Lajme

Reagon drejtori i RTK-së: “Bosna e Lirë” njihet si medium serioz, RTK përcjell rregullisht lajme nga mediume të huaja me rëndësi që shkruajnë për Kosovën

Autori: Gazeta inFokus 23:08 | 24 July 2024

Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla, ka reaguar për herë të parë pas skandalit të fundit të RTK-së. 

Gervalla tha se reagimi i tij vije pasi i detyrohet publikut të RTK-së dhe se nuk po i shqaron rrethanat se si RTK-ja përcolli një lajm nga një medie boshnjake.

Por, ai tha se RTK-ja nuk i ka përmendur me emër mediat për të cilat ky medium boshnjak ka pretenduar, përcjell IndeksOnline.

-Advertisement-

Gervalla tha se “‘Bosna e Lirë’ është medium serioz dhe se RTK-ja përcjell rregullisht lajme nga mediume të huaja me rëndësi që shkruajnë për Kosovën.

Postimi i plotë:

Si drejtor në RTK kam detyrimin profesional dhe moral para publikut të RTK-së, si dhe ndaj qytetarëve të Republikës, kur lakohet emri i institucionit.

Ndaj desha të sqarojë rrethanat se si RTK përcolli lajmin e medias boshnjake lidhur me regjimin në Serbi, planet e tyre për rajonin por edhe për ndikimin e Serbisë mbi mediat në rajon por edhe për disa nga ato në shqip në Kosovë.

Bëhet fjalë për një shkrim në median ‘Bosna e Lirë’ (në origjinal: Slobodna Bosna), e cila pohon pra se ka hetuar ndikimin që ushtron Aleksandar Vuçiç mbi mediat e vendeve fqinje. Aty përmenden, midis tjerash, edhe disa media që veprojnë  në vendin tonë. Dua të theksoj që në krye të herës se RTK nuk i ka përmendur këto media me emër; një mënyrë kjo për të mbajtur në konsideratë integritetin e profesionistëve që punojnë  në ato media kundrejt obligimit profesional për të informuar publikun.

Vlerësimet profesionale për të botuar a jo lajme si këto s’janë asnjëherë të lehta. Meqë lajmi nuk është produkt i hetimeve vetjake, gazetari duhet të gjykojë për seriozitetin e medias që citohet. Aty do shtruar një sërë pyetjesh. A është anonim portal që citohet, apo ka redaksi profesionale me redaktor përgjegjës. Çfarë historie ka si medium. A ka vlerësime nga shoqatat e gazetarëve në vendin përkatës.

Këto pyetje dhe të tjera si këto kanë të gjitha përgjigje të bollshme.

‘Bosna e Lirë’ është medium serioz. Ajo është është publikuar e shtypur si gazetë e përditshme që nga vitet e 90-ta. Më 2015 ka kaluar tërësisht në edicionin digjital, si shumica e mediave në regjion dhe më gjerë. ‘Bosna e Lirë’ ka redaksi profesionale, me gazetaren e njohur boshnjake Mirha Dediç si kryeredaktore. Pos saj, aty punojnë shtatë gazetarë profesionistë dhe më përvojë, nga të tri kombësitë në Bosnje. Ajo ka edhe një fotograf profesionist, e një arkiviste administrative të redaksisë. Redaktor përgjegjës është gazetari i famshëm boshnjak Senad Avdiç.

‘Bosna e Lirë’ ka profil sekularist, domethënë nuk ka rrëshqitur në ujra të fanatizmave religjozë. Ajo është shquar për hetime të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Si e tillë, natyrisht që është akuzuar e paditur shpesh në gjykatë. Mirëpo, kur një gjykatë bosnjake e pat dënuar redaktorin përgjegjës Avdiç për disa artikuj hetues, më 2011, Komiteti për Mbrojtje të Gazetarëve e pat quajtur atë vendim “sulm flagrant kundër gazetarisë së lirë”. Po atë vit, pra më 2011, redaktori përgjegjës i ‘Bosnës së Lirë’, Senad Avdiç, është shpallur atje ‘Gazetar i Vitit’.

Pra, po përsëris, “Bosna e Lirë” njihet si medium serioz. RTK përcjell rregullisht lajme nga mediume të huaja me rëndësi që shkruajnë për Kosovën. Gjykoj se këtu nuk kishte motiv objektiv për të censuruar lajmin e një mediumi serioz.

Një ndër parimet bazë të gazetarisë është obligimi profesional e etik për të botuar lajmin pavarësisht prej pasojave, ajo që kolegët tanë gjermanë e quajnë “Konsekvensneutralitet”: detyra e gazetarit neutral nuk është që të ruajë prej pasojave personat që përmenden në lajme, por që të informojë publikun. Personat dhe mediumet në fjalë kanë patur çdo mundësi që të reagojnë në RTK, ata këtë e dinë se janë gazetarë me përvojë. Por kanë zgjedhur që të reagojnë në mediat e veta, e të ndjekin ligjërisht mediumin “Bosna e Lirë”.

Kjo nuk mund të na ndalë ne do të raportojmë edhe për ato procese.

Dua të shtoj, në fund, se kur RTK përcolli lajmin në fjalë nga “Bosna e Lirë”, ai kishte marrë dhenë. Pra, ishte komentuar e shpërndarë tashmë në rrjetet shoqërore. Në atë situatë, pasi gjykon për seriozitetin e medias së huaj, RTK-së i mbeten në parim veç dy mundësi. Ose ta heshtë lajmin, e të kritikohet mandej se po ushtron censurë, duke ulur besueshmërinë e institucionit në publik; e pra, kritika si këto kanë fundosur të gjithë transmetuesit publikë në regjion. Ose ta plasojë lajmin, e të ballafaqohet me kritikën e pritur.

Bordi i RTK-së dhe u.d. e drejtorit të RTK-së kanë njoftuar se do të nisin një komision ad hoc për të shqyrtuar vendimin si më lart. Unë e përshëndes këtë hap, është një mënyrë e mirë për të shqyrtuar detyrat dhe pritshmëritë profesionale në RTK.

RTK nuk mund të bëhet mediumi i ankthshëm, që ec në majë gishtërinjsh për të mos trazuar askënd. Nuk mund të qëndrojë si status quo-ja. As nuk mund të shuhet jashtë zhvillimit të lajmit.

Jam i bindur se komisioni do të konfirmojë parimet bazë dhe caqet e standareve etike të gazetarisë, duke vendosur në plan të parë të drejtën sipërore të publikut për informim. E mbi të gjitha të drejtën e RTK-së për të qenë në krye në raportimit edhe kur prej tij ka debat shoqëror.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC
-Advertisement-

Të tjera