Lajme

Reagon Avdullah Hoti pas arrestimeve në Ministrinë e Bujqësisë

Autori: Gazeta inFokus 15:08 | 24 February 2021

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka thënë se pret hetim të plotë ndaj kujtdo që është përfshirë në aferën korruptive me subvencione bujqësore ku zyrtarë të kësaj ministrie janë kapur me rreth 400 mijë euro para të gatshme.

Hoti ka shkruar në Facebook se fajtorët duhet të marrin dënim maksimal.

“Pres hetim te plote, gjitheperfshires dhe te shpejte ndaj kujtdo qe eshte i perfshire ne rastin e subvencioneve bujqesore. Fajtoret duhet te marrin denimin maksimal. Keta njerez nuk e meritojne te jene ne institucione”, ka shkruar ai.

-Advertisement-

Mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës ka nisur një aksion në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Aty janë arrestuar disa zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, përfshirë edhe ushtruesin e detyrës së kryeshefit, Agim Nuha.

Ky aksion është zhvilluar edhe në disa komuna tjera të Kosovës, e ku nën pranga kanë përfunduar 12 persona.

Drejtori i Krimeve Ekonomike dhe Kundër Korrupsionit, Nazim Sahiti ka thënë se në këtë aksion sekuestruar diku afër 400 mijë euro.

“Sot gjatë ditës nga Drejtoria për Krime dhe Kundër-Korrupsion janë sekuestruar një shumë e madhe e parave, diku afër 400 mijë euro. Saktësisht ende nuk e dimë por sillen aty diku”, ka thënë ai.

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera