Opinione

Reforma e arsimit në Kamenicë është hapi më i madh emancipues në këto troje që prej Pajtimit të Gjaqeve

Autori: Gazeta inFokus 13:33 | 15 June 2019
Anton Çetta dhe Lëvizja (e harruar) për Pajtim të Gjaqeve shënoi daljen e popullit tonë nga mesjeta duke u bërë një nga lëvizjet më emancipuese të shekullit të kaluar. Ka pasë edhe ngjarje tjera që kanë ndihmuar daljen nga mesjeta, sikur që është hapja e Universitetit…, por asnjë tjetër sikur kjo Lëvizje nuk ka ndikuar aq thellësisht në rrënjet e mesjetës, asnjë nuk ka ndikuar në viset dhe fshatrat më të largëta, në shtëpitë e izoluara thellë në errësirë. Anton Çetta nuk ka qenë i vetëm, por i forcuar nga të rinjë e të reja gjithandej trojeve që kanë pasë një qëllim të vetëm – daljen nga errësira. Janë harruar të gjithë ata heronjë paqeje. Por vepra e tyre ka është mbjellë thellë në identitetin e kombit tonë, përgjithmonë e pafundësisht qofshin të nderuar.
Për nga thellësia e ndikimit në emancipim asnjë reformë, asnjë iniciativë nuk i afrohet më shumë sesa iniciativa për reformen e arsimit në Kamenicë. Për disa arsye.
Ngjashmëria e parë vjen nga fakti se kjo reformë nuk prekë zonat urbane, nuk prekë qytetet, por është e destinuar të ndihmoj familjet dhe fëmijët e trojeve fshatare dhe malore. Këto troje gjithmonë janë lënë anash, hera e parë dhe e fundit që është punuar për ta është Pajtimi i Gjaqeve.
Ngjashmëria e dytë është te qëllimi i afrimit të fshatrave të ndryshme, dalja nga kusherillaku e kojshillaku duke e emancipuar individin duke ua hapur botën dhe mundësitë. Sot hyrja në mexhe të një fshati tjetër është e pamundur. Nesër kur ata fëmijë do të kenë shoqëri me fshatarë që vijnë nga fshatra tjera ndoshta kjo mund të ndryshoj. Sot as dhëndërri nga fshati i afërm nuk mund të hyjë në mexhe edhe kur nuk ka djem pasardhës e lee më të flasim për ndarje të barabartë tokash mes djemve e vajzave. Sespse i kemi ngujuar fëmijët në një rreth shumë të ngushtë dhe nuk kemi lejuar asnjëher një hapje të mendjes, hapje të botës për fëmijët. Prandaj kemi dukuri sikur rasti i para disa ditëve kur një grua u sulmua nga fëmijë të mbyllur në errësirë, vetëm sepse ajo nuk i ngjante nënave e moerave të tyre.
Ngjashmëritë tjera do të jenë për nga rezultati emancipues. Profesorin Sylejman Morina e patën vetë bashkëfshatarët e tij: Po pse bre Sylë je kundër gjimnazit në Rogoçicë? Sepse, ju patë thanë profa, fëmijëve nuk ju duhet vetëm shkolla por edhe emancipimi, kultura, qytetarija, civilizimi… e nuk mundet me i përvetësue ato kur nxënësi kah t’kthehet n’shpi duhet me u ndalë me prashitë kallamoq me prin’. Nxënësit mësojnë dhe kultivohen poaq nga shokët e tyre që vijnë nga mese e rrethe të ndryshme shoqërore.
Unë nuk i kam fëmijët në shkollë n’Kamenicë, as në Kosovë dhe kjo reformë nuk më prekë personalisht. Jetoj në një vend kodrinoro-luginor në Francë që ngjanë për nga shtrirja dhe madhësija e lokaliteteve me komunën e Kamenicës. Bëra disa krahasime hapsirore dhe e pashë se reforma që propozon z. Kastrati përputhet me sistemin e shtrirjes së shkollave në këtë hapsirë. Edhe ne i kemi problemet e zbrazjeve të fshatrave nga të rinjët dhe zvoglimin e numrit të nxënësve në shkolla, edhe këtu ka paralele dhe shkolla që mbyllen definitivisht, ose deri atëherë kur të rikthehet popullata.
Faktikisht në Francë shkollat janë edhe më të rralla në aspektin hapsiror. Së paku dy a tri herë më të rralla se që po propozon z. Kastrati. Sepse shkolla nuk është vetëm një karrigë, bankë e tabelë. Shkollës i duhen hapsira të specializuara të punës, laboratore të njohurive natyrore, shkencore, teknologjike, duhen harta, duhen salla sportive për basket, handball, balet, duhen instrumente muzikore, hapsira për studim, bibloteka. Shkolla nuk është vend ku e hjek fëminë qafe për nja katër pesë orë.
Çfarë fati keni, e kam thanë edhe më herët, se e keni një kryetar të devotshëm si z. Kastrati, që jep kohën më të mirë të tij për t’u kujdesur për ju, dhe për fëmijët tuaj. Është koha e fundit që t’ua ktheni dinjitetin gjeneratave të reja. Po ua ofroj një analogji me futboll ndoshta e kuptoni më mirë, kur jeni në ligën e fundit, duhet shumë kohë të ngjitesh në ligat e para. Sa më shumë të vonoheni aq më larg ligat e para do të largohen. Sepse më të mirët mes jush do të largohen për të ofruar fëmijëve të tyre kushte më të mira dhe sadopak perspektivë. Problemi është se ju mendoni se keni kohë. Por nuk ka kohë, qdo vit i humbur është një gjeneratë që përfundon në skelet e Kroacisë. Çdo vit i humbur, është kohë e humbur për reformat e shumta të tjera që i duhen vendit.
Nuk do t’ia arrinë vetë ky ekip i devotshëm, i duhet përkrahje e secilit nga ju progresist, që mendoni për të mirën e vendit. Duhet përkrahje edhe kur reforma nuk ju prekë. Kjo është analogjia e fundit, Anton Çetta nuk do të mund t’i pajtoj gjithë ato familje vetëm, nuk do të mund ti bënte fiset komb. Prandaj, merreni mundin e diskutoni, përkraheni këtë reformë kaq të vonë, kaq të thellë, kaq progresiste.
Krejt në fund: Bravo kryetar!

-Advertisement-

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera