Lajme

Reciprociteti i Albin Kurtit bllokon në kufi edhe mallrat nga Evropa

Autori: Gazeta inFokus 16:30 | 01 June 2020

Qeveria Kurti, mori vendim në mbledhjen e 37-të që të vendosen edhe masa të reja, në kuadër të zbatimit gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë.

Kësisoj, mallrat çka nisen prej Serbisë për në Kosovë, do t’iu nënshtrohen të njëjtave procedura që iu nënshtrohen edhe mallrat nga Kosova që hynë në Serbi, shkruan gazeta inFokus.

Por, nga kjo, telashe po kanë edhe transportuesit që sjellin mallra nga shtetet e vendeve evropiane.

-Advertisement-

Gazeta inFokus ka biseduar me një transportues i cili me mallra të prodhuara në Gjermani, ka mbetur në kufi, në Jarinje.

“Ne jemi nisur me mallra nga Gjermania, por jemi prej mëngjesit, kanë kaluar shumë orë e jemi në kufi, ende nuk kemi mundur as të ofrohemi që ti verifikojmë dokumentet e të hymë në Kosovë”, ka thënë ky transportues për gazetën inFokus.

E për këtë punë, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për gazetën inFokus, se transportuesit nga Serbia, duhet të marrin leje të veçantë për të hyrë në Kosovë.

“Është pika e 3 e vendimit të Qeverisë që operatorët ekonomik të Serbisë, duhet me qenë të autorizuar prej zyrës koordinuese të Kosovës në Beograd”, ka thënë Stavileci.

Ndërsa, në vendimin e Qeverisë, pika 3, thuhet që pavarësisht origjinës së mallrave nëse, operatori ekonomik që e bën transportimin e tyre është nga Serbia, duhet që për secilin automjet që hyn në Kosovë të kenë leje hyrëse, shkruan gazeta inFokus.

“Operatorët ekonomikë nga Serbia duhet të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet me mallra që hyn në Republikën e Kosovës. Kërkesa për leje hyrëse i paraqitet zyrës ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Sedrbi me letër ose përmes postës elektronike”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Megjithatë, duke qenë se shumë maune janë ndalur dhe ka kontrolle në pikat kufitare me Serbinë, kësaj sherrin ia panë edhe transportuesit nga vendet tjera, të cilat me orë po qëndrojnë nëpër kolona.

E Stavileci ka treguar edhe sa maune me mallra serbe, tashmë janë kthyer mbrapsht, pasi nuk plotësuan kushtet e vendosura nga Qeveria e Kosovës për të hyrë brenda.

“Deri tash, rreth 15 maune me mallra serbe, janë kthyer mbrapsht”, ka thënë Stavileci./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut

Të tjera