Lajme

Reeker flet me presidenten Osmani, kërkon angazhim konstruktiv në dialog që çon në finale me njohje reciproke

Autori: Gazeta inFokus 20:37 | 26 April 2021

Zëvendës Sekretari i Shtetëror i SHBA-ve për Evropë dhe Euroazi, Philip Reeker, përgjatë një bisede të zhvilluar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, ka kërkuar finalizim të një marrëveshjeje politike mes Kosovës dhe Serbisë, “, e cila do të rezultonte në njohjen e ndërsjellë”.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate dërguar medieve nga presidenca, teksa në të thuhet se përgjatë bisedimit është ri-konfirmuar mbështetja e presidentit të SHBA’së, Joe Biden, ndaj Kosovës, shkruan Gazeta Express.

“Ndërsa sa i përket dialogut me Serbinë, ambasadori Reeker theksoi se SHBA-të inkurajojnë palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive drejt arritjes së marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, e cila do të rezultonte në njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

-Advertisement-

Kërkesa për një arritje të marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë dhe njohjes reciproke mes dy palëve nga Administrata Biden është ri-përsëritur, nëpërmjet letrave dërguar krerëve të shteteve respektive.

Komunikata e plotë:

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani bisedoi me ambasadorin Philip Reeker, U.D. i ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, i cili e uroi atë për zgjedhjen si Presidente e Kosovës.

Ambasadori Reeker theksoi se raportet e SHBA-ve me Kosovën janë të bazuara në vlerat demokratike dhe qëllimet e përbashkëta. Më tej, ambasadori Reeker rikonfirmoi interesimin e Presidentit Biden për të mbështetur Kosovën drejt zhvillimit dhe zbatimit të reformave të nevojshme. Po ashtu, ambasadori Reeker potencoi angazhimin e SHBA-ve për të mbështetur shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Presidentja Osmani nënvizoi se partneriteti me SHBA-të është jetik për realizimin e prioriteteve të institucioneve të Kosovës në sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 për qytetarët e Kosovës, si dhe zbatimin e reformave te brendshme që do të shtonin punësimin dhe do të luftonin në mënyrë efikase korrupsionin.

Ndërsa sa i përket dialogut me Serbinë, ambasadori Reeker theksoi se SHBA-të inkurajojnë palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive drejt arritjes së marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, e cila do të rezultonte në njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e përmirësimit cilësor të procesit të dialogut që bazohet në paprekshmërinë e territorit të Kosovës dhe karakterin unitar të shtetit e që i kontribuon paqes dhe prosperitetit në rajon. Presidentja Osmani theksoi se për Kosovën, ndriçimi i fatit të të pagjeturve mbetet prioritet të cilin institucionet synojnë ta shtyjnë përpara dhe për këtë kërkoi përkrahjen e SHBA-ve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera