Lajme

Reagon edhe KMDLNj për vendet e rezervuara në Kuvend: Po rrezikohen nga Beogradi

Autori: Gazeta inFokus 13:07 | 22 February 2021

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, përmes një komunikate për media ka thënë se vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës po rrezikohen për shkak të ndërhyrjes së Beogradit përmes Listës Serbe.

Sipas KMDLNJ’së, me vota të kontrabanduara po krijohet një përfaqësim i imponuar i komuniteteve jo-shumicë, në dëm të përfaqësuesve të vërtetë dhe legjitim të këtyre komuniteteve dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtat e njeriut.

Reagimi i plotë:

-Advertisement-

Me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, anëtarët e komuniteteve jo-shumicë gëzojnë të drejta të veçanta e që mund të merren edhe si shembull edhe për vendet me një demokraci më të zhvilluar se në Kosovë.

Në këtë kontekst janë edhe garancitë për vendet e rezervuara e që në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit 2021 po rrezikohen seriozisht për shkak të ndërhyrjes së Beogradit, përmes Listes Serbe të ndryshojë arkitekturën e përfaqësimit të komuniteteve jo – shumicë duke kontrabanduar vota për favoritët e tyre në mënyrë që Lista Serbe të kontrollojë 2/3 e deputetëve të komuniteteve jo –shumicë.

Më heret , nën kërcënim , shantazh dhe duke përdorur edhe dhunë fizike , u përjashtuan nga loja politike në Kosovë të gjitha partitë politike serbe në Kosovë, që ishin integruar në strukturat shtetërore dhe shoqërore të Kosovës dhe që punonin për integrimin e serbëve në Kosovë e që, i tëri ky proces kundërshtohej nga Serbia, përmes Listes Serbe.

Kalimi në heshtje i eliminimit të dhunshëm të partive politike që përfaqësonin serbët e Kosovës në planin afirmativ, krijoi kushtet që në zgjedhjet e fundit , kjo dhunë elektorale dhe përpjekje për dominim të shtrihet edhe te komunitetet jo-shumicë përkatësisht te boshnjakët , romët, goranët, ashkalinjtë dhe të tjerët.

Në këtë mënyrë, me vota të kontrabanduara po krijohet një përfaqësim i imponuar i komuniteteve jo-shumicë, në dëm të përfaqësuesve të vërtetë dhe legjitim të këtyre komuniteteve dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtat e njeriut që garanton, në mënyrë të vullnetshme, pa imponim, pa ndërhyrje politike dhe krejtësisht të pavarur të votoni , të zgjidhni apo të zgjidheni.

Kjo , në zgjedhjet e fundit është shkelur në mënyrë flagrante sikur që është bërë kriminalizimi i procesit të votimit për komunitetet jo – shumicë, i planifikuar nga Serbia dhe i zbatuar nga Lista Serbe.

KMDLNj solidarizohet me votuesit e komuniteteve jo – shumicë, votat e të cilëve janë dhunuar nga Beogradi përmes kontrabandimit të votave nga votuesit e nacionalitetit tjetër, në rastin konkret të nacionalitetit serbë e që kanë qenë mbizotëruese për eliminim të përfaqësuesve të vërtetë të kandidatëve të komuniteteve jo – shumicë, në rastin konkret të atij boshnjakë, romë, goranë dhe ashkalinjë.

KMDLNj kërkon që të bëhet rinumrimi i votave në të gjitha vendvotimet ku dyshohet se ka pasur vota të kontrabanduara e që kanë ndikuar në rezultatin e kandidatëve për komunitetin jo – shumicë që në rastin konkret janë dëmtuar duke u eliminuar nga mundësia të përfaqësojnë komunitetin që i takojnë.

Partitë jo-shumicë duhet ta ndjekin rrugën ligjore, pas certifikimit të rezultateteve në mënyrë që t’i mbrojnë dhe realizojnë të drejtat e tyre që ua garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe, në këtë drejtim do ta kenë përkrahjen e parezervë të KMDLNj -së.

Nëse edhe pas këtij krimi elektoral që paraqet ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Serbisë, përmes Listes Serbe, kalohet pa ndërmarrë veprime ligjore dhe kushtetusese , atëherë do të përligjet një presedan shumë i rrezikshëm që, në mënyrë të tërthortë apo të drejtpërdrejtë, varësisht se sa deputetë do të kontrollohen nga Lista Serbe, përfaqësuesit e komuniteti jo – shumicë do ta pësojnë fatin e partive politike serbe në Kosovë të cilat, thuaja janë përjashtuar nga procesi politik dhe vendimmarrja për fatin e serbëve që janë integruar apo duan të integrohen në Kosovë.

Kjo nuk duhet të lejohet në asnjë mënyrë, në të kundërtën edhe procesi i votimit , sidomos për pjesëtarët e komunitetit jo – shumicë nuk do të ketë kuptim për faktin se për votat e tyre do të vendoset në Beograd dhe jo në Prishtinë.

Do të ishte mirë dhe, madje e domosdoshme që pas shpalljes së rezultateve preliminare, organet e hetuesisë të hetojnë dyshimet e ngritura nga kandidatët dhe partitë politike të komunitetit jo – shumicë për manipulim të votave nga Serbia dhe Lista Serbe. Realisht , nëse për Iniciativën e Boshnjakëve në Veri të Mitrovicës votojnë kryesisht dhe në disa raste ( nga disa komuna serbe ) ekskluzivisht votuesit serbë, atëherë, vetvetiu lindin dyshime të bazuara për vota klienteliste, të kontrabanduara dhe për qëllime politike.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera