Lajme

Reshitaj: Deklarata ime në Komision, u shtrembërua qëllimshëm

Autori: Gazeta inFokus 08:12 | 29 July 2021

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albena Reshitaj, ka bërë një reagim për siç thotë ajo, shtrembërim të qëllimshëm të një deklarate të saj dhënë në Komisionin Parlamentar, për gjendjen e Sistemit Shëndetësor në Kosovë.

Ajo shprehet përmes Facebook-ut, se në Kosovë, secili e di se qytetarët nuk janë të mbuluar me Sigurime Shëndetësore, dhe për këto çështje, ka mungesë të kamotshme të përkrahjes politike për rritjen e kapaciteteve në shërbimin shëndetësor.

Në cilësinë e profesionistes shëndetësore, Reshitaj mes tjerash pohon se për të rregulluar këto probleme, është mirë që të kihet guxim për të pranuar realitetin dhe të mos fshihen dështimet politike në këtë fushë të rëndësishme.

-Advertisement-

Reagimi i plotë:

Reagim ndaj shtrembërimit të qëllimshëm të deklaratës sime publike dhënë në Komisionin

Parlamentar në lidhje me konstatimin tim mbi gjendjen e Sistemit Shëndetësor në vendin tonë.

Fillimisht shpreh keqardhje për ngutinë dhe sinkronizimin në mes të disa individëve që fatkeqësisht mbajnë ende pozicione të rëndësishme institucionale, reagimeve tendencioze në lidhje me deklarimin tim mbi nevojën e një reflektimi në rritjen e kapaciteteve të Shërbimit Shëndetësor Emergjent në vendin tonë.

Si njohëse e Sistemit Shëndetësor, por edhe si përfaqësuese e popullit, tash e disa vite me radhë kam ngritur zërin që vendi ka nevojë për avancimin e Sistemit Shëndetësor dhe atë në ndërtimin e tri shtyllave të këtij Sistemi.

Ne të gjithë e dijmë se në shtetin tonë qytetarët tanë nuk janë të mbuluar me Sigurime Shëndetësore, nuk e kemi te funksionalizuar Sistemin Informativ Shëndetësor (SISH) dhe kemi mungesë ndërvite të përkrahjes politike për rritjen e kapaciteteve të nevojshme të Shërbimit Emergjent Shëndetësor.

Edhe pse me këtë gjendje të përgjithshme të rënduar të Sistemit Shëndetësor profesionistët tanë kanë dhënë maksimumin në betejen me Covid 19.

Puna me përkushtim dhe profesionializmi i përsonelit mjekësorë ka folur më së miri gjatë tërë kohës që kur vendi u përfshi nga pandemia Covid 19. Gjithashtu unë kam qenë zëri i tyre sa herë që kishte nevojë brenda Kuvendit si edhe gjatë përiudhës më të vështirë të menaxhimit të pandemisë, ashtu siç do vazhdoj edhe më tej të jem dhe të luftoj për të drejtat dhe ngritjen e dinjitetit të përsonelit shëndetësor duke ndihmuar në ngritjen e kapacitetëve për punë më të mirë e efikase në shërbim të mbrojtjes së shëndetit qytetarë.

Ndaj mirënjohje pafundësisht për të gjithë profesionistët shëndetësorë dhe keqardhje për të gjithë grupet e interesit qëllimkeq që tentojnë të pengojnë punën dhe kontributin tim në këtë drejtim.

Të ndodhur me sfiden e shkaktuar nga pandemia dhe tragjedia e ndodhur ditë më parë në Kroaci ka bërë që unë sërish të ngrisë zërin që duhet të investojmë urgjentisht në ngritjen e kapaciteteve dhe nivelin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore specifikisht në ato emergjente.

Tragjedia e ndodhur në Kroaci krahas dhimbjes dhe pikëllimit për humbje jetësh te qytetarëve tanë dhe traumave të të lënduarve do duhet të na vetëdijësoi si shoqëri dhe si institucione, në vecanti për forcimin e sistemit shëndëtësor, por jo vetëm në situata të jashtëzakonshme kur ballafaqohemi me pasoja të rënda.

Edhe në takimin e fundit të komisionit parlamentar unë kam theksuar që një aksident i tillë në vendin tonë do të sillte pasoja akoma më të mëdha si rezultat i mosfunksionimit të sistemit te mirëfilltë shëndetësor veçmas të dy shtyllave, atij të shërbimit të specializuar emergjent dhe SISH-it.

Për të rregulluar gjërat me kohë është mirë të kemi guxim të pranojmë të vërtetën e realitetin. Fshehja e dështimeve politike në avancimin e shërbimeve shëndetësore na ka sjell në këtë situatë edhe 20 vjet pas lufte me një sistem të brishtë shëndetësor.

Për të dokumentuar atë që kam thënë unë në komision parlamentar dje, më së miri e vërtetojnë raportet dhe të dhënat nga Plani vjetor i punës së Klinikës Emërgjente, 29.12.2020.

“Situata aktuale në Klinikën Emergjente:

Klinika Emergjente me kapacitetet hapësinore ekzistuese nuk i plotëson as për së afërmi kushtet elementare për ofrimin e ndihmës emergjente mjekësore, duke ditur fluksin e madh të të sëmurëve, të cilët kërkojnë ndihmë emergjente mjekësore.
Sistemi shëndetësor i shërbimëve emergjente nuk ka nje rrjetë të konsoliduar dhe të integruar të shërbimeve emergjente mjekësore. Në terma ekonomik, investimet në shërbimet emergjente përfaqësojnë investime që nuk gjenerojnë të ardhura por që shpëtojnë jetë.

Shfrytëzimi i ulët i Shërbimit të Emergjencës Mjekësore. Një shkallë tejët e ulët e përdorimit të ambulancave të emergjencës, si mënyrë për transportimin e pacientëve.

Mungesa e kapaciteteve diagnostikuese për kryerjen e testeve bazë dhe atyre të shpëtimit të jetës.

Mungesa e një sistemi të mirëfilltë referimi.

Nevoja e trajnimeve profesionale fokusuar veçanërisht te mjekët e urgjencës dhe ndihmësit e tyre.

Mungesë e standardizimit (shërbimit klinik dhe përkufizimeve).

Mbajtje jo e mirë e të dhënave mbi pacientin (kartelat mjekësore dhe regjistra).

Mangësia e shërbimeve diagnostike dhe trajtuese

Mbipopullimi i shërbimit klinik emergjentë brenda vitit të kaluar ka ofruar kujdes mjekësor emergjent afer 100 mijë raste.

Mungesa e barnave, materialit shpenzues, pajisjeve mjekësore, shërbimeve të diagnostikës laboratorike dhe rentgenologjike në Klinikën Emergjente herë pas here paraqesin vështirësi në diagnostifikim dhe trajtim.

Prolongimi i konsulencave specialistike •

Mungesa herë pas here e dhe defektet e herë pas hershme të aparaturave radiologjike

Mungesa e sistemit të referimitMungesa e infermierëveMungesa e ndihmës infermierëveMungesa e mjekëve specialist të degëve internistike, kirurgjikeQëndrimi i gjatë i të sëmurëve në Klinikën Emergjente problemet konziliare, i sëmuri i askujtProblemet e shkaktuara nga Pandemia COVID19 ne mbipopullimin e SHMEMungesa e kordinimit të aktiviteteve të bashkëpunimit në mes klinikave.Mungesa e mbështetjes intstitucionale për SHME QKUK
Referimi i rasteve nga niveli parësor , dytësor , ambulancat specialistike si dhe nga Klinikat e QKUK në Klinikën emergjente edhe një ngarkesë për SHME.

Konsulencat mjekësor specialistike dhe subspecialistike jo mirë të kordinuara dhe mos zgjidhja e rasteve ”.
Dua edhe njehere të ripotencoj kërkesen time që Qeveria dhe Institucionet e vendit duhet të kenë vëmendjen e shtuar, të punojnë shumë dhe sa më parë të vihen në shërbim të plotë tri shtyllat kryesore të sistemit shëndetësor: Sigurimi shëndetësor, Shërbimi i Specializuar Emergjent në të gjitha nivelet primar, sekondar dhe terciar duke zbatuar Ligjin për Shërbimin Mjekësor Emergjent, dhe Sistemi i Informimit Shëndetësor

Ngritja e kapaciteteve për shërbimin klinik emergjent ( hapsinorë, strukturalë, diagnostik , laboratorik, edukimi dhe trajnimi) do të ndikojnë në ofrimin e shërbimeve cilësore dhe me kohë duke ulur sëmundshmërinë, invaliditetin dhe vdekshmërinë.

Kushdo qe i jep konatacion tjetër kësaj kërkese që është jetike për qytetarët tanë e bënë vetëm për qëllime të ulta.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…

Të tjera