Opinione

Refuzimi i Komunave për t’i publikuar të dhënat dhe informacionet publike

Autori: Elbasan Racaj 12:47 | 29 April 2020

Një pjesë e Komunave të Republikës së Kosovës vazhdon të refuzojë në zbatimin e një pjese të dispozitave kushtetuese, të ligjeve në fuqi si dhe të akteve tjera nënligjore.

Ky refuzim bie në kuadër të transparencës dhe llogaridhënies Komunale e cila ua mundëson qytetarëve të informohen me punën e organeve Komunale, veçanërisht në kuadër të investimeve kapitale dhe shpenzimeve financiare.

Dispozitat Kushtetuese dhe dispozitat e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, të cilat promovojnë transparencën Komunale, nuk merren për bazë në asnjë formë nga disa Komuna të Republikës, dhe të njëjtat dispozita respektohen vetëm pjesërisht nga disa Komuna të tjera. Të njëjtat Komuna, në mënyrë të plotë, apo edhe të pjesshme, kanë dështuar të zbatojnë dispozitat e Udhëzimit Administrativ nr.01/2015 për Ueb Faqet e Institucioneve Publike.

-Advertisement-

Komunat e Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut dhe Zveçanit, edhe pse të obliguara, nuk respektojnë, në asnjë formë, dispozitat e lartcekura. Ueb faqet zyrtare të këtyre Komunave nuk kanë asnjë lloj të dhëne apo informacioni. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, përveç promovimit të transparencës, i jep mundësi qytetarëve, sidomos komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, të paraqesin brengat dhe nevojat e tyre. Në nenin e saj 123, pika 4, Kushtetuta përcakton se “Vetëqeverisja lokale bazohet në parimet e qeverisjes së mirë, transparencës, efikasitetit dhe efektivitetit në ofrimin e shërbimeve publike, duke u kushtuar kujdes të veçantë nevojave dhe brengave specifike të komuniteteve që nuk janë shumicë dhe pjesëtarëve të tyre”. Të njëjtat Komuna nuk e zbatojnë Ligjin për Vetëqeverisje Lokale kur jemi tek transparenca, si dhe nuk e zbatojnë aspak nenin 9 të Udhëzimit Administrativ nr.01/2015 për Ueb Faqet e Institucioneve Publike, i cili nen rregullon përmbajtjen e ueb faqeve të institucioneve publike. Është e pamundur të dihet nëse komunat e Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut dhe Zveçanit kanë të miratuar çfarëdo Plani të Veprimit Komunal për Transparencë, ngase nuk ekziston asnjë informacion mbi akte të tilla në ueb faqet e tyre, si dhe është e pamundur që të njëjtat akte t’i kërkosh përmes qasjes në dokumente publike ngase nuk ekzistojë informacione mbi kontaktet e zyrtarëve të zyrave për qasje në dokumente publike.

Transparenca nga ana e këtyre katër komunave çalon edhe në raportimin financiar. Asnjë nga këto komuna nuk ka të plasuar në ueb faqe asnjë raport financiar edhe pse publikimi i të njëjtave raporte do ishte interes, jo vetëm i komunitetit serb i cili përbën shumicën në ato komuna, po i të gjithë qytetarëve të Republikës. Të gjitha komunat e Republikës përfitojnë nga transferet qeveritare, kurse katër komunat me shumicë serbe, bazuar në ligjin për ndarjen buxhetore të vitit 2019, kanë përfituar nga qeveria shumën prej 13,696,979.00 euro. Që të katër këto komuna do duhej të ishin transparente dhe llogaridhënëse ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës të cilët, në cilësinë e taksapaguesve, derdhin mjete financiare edhe në buxhetin publik i cili menaxhohet nga qeveria.

Nga ana tjetër, një pjesë e komunave kanë plasim të pjesshëm të të dhënave dhe informacioneve. Komunat si Kllokoti, Novobërda, Parteshi dhe Ranillugut, përveç disa informacioneve, me një përmbajtje mjaft të vobektë, nuk paraqesin informacione përmbajtësore mbi menaxhimin komunal. Këto komuna, në asnjë moment nuk publikojnë raporte financiare për të qenë transparente dhe llogaridhënëse ndaj taksapaguesve, përkundër faktit se të njëjtat, sikurse Komunat tjera, financohen nga qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nga grantet qeveritare.

Dikasteret përkatëse qeveritare, do duhej të kenë një qasje më aktive në monitorimin e ueb faqeve të komunave, për t’i ndihmuar dhe për t’i cytur ato në plasimin e duhur të informacioneve përmbajtësore. Përndryshe, informacionet mbi menaxhimin komunal të politikave publike lokale, veçanërisht të dhënat e strukturuara financiare të komunave, është e pamundur t’i kenë qytetarët nëse për të njëjtat, në rast nevoje, nuk paraqiten kërkesa pranë institucioneve të nivelit qendror.

Lëvizja FOL, përmes projektit “Transparencë dhe Llogaridhënie e Komunave Kundrejt Taksapaguesve”, të financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, është duke bërë monitorimin e shpenzimeve nga ana e Komunave të Republikës së Kosovës si rezultat i vendimeve të gjykatave, të dhëna këto që do duhej të publikoheshin përmes publikimit të raporteve financiare nga ana e Komunave.

“Ky projekt financohet përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.”

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI

Të tjera