Sport

Reece James i vidhet medalja e Ligës së Kampionëve dhe ajo e Super Kupës

Autori: Gazeta inFokus 20:17 | 16 September 2021

Ylli anglez Reece James ka treguar se shtëpia e tij është thyer nga hajnat sa ishte duke luajtur në Ligën e Kampionëve për Chelsean.

Hajnat janë larguar me një kasafortë që brenda kishte medaljet e Ligës së Kampionëve dhe Super Kupës së Evropës që ai i ka fituar me “blutë”, e po ashtu edhe medaljen e argjendtë që e fitoi me Kombëtaren e Anglisë duke u pozicionuar në vend të dytë.

Mbrojtësi i krahut të djathtë luajti 90 minuta të plotë, në fitoren minimale 1:0 të skuadrës së Thomas Tuchel ndaj Zenit.

“Në mbrëmjen e 14 shtatorit, kur isha duke luajtur për klubin tim në rikthimin e Ligës së Kampionëve, një grup hajnash kanë hyrë në shtëpinë time. Ata arritën që së bashku të marrin një kasafortë të rëndë brenda së cilës kishte disa gjëra personale të mijat”, tha James përmes një postimi në “Instagram”.

“Nuk mbaj bizhuteri në shtëpi, kështu që gjërat që ishin brenda kasafortës kanë qenë medalja e Ligës së Kampionëve dhe ajo e Super Kupës, e po ashtu edhe medalja e argjendtë e evropianit 2020. Këto medalje i kam fituar duke përfaqësuar Chelsean dhe Anglinë, çmime këto që nuk mund të m’i largojnë, edhe nëse nuk i kam medaljet më”, shtoi ylli anglez.

James e fitoi Ligën e Kampionëve me Chelsean sezonin e kaluar, duke e mposhtur në finale skuadrën e Manchester Cityt me rezultat 1:0.

Po ashtu, Super Kupën e Evropës James e ngriti me Chelsean ku në finale e mposhti Villarrealin në penallti – 6:5.

Të tjera