Lajme

REL: Inflacioni po rritet, frikë për falimentim të korporatave, ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme

Autori: Gazeta inFokus 08:11 | 21 November 2024

Çmimet e qumështit, patateve, gjalpit po rriten në Rusi. Shitësit me pakicë po rrisin sigurinë për të parandaluar vjedhjet. Normat e hipotekave janë rritur, teksa shitjet e banesave të reja po bien.

Më shumë se 1.000 ditë që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës fqinje, Rusia ka transformuar ekonominë e saj, duke e riorganizuar atë për të fuqizuar përpjekjet e luftës dhe për t’u përballur me sanksionet perëndimore.

Shpenzimet qeveritare në gjëra sikurse prodhimi i tankeve, raketave dhe uniformave ushtarake kanë nxitur rritjen në mbarë vendin. Pagat jashtëzakonisht të larta për ushtarët vullnetarë – dhe shpërblime dhe përfitime në vlera monetare për të vejat – kanë dërguar fluks të madh parash në rajonet më të varfra.

-Advertisement-

Në anën tjetër, inflacioni po rritet. Banka Qendrore ruse ka luftuar që ta zbusë inflacionin, duke rritur normën bazë të interesit në 21 për qind në tetor – niveli më i lartë për më shumë se 20 vjet.

Sipas ekspertëve, zilja e alarmit është ndezur. Ekziston frika për një valë në rritje të falimentimeve të korporatave pasi kompanitë rrisin pagat, duke luftuar për të tërhequr punëtorët nga fuqia punëtore në tkurrje. Ndërkohë, normat e hipotekave, të nxitura nga Banka Qendrore, po i trembin qytetarët të blejnë prona në shumë rajone ruse.

“Tregu ka vdekur”, tha për Current Time një agjent i patundshmërisë, i cili kërkoi të mbeste anonim nga frika e hakmarrjes nga autoritetet. “Tregu aktualisht është i ngrirë, asgjë nuk po ndodh”.

Rritja ekonomike “padyshim është duke u ngadalësuar,” tha Laura Solanko, këshilltare e lartë në Institutin për Ekonomitë në Tranzicion të Bankës së Finlandës.

“Ekonomia është e tejnxehur, dhe norma e rritjes duhet të ngadalësohet”, tha ajo. “Por, rritja shumë e ngadaltë – ose aspak rritje – nuk tregon që ekonomia është buzë kolapsit. Ajo nënkupton investime më të ngadalshme dhe ulje të disa shpenzimeve publike në muajt e ardhshëm”.

Shpenzimet e Qeverisë për shkak të luftës bën që të ketë rritje të Bruto Prodhimit të Brendshëm gjatë viti të kaluar me 3.6 për qind, pavarësisht sanksioneve perëndimore dhe përpjekjeve për të ndërprerë tregtinë me Rusinë. Këtë vit, parashikimet janë që ekonomia të rritet me 3.9 për qind.

Ndërkohë, papunësia ra në 2.4 për qind në shtator, me mungesën e fuqisë punëtore që ndihmoi në rritjen e pagave.

Normat e larta të interesit nuk kanë ndikuar vetëm tregun e pasurive të paluajtshme. Rritja e borxhit të korporatave e ka bërë ndjeshëm më të shtrenjtë për kompanitë të marrin kredi me qëllim që të zgjerojnë operacionet e tyre – ose për të rritur pagat për të konkurruar me punëtorët që zgjedhin të regjistrohen për të luftuar në Ukrainë. Në disa rajone, burrat mund të marrin ekuivalentin e një viti pagë vetëm duke u regjistruar për të luftuar.

Pakënaqësia e udhëheqësve të bizneseve dhe drejtuesve të korporatave ndaj Bankës Qendrore tashmë ka dalë në pah.

Sergei Chemezov, kreu i konglomeratit industrial shtetëror Rostec dhe aleat i presidentit rus, Vladimir Putin, u ankua para ngritjes më të fundit, se normat e larta të interesit ishin “një pengesë serioze për rritjen e mëtejshme industriale”.

“Politika financiare konservatore mund të çojë në stagflacion”, tha Chemezov.

“Me ritmin e tanishëm, është më fitimprurëse për kompanitë të ndalojnë zhvillimin dhe madje të zvogëlojnë shkallën e biznesit dhe të vendosin fondet e tyre në depozita sesa të ushtrojnë biznes dhe të përballen me rreziqe të ndërlidhura”, tha në muajin tetor Aleksei Mordashov, një oligark i lidhur me Kremlinin që drejton kompaninë më të madhe të çelikut në Rusi.

Chemezov dhe udhëheqës të tjerë biznesi kanë paralajmëruar gjithashtu për një rritje të falimentimeve të korporatave.

Banka Qendrore ruse parashikon një ngadalësim ekonomik për shkak të rritjes së normave të interesit. Në vitin 2025, pritet që rritja të zvogëlohet ndërmjet 0.5-1.5 për qind.

Ekspertët thanë se ka rrezik që politika e Bankës Qendrore ruse ta çojë ekonominë në stagflacion – një kombinim i ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe inflacionit të lartë. Një institut i lidhur me Qeverinë paralajmëroi për këtë në një raport të botuar më 13 nëntor.

“Niveli i lartë aktual i normës kyç të interesit dhe treguesit për rritje të mëtejshme kanë krijuar një rrezik për një rënie të ekonomisë dhe një kolapsim të investimeve në një të ardhme të afërt”, u tha në raport.

Kryetarja e Bankës Qendrore të Rusisë, Elvira Nabiullina, duket se mbrojti disa nga politikat fiskale të institucionit që udhëheq dhe u përpoq të qetësonte zërat kritikë. Ajo po ashtu e hodhi poshtë rrezikun e një stagflacioni.

“Ekonomia ruse është në një pikë kthese dhe mund të pritet një ngadalësim i inflacionit në muajt e ardhshëm”, tha ajo.

Moskës nuk do t’i bëjnë “përshtypje disa falimentime”, tha Janis Kluge, ekspert për ekonominë ruse në Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe Sigurinë, sepse ato janë “të nevojshme për të vënë inflacionin nën kontroll”.

Falimentimet “duhet të ndihmojnë gjithashtu në rekrutimin” e burrave për të luftuar në Ukrainë, tha ai, pasi rusët “që nuk mund të shlyejnë borxhet e tyre janë më të prirë të bien dakord për” t’iu bashkuar ushtrisë.

“Në përgjithësi, situata ekonomike do të bëhet shumë më e ndërlikuar për Rusinë”, tha Kluge. “Për gati tre vjet, dukej se të gjithë po pasuroheshin nga kjo luftë. Por, tani po bëhet e qartë se kjo nuk do të ndodhë dhe duhet ta paguajë një çmim”./REL/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edicioni i 6-të i Garage Sale sjell zbritje të madhe në Comodita Home!
-Advertisement-

Të tjera