Opinione

Reformë po, fyerje jo

Autori: Gazeta inFokus 11:55 | 04 September 2022

Nga 32 shtete pjesëmarrëse, nxënësit gjermanë në vitin 2001 kishin nxënë vendet 21-25 në Testin PISA gjersa ishin ndër më të dobëtit në lexim, llogaritje dhe shkenca natyrore. Flitej që po të kishin marrë pjesë më shumë shtete, nxënësit gjermanë do të mund të rangoheshin edhe më poshtë. Ky rezultat i ulët në shtetin që kishte dhe ka numrin më të madh të universiteve në Evropë qe përjetuar si shok në sistemin arsimor të Gjermanisë dhe jo vetëm.

Por, pavarësisht rezultateve të dobëta, askush në Gjermani nuk i fyente mësimdhënësit siç po ndodh aktualisht në Kosovë. Sigurisht që shteti gjerman më pas kishte ndërmarrë reforma, por pa i fyer mësimdhënësit që përbëjnë shtresën e mesme, e është pikërisht shtresa e mesme ajo që përbën bazën e një kombi, pavarësisht nivelit të saj, sepse fundja thonë qysh është mileti është edhe shteti.

Për të kuptuar të tashmen duhet kthyer pak në histori për të parë se ku ishin popujt tjerë e ku ishim ne.

-Advertisement-

Arabët për ta shtrirë ndikimin nga Magrebi në Indonezi përhapnin idenë se Kurani ishte i papërkthyeshëm nga arabishtja nëpër gjuhë tjera. Ky ishte synimi imperial i Perandorisë Arabe që përmes leximit të Kuranit dhe kryerjes së riteve fetare në arabisht të shtrihej ndikimi arab në glob. Ndërkohë më vonë u kuptua që përkthimi i Kuranit në gjuhë tjera ishte i mundshëm. Edhe sot ka qarqe të ndryshme, përfshirë ato në hapësira shqiptare që e mbrojnë idenë e kryerjes së riteve fetare vetëm në arabisht dhe se Kurani është i papërkthyeshëm. Ishte pikërisht ky rigorozitet i arabëve përmes të cilit kishin arritur të ndërtonin ndër perandoritë më të shtrira në glob.

Popujt evropianë duke e parë insistimin arab në leximin e Kuranit vetëm në arabisht, i cili insistim përhapi gjuhën dhe kulturën arabe anembanë globit, e kishin kuptuar që pa e përkthyer biblën nëpër gjuhë të ndryshme evropiane nuk mund të krijonin identitet të mirëfilltë kombëtar, mbi bazën e të cilit pastaj do të mund të ndërmerrnin projeksione kombëtare dhe pse jo ekspansioniste.

Kështu, gjermanishtja zhvillimin e saj e kishte filluar në vitin 1522 kur reformatori protestant Martin Luther kishte përkthyer Biblën në gjermanisht. Po ashtu edhe frëngjishtja hovin e saj e kishte filluar vetëm pas përkthimit të Biblës në vitin 1528 nga Jacques Lefèvre d’Étaples. Ngaqë në mesjetë feja dominonte arsyen dhe përditshmërinë, atëherë hovin që kishte marrë zhvillimi i gjermanishtes dhe frëngjishtes ishte pikërisht për shkak të leximit të Biblës në gjermanisht e frëngjisht. Kjo zatën është edhe zanafila kur edhe fillon të formësohet identiteti gjerman e francez. Thjeshtë përkthimi i Biblës nëpër gjuhët e ndryshme evropiane kishte qenë baza në Evropë për fillimin e formësimit të identiteteve kombëtare dhe formimin e shteteve që do të pasonin më vonë.

Populli shqiptar duke qenë i pushtuar nga bizanti e osmanët në mesjetë nuk kishte arritur ta përkthente në shqip as biblën e as kuranin, në kohën kur popujt tjerë evropianë po e përkthenin Biblën. Përkthimi i këtyre dy librave të shenjtë në shqip në mesjetë do t’i jepte krejtësisht dimension tjetër zhvillimor shqipes dhe vetë identitetit kombëtar shqiptar. Pamundësia e zhvillimit të shqipes dhe identitetit kombëtar shqiptar kishte bërë që shqiptarët të ishin të fundit në Evropë me çështjen kombëtare të pazgjidhur.

Prandaj, shqipja e kishte ndërtuar standardin e saj më së voni në Evropë, në vitin 1972. Sigurisht që ai standard që e përdorim edhe sot nuk kishte qenë gjithëpërfshirës ngaqë mbi gjysma e popullit shqiptar kishin ngelur jashtë trojeve shqiptare. Por, rrethanat ishin çfarë ishin dhe sot kemi standardin, gjersa askush nuk na ndal sot që ta pasurojmë fjalorin me fjalë të shumta të gegërishtes.

