sfidë politike përderisa do të përdor lëvizjet populiste në disa shtete të Evropës Qendrore dhe në Ballkan”, shprehet Qehaja, duke shtuar se ndikimi i Rusisë në rritje vërehet në Hungari për shkak të koketimit të pushtetit të kryeministrit Viktor Orban me atë të Putinit.

“Ngjajshëm është edhe korrelacioni në mes të presidentit çek, Zaman me Rusinë. I njëjti ndikim vërehet edhe tek partnerët tradicional në Ballkan siç janë Serbia, por çuditërisht edhe te shtetet si Bullgaria e Kroacia”, thekson Qehaja.

Ndërsa profesori Enver Hasani vlerëson se Rusia nuk ka forcë ushtarake si dikur për ta projektuar kundër popujve dhe territoreve të tjera larg saj. Sipas tij, ajo tani përdor teknikat e njohura subversive, duke ndërhyrë me mjete e metoda jolegjitime për të destabilizuar të tjerët.
“Ku ka kriza dhe pakënaqësi, aty është Rusia për t’i animuar tutje për interesin vetjak. Ballkani ka ngelur anash, si pasojë e paaftësisë së Evropës për zgjerim të mëtejshëm. Kjo ka shkaktuar frustrim dhe ka sjellë Rusinë sërish në këtë rajon. Nuk është vetëm Serbia që asocohet me Rusinë, sepse ka edhe vende të tjera që e duan Rusinë afër”, shprehet Hasani.

Armatosja e Serbisë nga Rusia përbën kërcënim direkt për Kosovën dhe rajonin

Sa i përket armatosjes së Serbisë nga Rusia, profesori Enver Hasani thotë se kjo është më shumë një frikësim dhe shantazh ndaj Evropës.

“Me këtë Serbia do të thotë dy gjëra: E para, se nuk mërzitet nëse Evropa nuk e futë brenda dhe e dyta, që Kosova akoma nuk është e humbur. Kjo armatosje, megjithatë, nuk është krejt pa bekimin e vendeve të caktuara të NATO-s, gjë që u pa nga reagimi zyrtar i Sekretarit të saj për këtë çështje”, shprehet ai.

Ndërsa Florian Qehaja nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) vlerëson se armatosja e Serbisë nga Rusia përbën kërcënim të drejtpërdrejt për Kosovën dhe rajonin.
“Ajo e aktivizon të ashquajturën ‘dilemën e sigurisë’, ku shtetet fillojnë t’i nënshtohren detyrimisht ciklit të armatosjes për shkak se X shteti fqinj po armatoset. Dhe atë, pa identifikuar asnjë kërcënim ushtarak të drejtpërdrejt”, shprehet Qehaja.

Sipas tij, vendosja e raketave me rreze të gjata veprimi në Serbi do ta tundë balancin e forcave në terren dhe do të duhej ta vendosë në lëvizje NATO-n dhe anëtarët e saj.
Qehaja ka shtuar se lidershipi aktual dhe, siç thotë ai, mbase i ardhshëm i Serbisë është mjaft i pabesueshëm në kontekst të veprimeve të mundshme, të cilat jodomosdoshmërisht do të manifestoheshin në formë të invazionit ushtarak, mirëpo të provokimeve sporadike me efekte të mëdha në aspektin e sigurisë.

“Me iniciativën e Rusisë u mbajtë Mini Shengeni Ballkanik”

Zyrtarët e lartë rus tentuan “ta kapin momentin” sapo BE-ja së fundi u refuzoi hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke u kërkuar këtyre të fundit t’i bashkëngjiten Bashkimit Ekonomik Euroasian.

Profesori i së Drejtës dhe i Mardhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Enver Hasani, vlerëson se efekti konkret i kësaj kërkese ruse është mbajtja, siç thotë ai, e të ashtuquajturit, “Mini Shengeni Ballkanik”.

“Integrimet tjera që ka propozuar Ambasadori rus akoma janë jotërheqëse. Në fakt, ato janë jo tërheqëse edhe për vetë aktorët që i kanë themeluar ato. Për këtë arsye, me iniciativën serbe u mbajt “Mini Shengeni Ballkanik”. Më kësi iniciativa, jo vetëm që afrohet Rusia më afër vendeve të Ballkanit, por Kosovës dhe shqiptarëve i humbet leva kryesore e ndikimit – Bashkimi Evropian dhe integrimi në të”.

Ndërsa eksperti kosovarë i fushës së sigurisë Florian Qehaja thotë se oferta si e tillë e Rusisë mbetet një tentativë, përderisa Bashkimi Ekonomik Euroasian nuk ofron alternativë dhe nuk përbën asnjë përfitim për vendet e Ballkanit, qoftë edhe për Serbinë si partnere strategjike të Rusisë. “Rusia do të vijoj së infiltruari duke ofruar mundësi për marrëdhënie bilaterale, duke sfiduar kësisoj komplet vizionin e integrimeve evorpiane nëse veç konfirmohet që ky vision nuk mund të shëndërrohet në praktikë”.

Rusia s’mund ta rris ndikimin në Kosovë

Sa i përket gjasave që Rusia të rris ndikimin në Kosovë, sipas Qehajës, ato janë shumë të vogëla. Ai ka shtuar se Rusisë do t’i mjaftoj që ta bllokoj Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe kësisoji t’ i shërbej jostabilitetit.

“Sidomos instrumenti i vetos në KS të OKB-së do të jetë më se i mjaftueshëm për ta frenuar ‘frontin e Kosovës’ duke mos pasur nevojë (edhe po të kishte hapesirë) për investime të mëdha në terren”, ka thënë Qehaja, duke theksuar se në aspektin e inteligjencës, Rusia mund ta rris ndikimin në terren, mirëpo kryesisht, siç thotë ai, kjo varet nga informacionet e shërbimeve serbe të inteligjencës.

Edhe profesor Hasani vlerëson se në aspektin politik Rusia e ka shumë të vështirë, nëse jo të pamundur në tërësi ta rris ndikimin në Kosovë.

“Në aspektin ekonomik dhe të biznesit, ndërkaq, nuk përjashtoj mundësinë që shumë shpejt të ketë firma ruse dhe biznesmenë kosovarë, kryesisht njerëz nga para politika dhe nga bota e krimit që janë në skenën politike, në tregun ekonomik dhe financiar ndër ne”, ka potencuar ai.

Edhe gazetari Melazim Koci pajtohet se Rusia nuk mund ta rris ndikimin në Kosovë.
“As tash dhe as më vonë Rusia nuk mund ta rris ndikimin në Kosovë, pasi që kjo e fundit është zonë euroatlantike dhe e tillë do të mbetet”, shprehet Koci.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera