Lajme

Reagon sërish “Besa Trans”, pas aksidentit tragjik në Bullgari ku humbën jetën 46 persona

Autori: Gazeta inFokus 15:36 | 24 November 2021

Agjensioni i autobusëve “Besa Trans” në Shkup kanë reaguar përsëri pas aksidentit tragjik të autobusit të kësaj kompanie në Bullgari ku humbën jetën 46 persona.

Kësaj here reagimi u bë në lidhje me disa video të publikuara në media për një autobus që dyshohej të ishte ai që u aksidentua dhe u dogj.

Në reagimin e tyre thuhet se autobusët që janë paraqitur në video tek një hotel ku po qëndronin udhëtarët, nuk ka qenë autobusi i cili u aksidentua.

Kompania “Besa Trans” ka shprehur ngushëllime për të gjitha viktimat e aksidentit që ka ndodhur dje në Bullgari.

“Ju shprehim ngushëllime të gjithë familjarëve të të ndjerëve në aksidentin tragjik i cili ka ndodhur dje në orët e hershme të mëngjesit, të lënduarve ju dëshirojmë shërim të shpejtë. Nuk kemi fjalë dhe as që kemi besuar që edhe në këto raste, bazë e mediave do të jetë dezinformimi, si shkak i shpërndarjes së disa videove nga një hotel në të cilin kanë qëndruar një pjesë e udhëtarëve tanë, autobusët të cilët shfaqen në ato video asnjëri nuk ka qenë ata në të cilët janë gjendur viktimat e aksidentit tragjik”.

Madje ata kanë thënë që mediat po përfitojnë nga ky rast tragjik.

”I lusim të gjitha mediat që t’i vërtetojnë lajmet dhe më pastaj t’i shpërndajnë ato, e jo të përfitojnë nga rasti tragjik, njëjtë edhe ne duke mos pasur informacione zyrtare, nuk kemi marrë asnjë hap për njoftim të opinionit, në mënyrë që sa më shumë t’iu largohemi dezinformatave”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë që sot po ashtu u raportua se po dyshohet që në këtë autobus ishin duke u bartur një numër i madh i fishekzjarreve, që po dyshohet të jetë edhe arsyeja e shpërthimit për të cilin kanë deklaruar të mbijetuarit./Gazeta Infokus/

Të tjera