Lajme

Reduktimet me energji po zgjasin me ditë në Han të Elezit

Autori: Gazeta inFokus 10:40 | 25 December 2021

Kriza energjetike në vend po lë me orë të tëra pa energji elektrike qytetarët dhe bizneset të cilat janë gjendur në vështirësi. Situata është e rëndë edhe në Komunën e Hanit të Elezit, ku qytetarët ankohen se reduktimet po zgjasin me ditë, ndërsa kryetari kësaj komune, Mehmet Ballazhi thotë se po dëmtohen edhe bizneset.

Ballazhi, në një prononcim për KosovaPress, thotë se nuk kanë orar se kur ndërpritet energjia elektrike dhe kjo po shkakton probleme pasi nuk i lë hapësirë që qytetarët të përgatiten paraprakisht për kohën kur nuk ka furnizim me energji.

“Në fakt ka që 2-3 ditë që ka filluar reduktimi me rrymën dhe e keqja e krejt asaj se ne nuk po kemi një orar të caktuar, ose nuk po kemi një informacion për orarin e reduktimit të rrymës. Me këtë rast kisha shfrytëzuar këtë kohë që t’i bëj apel, të bëj thirrje, të kërkoj që së paku të kemi një orar, të dimë se kur ndalet rryma që qytetari të jetë me i përgatitur me problemet që mund të paraqiten për shkak të reduktimit të rrymës. Ka reduktime pa orar dhe kjo na shkakton probleme në përgjithësi”, ka thënë ai.

-Advertisement-

Më tej, Ballazhi theksoi se reduktimi i energjisë elektrike po paraqet problem edhe për bizneset.

“Absolutisht që po (iu ka paraqitur vështirësi), edhe bizneseve, edhe qytetarëve të tjerë për t’i kryer punët se tani teknologjia ka arritur deri në atë shkallë se gjithçka që veprohet, që punohet, përmes teknologjisë, kështu që ka probleme”, u shpreh ai.

Qytetarët shprehen të mllefosur me reduktimet e energjisë, duke thënë se nuk kanë furnizim me ditë të tëra. Enver Kaliqi, banor i Hanit të Elezit, tha se ndërprerja e rrymës është gjithmonë shtatë orë.

“Dje nuk ka pas shtatë orë të na, tre herë ka dy orë e diçka po bëjnë shtatë orë. Herë 06 mëngjes, 12 aksham, prapë në gjashtë, shtatë orë ndalet, gjithë ndalet kështu”, ka thënë ai.

Qytetari tjetër Ramadan Kaliqi tha se reduktimet po zgjasin shumë, duke thënë se ka një ditë që nuk ka pasur furnizim me energji.

“Rrymë prej dje që u ndalë në ora 12 tanë natën, tash nuk ka, që 1 javë dite bëjnë hajgare këta me ketë popullatë. […] (06:00) Kjo Kosovë kish pas me vagona pare edhe mall, por janë duke e keqpërdor djersen e popullatës. E populli sot vuan për bukë e këta bëjnë hajgare me rrymë, me krejt senet. Edhe nuk ka rrymë që 24 orë, pa rrymë jena”, u shpreh ai.

Këtë situatë Imer Salija e ka quajtur tmerr dhe se për të po shkakton probleme të shumta, duke shtuar se ai nuk ka energji prej dy ditësh.

“Na kemi pas rrymë rregullisht, por tash me këto reduktime po është problem. Po na thonë çdo dy orë por është problemi që dy ditë nuk kemi rrymë është problem i madh, është tmerr”, theksoi ai.

KosovaPress i ka dërguar pyetje KEDS-it nëse ka reduktime më shumë se dy orë, duke përjashtuar ndërprerjen për shkak të punimeve, por nuk ka marrë një përgjigje. Ndryshe, KEDS do të mbajë sot një konferencë për të folur mbi gjendjen aktuale me furnizim me energji elektrike.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
-Advertisement-

Të tjera