Lajme

Reagon Isa Mustafa, i kërkon Kurtit zgjidhje për çmimet: Nuk është roli i juaj edukimi i Putinit

Autori: Gazeta inFokus 16:06 | 10 March 2022

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas rritjes së çmimit të energjisë, vajit, derivateve e produkteve të tjera, shkruan Gazeta Infokus.

Ai përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se qeveria duhet të gjejë zgjidhje dhe duhet që të tregojë lidership.

“Çmimin e energjisë, të vajit, të derivateve të naftës, e shumë tjera, nuk i ngritën qeveritë e kaluara. Kjo opozitë nuk po e gjuan Qeverinë me shishe molotovi, me granata, me bomba, gaz lotsjellës, gurë.. Përpos një partie parlamentare e njërës jashtë parlamentit, opozita tjetër s po ua prishë terezinë. Prandaj Qeveria s’ka arsye të vajtojë por duhet të ngjeshët dhe të tregojë lidership. Sepse, qeverisja në kohë të rëndomta ec vet, e në kohë të vështira tregon lidership. Dije, organizim, drejtim”, ka shkruar Mustafa.

-Advertisement-

Më tutje, ai tha se nuk është rol i institucioneve të frikësojnë qytetarët që po sulmon Serbia, teksa shtoi se nuk është rol i qeverisë edukimi i presidentit rus Vladimir Putin.

“Nuk është roli i institucioneve të Kosovës, po ashtu, të tmerrojë qytetarët çdo mëngjes se po na sulmon Serbia. Sepse, njerëzit shqetësohen, frikësohen; spekulantët i rrisin çmimet, kurse qentë e luftës kërkojnë hapësirë për të profituar. Në fund mbesin qytetarët që ju votuan, ata që e paguajnë çmimin e frustrimeve të pamenaxhueshme”, shkroi më tutje Mustafa./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Lansohet aplikacioni më i ri i lojalitetit që sjell t’mira pafund Kartela Plus!
-Advertisement-

Të tjera