Ndërkohë, shqiptarët në ish-Jugosllavi vetëm pas viteve të 70-ta – kur qe hapur Universiteti i Prishtinës dhe shkollat shqipe gjithandej – patën filluar të shkolloheshin brenda një sistemi që bënte të pamundurën që të pengonte sa më shumë shkollimin e shqiptarëve. Fshatrat shqiptare gjatë ish-Jugosllavisë ishin të përjashtuarat më të mëdha sociale dhe me shkallën më të lartë të analfabetizmit në Evropë.

Shqiptarët në ish-Jugosllavi vetëm pas viteve të 80-ta kishin filluar të kishin një shtresë të mesme arsimtarësh, profesorësh e të tjerë. Duhet përmendur që sistemi arsimor i asaj kohe ishte kryesisht mësimdhënës e shumë pak kritik, inovativ e hulumtues, kjo sepse shqiptarët po ecnin sikur nëpër teh të shpatës, sepse edhe ai sistem arsimor që po iu lejohej ishte skajshmërisht i kontrolluar nga sistemi i asaj kohe. Kjo traditë shkollimi që imponohej nga rrethanat e vështira ende nuk ka arritur të përkthehet as sot në sistem arsimor kritik, inovativ, hulumtues e kreativ.

Dhe pikërisht kur filluam ta ndërtonim shtresën e mesme prej mësimdhënësish e të tjerë, pushtuesi serb na nxori me dhunë nga shkollat në fillim të viteve të 90-ta. Dihet që përjashtimi nga shkollat 1991-1999 ka lënë pasoja të mëdha te shtresa e mësimdhënësve dhe tërë arsimi në Kosovë. Por, ky ishte fati ynë i keq historik. Megjithatë, ishin pikërisht arsimtarët dhe profesorët që me ato dije që kishin e mbajtën gjallë arsimin paralel shqip 1991-1999 duke u bërë kështu heronj të gjallë të ruajtjes së vazhdimësisë së shkollimit shqip pavarësisht çmimit të lartë që po paguanin kundrejt terrorit të përditshëm serb.

Prandaj, kritika që po iu bëhet sot mësimdhënësve duhet pasur parasysh trajektoren e rëndë nëpër të cilën kemi kaluar. Nuk është se pas vitit 1999 trashëguam ndonjë sistem arsimor të niveleve skandinave, përkundrazi përjetuam një të tillë të rrënuar totalisht e aq më tepër të terrorizuar nga pushtuesi jugosllav.

Megjithatë, i mirë apo i keq sistemi arsimor, të gjithë kemi dalë nga ky sistem. Janë mijëra fëmijë tanë që kanë kryer disa klasë në këtë sistem që kemi dhe më pas kanë emigruar, por nuk kanë dështuar atje, përkundrazi veç sa janë avansuar. Janë qindra mjekë e inxhinierë të këtij sistemi arsimor që sot punojnë të dalluar nëpër tërë botën. Janë qindra të diplomuar në Kosovën e pasluftës që me sukses të jashtëzakonshëm kanë kryer studime master, doktorature e postdoktorature nëpër top universitete botërore. Janë një elitë e tërë në Kosovë që kanë dalë nga po ky sistem duke filluar nga Rexhep Qosja, Mark Krasniqi, Anton Çetta, Fehmi Agani, Ukshin Hoti, Adem Demaçi, Arbën Xhaferi e sa e sa të tjerë.

Sigurisht që kemi probleme por kemi edhe suksese. Sa profesori e eksperti i Kosovës ligjëron sot nëpër vende të ndryshme, sa fëmijët e Kosovës korrin suksese sot nëpër gara ndërkombëtare. Fakti që 10-12% e GDP-së së Kosovës përbëhet nga IT në këto 10 vitet e fundit flet shumë për sistemin tonë arsimor, i cili megjithatë duhet të reformohet, sepse ashtu e kërkojnë dinamikat e shpejta globale nëpër të cilat po kalon njerëzimi.

Sigurisht që duhet ta reformojmë sistemin arsimor. Por, jo duke shkelur nëpër koka të njerëzve dhe jo duke e parë vetëm zi. Reforma në arsim përpos që merr shumë kohë është më e vështira për çdo shtet ngase ngërthen një gamë të gjerë dhe komplekse palësh në proces. Efektet e reformës shihen shumë vonë. Nuk duhet t’i damkosim, ata që me sa ditën dhe mundën na shkolluan të gjithëve. Prandaj, reformë po, fyerje e poshtërim jo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera