Ekonomi

Reagime dhe thirrje për protesta, çka do të ndodh pas paralajmërimit për shtrenjtim të rrymës

Autori: Gazeta inFokus 21:08 | 18 January 2022

Afro 200 mijë familje do të preken nga rritja e çmimit të energjisë të propozuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Këta konsumatorë konsumojnë mbi 600 kilovatë energji brenda muajit.

Qeveria e Kosovës e ka aprovuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që harxhojnë më shumë se 600 kWh energji.

Ky veprim ka ngjallur reagime të shumta në Kosova. Kundër këtij paralajmërimi kanë dal partitë opozitare, shoqëria civile e organizata të ndryshme.

-Advertisement-

Janë paralajmëruar edhe protesta e seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka fajësuar Qeverinë Kurti se e ka futur vendin në krizë me “reagimin e vonshëm” për ngritjen e çmimit të rrymës.

“Në fillim thanë s’kemi krizë. Më pas i dhanë 100 milionë euro për blerje të energjisë. Para të buxhetit të shtetit që mund t’i përdornim shumë më mirë. Tani kemi edhe krizë, edhe 100 milionë më pak, edhe shtrenjtim të energjisë. Papërgjegjësia kushton. Reagimi i vonshëm kushton. Dhe dy javë nga sot, këtë padituri e papërgjegjësi të Qeverisë, përtej 100 milionëshit të djegur tashmë, do ta paguajnë më shumë se gjysma e familjeve kosovare në faturat e tyre mujore të energjisë. Për çdo muaj në vijim, një e treta e pagës mesatare në Kosovë do të shkojë për energji. Tani kjo është krizë”, ka shkruar Abdixhiku në një reagim në Facebook, pasi Qeveria njoftoi se do të subvencionojë me 75 milionë euro për të zbutur faturat me çmim të ngritur të rrymës.

Abdixhiku ka akuzuar Qeverinë se s’ka as plane e as ide për zhvillim strategjik. Sipas tij, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti “do ta gjejë sërish fajtorin diku në 20 vjet”.

Kurse, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci, ka thënë se kjo rritje do të rëndojë edhe më shumë mirëqenien e qytetarëve në kohën kur ka rritje të çmimeve të produkteve ushqimore.

“Paralajmërimet tona të shumta ndaj Qeverisë për të ndërmarrë hapa adekuatë për zgjidhjen e problemeve me kohë, në mënyrë që edhe të ketë furnizim të sigurt me energji, edhe të mos ketë ngritje të çmimeve, sot janë bërë realitet dhe masat e propozuara nuk përkojnë aspak me gjendjen ekonomike të familjeve kosovare”, ka thënë Stavileci.

Sipas tij, propozimi për rritjen e tarifave pas një periudhe të rëndë ekonomike si pasojë e pandemisë është njëra nga goditjet më të ashpra që po u bëhet qytetarëve të Kosovës.

“Kjo rritje do ta rëndojë mirëqenien sociale të qytetarëve, në kohën kur edhe ashtu të gjitha çmimet e produkteve primare të konsumit janë rritur dhe kjo rritje do të vazhdojë me efekte edhe më të mëdha. Për më keq, kjo rritje mund të adresojë nevoja për koston e sistemit për periudha para nesh. Sot rrjeti ynë i transmisionit, KOSTT si shtylla kryesore e sigurisë së furnizimit, është para kolapsit financiar”, ka thënë Stavileci.

Ish-ministri i Ekonomisë, Valdrin Lluka, ka folur çështjes së ngritjes së tarifave të energjisë elektrike.

Lluka tha se deri ky propozim për rritje të tarifave të energjisë elektrike ka ardhur, pasi që sipas tij, e gjithë bota po përballet me krizë energjetike dhe duhet të gjendet një mekanizëm zbutës i kësaj.

Ai tha se si shkak i kësaj krize, është një presion konstant tek rrjeti energjetik i Kosovës për të pasur ose rritje të çmimeve ose subvencionim më shumë.

“Forma e propozuar nga ZRRE është ndër format të pranueshme për të mos qenë barrë e disa prej konsumatorëve për më tepër. E pranueshme sepse, shumicës së konsumatorëve që nuk janë konsumues të mëdhenj të energjisë elektrike nuk i preken tarifat ose pak, kurse dëmtohen ata që janë konsumues më të mëdhenj, atëherë kjo do ta zbutë krizën për të gjithë qytetarët në vend”, është shprehur Lluka.

Ndërsa edhe analisti Imer Mushkolaj ka shkruar me ironi se qytetarët më mirë të shkojnë në veri, pasi atje shteti paguan rrymën e shpenzuar që nga paslufta.

“Ma mirë na bjen me shku krejtve me jetu n’veri. Bile na pagun shteti rrymën”, ka shkruar Mushkolaj.

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se paralajmërimi për rritjen e çmimit të rrymës është paralajmërim për protesta.

Sipas Molliqajt çmimi i rrymës në Kosovë është më i lirë për shkak se “ne e paguajmë pjesën tjetër me shëndetin tonë”.

“Nëse KEK-u ka bërë ndonjë investim në gjeneratorë, ka sens rritja e çmimit. Por, sipas raporteve të fundit financiare të KEK-ut, kjo korporatë ka pasur fitim vjetor mbi 20 milionë euro, që i bie se çmimi i gjenerimit është më i lartë se që paguajmë ne. Rikthimi i sistemit të blloktarifave godet direkt shumicën e konsumatorëve. Kjo rritje parashihet të ndodhë për të gjithë konsumatorët që harxhojnë më shumë se 600KhË. Rritja e çmimit do të jetë ndërmjet 80% – 100%. Në shoqërinë tonë ngrohja me rrymë ka shumë pak alternativa, shtrenjtimi i çmimit do të përfshijë shumë familje.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka deklaruar se 69 përqind e konsumatorëve nuk e kalojnë asnjë muaj gjatë vitit shifrën 600 kWh. Ai thotë se edhe ata që e kalojnë, për 600 kWh të parë paguajnë më lire.

Buzhala ka shkruar në Facebook se kati 80 përqind e konsumatorëve nuk e kalojnë shifrën e 600 kWh gjatë muajve të verës.

“Janë 69 për qind e konsumatorëve që nuk e kalojnë asnjë muaj gjatë vitit shifrën e 600 kËh. Gati 80 për qind e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë shifër gjatë muajve të verës. Ndërsa, edhe ata që e kalojnë për

Ndërkohë nga Qeveria kanë bërë të ditur se zotimi i tyre për subvencionim të 75 milionë eurove për të ndikuar në zbutjen e krizës ka mundësuar që konsumatorët që shpenzojnë më pak se 600 kilovatë të mos kenë rritje të çmimit.

Subvencionimi sipas Qeverisë zbut edhe tarifat për konsumin mbi 600 kilovatë.

Në njoftimin e saj thuhet se raporti i ZRRE-së ka ardhur si rrjedhojë e tremujorit të fundit të vitit 2021, kur Kosova është dashur të importonte energji elektrike për të furnizuar konsumatorët me energji elektrike mbi nivelin që mund të sigurohet nga kapaciteti gjeneruese vendore dhe për të plotësuar rritjen e kërkesës si pasojë e motit të ftohtë. Kostoja e furnizimit me energji elektrike nga importet është ngritur ndjeshëm duke ndikuar edhe në koston e energjisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera