Lajme

Reagon aktivisti i Lidhjes së Deçanit pasi iu mbulua vajza: Derisa ta mbash shaminë, nuk ke të drejtë të më quash baba

Autori: Gazeta inFokus 14:50 | 01 July 2025

Aktivisti i Lëvizjes për Rikthim, Ahmet Musa, ka publikuar një letër të gjatë dhe emocionale drejtuar bijës së tij dhe opinionit publik, ku shpreh dhimbjen dhe zhgënjimin e tij pas vendimit të vajzës për të veshur shaminë.

Në letrën e titulluar “A do t’ia mbulojnë edhe nënën Qendresës?”, Musa rrëfen se bija e tij, të cilën e kishte pagëzuar Qendresa si simbol të qëndresës kombëtare dhe shpirtërore, u rrit jashtë Kosovës, por jeta e saj ndryshoi pas martesës me një djalë nga Kosova, lidhje që, siç tregon ai, fillimisht e pa si një mundësi për të fituar “një djalë”, por që përfundoi me largim dhe përjetime të vështira për vajzën.

Ai thekson se gjatë kohës sa qëndronte me të, vajza nuk kishte veshur shami, pasi ai nuk do ta pranonte kurrë një gjë të tillë në familjen e tij, duke e quajtur mbulesën si simbol të “standardeve të huaja që përpiqen të zhbëjnë kulturën dhe identitetin shqiptar”.

-Advertisement-

Në letër, Musa pretendon se mbulesa e vajzës nuk ishte vendim i lirë, por një akt i imponuar, madje i porositur dhe i paguar. Ai ngre dyshime se kjo ndodhi si pjesë e një skeme të organizuar nga rrethi i burrit të saj, të cilin e lidh me qarqe ekstremiste islamike.

Letra e plotë:

Letër për bijën time dhe për opinionin publik :

A do t’ia mbulojnë edhe nënën Qendresës?

Qendresën e pagëzova unë. Ishte emri që zgjodha me gjithë shpirt, si simbol i qëndresës sonë kombëtare, shpirtërore e kulturore. U rrit larg vendlindjes, por me dashuri për rrënjët. E mbështeta që të arsimohej siç i ka hije një vajze shqiptare: Mbaroi shkollimin në vendin ku jetonim, përfundoi studimet në Angli dhe më vonë i vazhdoi ato pasuniversitare në Universitetin e Helsinkit – një rrugëtim për t’u respektuar.

Para se të lidhte jetën me një djalë nga Kosova, Qendresës i thashë:

“Nëse kam fatin që bija ime të krijojë lidhje me një djalë që vjen nga një familje e mirë shqiptare, unë fitoj një djalë. Në të kundërtën, humbas edhe vajzën.”

Mua më ndodhi kjo e fundit.

Ajo u martua dhe solli në jetë tre fëmijë të mrekullueshëm. Por jeta bashkëshortore nuk ishte e lehtë. Përjetoi nënçmim dhe madje edhe kërcënim fizik. Ishte e policia e shtetit që e largoi burrin e saj nga banesa, por ai u strehua te një i afërm i tij, i lidhur me qarqe ekstremiste islamike. Jo vetëm ai, por e gjithë familja e tij ishte e zhytur në një frymë jetese që nuk përputhet me vlerat e mia, me rrënjën dhe krenarinë shqiptare që ia kam mësuar vajzës sime.

Qendresën, për aq kohë sa unë isha aty, nuk e mbuluan. E dinte se nuk do ta pranoja në shtëpinë time me shami – njësoj siç nuk do ta pranoja as motrën time, as tezen, as hallën nëse do i shihja të mbuluara sipas standardeve të huaja, të atyre që përpiqen të na zhbëjnë kulturën dhe identitetin.

Por, më pas, vajzën ma mbuluan.

Sipas informacioneve që kam, ajo u nënshtrua pavarësisht se deklaron se mbulesa ishte vendim i saj i lirë, në faktë ishte një akt i imponuar – madje me porosi dhe me pagesë, sepse ishte fjala për bijën e Shqiptar Shaljanit. A u pagua dhëndrri? Apo rrjeti i njerëzve të tij? Nuk e di me siguri, por e di se bija ime nuk do pranonte kurrë para për të shitur dinjitetin. Ajo bëri një kompromis të hidhur për të ruajtur paqen, për të mbrojtur fëmijët, për të shpëtuar një familje që ishte duke u rrënuar.

Por, unë, si atë shqiptar, si burrë i rritur në frymën e arbërit, nuk mund të rrija pa reaguar.

Kur ma tregoi atë që kishte ndodhur, i thashë me dhimbje, por me bindje:

“Nga kjo ditë e tutje, derisa ta mbash shaminë, nuk ke të drejtë të më quash baba.”

Ky nuk është refuzim ndaj fëmijës tim, por një protestë ndaj ideologjisë që po na e mbyt identitetin kombëtar. Nuk është urrejtje, por dhimbje. Nuk është largim, por qëndresë.

Unë nuk kam luftuar gjithë jetën për ta parë bijën time të kthyer në simbol të një kulture që nuk është e jona. Nuk dua që nipërit e mbesat e mi të rriten në frymën e frikës, nën mbulesën e imponuar nga mendësi të huaja që nuk kanë lidhje me krenarinë tonë kombëtare, me kulturën tonë arbërore, me besimin e të parëve.

Bijë, nëse lexon këtë letër, dije se dashurinë time nuk e ndal shamia, por e lëndon thellë. E di që ende ka forcë brenda teje – forcën që ta kam dhënë kur të quajta Qendresë. Nëse e mbulove shpirtin, zbuloje të vërtetën. Nëse e mbulove kokën, lëshoje mendjen të flasë lirshëm. Sepse emri yt nuk ka lindur për të heshtur.

Mitrovicë, 29.06.2025 .

Shqiptar Shaljani.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Udhëtoni drejt Berlinit me PrishtinaTicket me çmime speciale!
-Advertisement-

Të tjera