Lajme

Rënia e testimeve – Opozita akuzon Vitinë, IKSHPK jep një arsye

Autori: Gazeta inFokus 17:25 | 27 April 2021

Ditëve të fundit në vend ka pasur rënie e numrit të testimeve të kryera për COVID-19. Derisa para 2 javësh kryheshin mbi 5 mijë testime, sot numri i testimeve të kryera ishte 2 mijë e 285, ndërsa ditën e djeshme, u testuan 1.559 persona. Nga IKSHPK japin arsyetimin e tyre për rënien e testimeve për COVID-19.

Nga mbi 5 mijë testime sa kryheshin para dy javësh, numri i tyre është ulur deri në më pak se dy mijë.

Konjufca ironizon me Ismailin: Uran ti ke qenë ministër para pandemisë, a të ka rrok virusi pak a

-Advertisement-

Për uljen e këtij numri të testimeve u kritikua ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ndonëse ky i fundit u deklarua se me të marrë mandatin e ministrit, janë kryer më shumë testime se gjatë kohës së ish-ministrit Armend Zemaj.

Ndërsa, nga të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, del se gjatë 35 ditëve të fundit, që kur Vitia ka marrë detyrën e ministrit, janë kryer rreth 15 mijë testime më shumë se 35 ditë para se ai të merrte detyrën.

Nga 23 marsi deri më 27 prill janë kryer 134 mijë e 797 testime, ndërsa nga 15 shkurti deri më 22 mars, kur Armend Zemaj ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, janë kryer 119 mijë e 774 testime.

Përkundër debateve se kush kreu më shumë testime, meritë e numrit të lartë të testimeve thuhet se nuk janë as ministri Vitia e as ministri Zemaj.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë thënë për Express se testimet kryhen në bazë të interesit të qytetarëve.

Zyrtarë në IKSHPK kanë thënë për Express se të gjithë ata qytetarë që kërkojnë të testohen i testojnë.

Sipas tyre, numri i ulët i testimeve është për shkak të mos interesimit te qytetarëve.

Nga IKSHPK është thënë po ashtu se ka raste që edhe pa udhëzime të mjekut i testojnë, por që përsëri interesimi i qytetarëve është ulur.

Ndërsa, edhe Florie Hyseni, specialiste e mjekësisë familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë ka thënë për Express se numri i pacientëve që po kërkojnë trajtim mjekësor për shkak të simptomave që kanë e që dyshohet të jenë të COVID-19, është më i ulët së fundmi.

Ajo ka deklaruar se të gjithë atyre personave që kanë simptoma të COVID-19 u kërkojnë që të testohen ose të vetëizolohen.

“Ka rënë numri i pacientëve që kërkojnë shërbime, dhe ka rënë shumë edhe i atyre me COVID. Numri i pacientëve është më i ulët që një javë e më shumë. Ne i kemi rekomandimet e shkruara dhe ju përmbahemi atyre, varësisht prej rastit i dërgojmë në izolime ose në testime”, ka deklaruar ajo.

Për uljen e numrit të testimeve ditëve të fundit nga opozita është fajësuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Megjithatë ky i fundit dje ka deklaruar se pas marrjes së detyrës së ministrit, janë kryer për mbi 13 për qind më shumë vaksina.

Vitia, në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se në 28 ditët e kabintetit të ministrisë që po udhëhiqet nga ai, janë bërë 13.64% më shumë testime sesa në 20 ditët paraprake, të qeverisë së kaluar.

Kujtojmë që me uljen e numrit të testimeve ka rënë edhe numri i rasteve të infektuara me COVID-19./Express/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera