Lajme

Reuters për raportin e BB: Rritja ekonomike në Ballkan po kthehet në nivel të para pandemisë, ende shumë larg BE’së

Autori: Gazeta inFokus 12:51 | 11 April 2024

Banka Botërore parashikon në një raport se vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, do të kenë rritje ekonomike e cila do të arrijë normat mesatare të regjistruara para pandemisë.

Rritja ekonomike në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor parashikohet të rritet me 3.2% këtë vit dhe 3.5% në 2025, duke u kthyer në mesataret para pandemisë, por ende shumë e ulët për një konvergjencë më të shpejtë me Bashkimin Europian, tha Banka Botërore në një raport të enjten, raporton agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.

Rritja në vitin 2023, e nxitur kryesisht nga konsumi dhe tregtia, u ngadalësua në 2.6% nga 3.4% në 2022, duke reflektuar ndikimin e një ekonomie të dobët në Bashkimin Europian, një partner kryesor tregtar i Ballkanit Perëndimor.

-Advertisement-

Në raportin e saj dyvjeçar për rajonin që përfshin Shqipërinë, Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, banka rriti projeksionin e rritjes për vitin 2024 me 0.2 pikë përqindje nga raportet e mëparshme, duke përmendur optimizmin e kujdesshëm se rajoni i ka përballuar goditjet që nga pandemia COVID- 19.

Por raporti paralajmëroi për rreziqet e mbetura të investimeve më të dobëta dhe tregtisë me eurozonën që lidhen me një dobësi të vazhdueshme në rritjen globale, si dhe për mundësitë e shpërthimeve të tensioneve gjeopolitike, migrimit të jashtëm, pasigurisë zgjedhore dhe inflacionit të vazhdueshëm.

Normat e inflacionit në rajon ranë ndjeshëm nga 14.3% në janar 2023 në 5.1% në dhjetor 2023, por me ndryshime në ritmin e ngadalësimit të çmimeve, me inflacion në dhjetor 2023 që varion nga 2.2% në Bosnjë e Hercegovinë në 7.6% në Serbi.

Banka tha se rajoni, ku GDP-ja për banor mbetet pothuajse 40% e mesatares së BE-së, duhet t’i zbatojë një sërë reformash për ta ngushtuar hendekun e zhvillimit me BE-në.

Të gjashtë vendet duan të anëtarësohen në BE, por ritmi i anëtarësimit të tyre në bllok ndryshon.

“Plani i ri i Rritjes i Bashkimit për Ballkanin Perëndimor paraqet një mundësi për të stimuluar zhvillimin ekonomik përmes reformave dhe investimeve, veçanërisht në ekonominë e gjelbër”, tha Xiaoqing Yu, drejtor i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Xiaoqing po i referohej planit 6 miliardë eurosh të BE-së që do të siguronte një përzierje burimesh për investimet kritike në infrastrukturë, si dhe një shtysë për reformat strukturore për ta ndihmuar rajonin që ta përmirësojë integrimin me tregun e vetëm duke reduktuar kohën e pastrimit të kufijve dhe duke modernizuar sistemet e pagesave.

Raporti tha se investimi në tranzicionin e gjelbër dhe rritja e jetueshmërisë së qyteteve në Ballkanin Perëndimor mund të ndihmojë gjithashtu në rigjallërimin e rritjes rajonale.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC
-Advertisement-

Të tjera