Sport

Reagim ndaj shpifjeve kundër Federatës së Futbollit të Kosovës dhe shantazhit ndaj z. Eroll Salihu, Sekretar Gjeneral i FFK-së

Autori: Gazeta inFokus 22:14 | 05 June 2020

5 qershor, 2020 – Federata e Futbollit të Kosovës shpreh shqetësimin e saj në lidhje me fushatën denigruese, shpifëse dhe qëllimkeqe të cilën kanë filluar ta zhvillojnë disa media kundër Sekretarit Gjeneral të Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Eroll Salihu, se kinse ndaj të njëjtit kanë filluar hetimet nga organet e rendit.

Ne si Federatë e Futbollit të Kosovës, ndjejmë obligim t’iu njoftojmë se ndaj Sekretarit Gjeneral në Federatën tonë, z. Salihu, nuk ka filluar asnjë procedurë hetimore penale nga organet e rendit. Këto lajme të cilat po qarkullojnë nëpër këto mediume nuk përfaqësojnë asgjë të vërtetë, por janë vetëm shpifje të radhës. Kjo mënyrë e të bërit lajm pa poseduar asnjë provë dhe fakt, nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën.

Pra, këto publikime, janë vetëm shpifje të orkestruara nga disa grupe përmes mediumeve të caktuara të cilat kanë për qëllim të dëmtojnë imazhin e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe kësisoj të pengojnë punën e z. Salihu dhe Federatën e Futbollit të Kosovës.

-Advertisement-

Jo rastësisht ky shkrim është publikuar të premten në mbrëmje, në kohën kur institucionet e kanë përfunduar orarin e punës, për të qenë e pamundur të nxirret dokumenti nga policia dhe hetuesia që dëshmon se nuk ka asgjë të vërtetë për këto pretendime të këtij portali shpifës.

Po ashtu, ky shkrim denigrues është nxjerrë në fundjavën e parë të rikthimit të futbollit, me qëllim që të jetë temë e diskutimeve në emisionet sportive të fundjavës si përpjekje për të denigruar imazhin dhe personalitetin e Sekretarit Gjeneral dhe të FFK-së në përgjithësi.

Me qëllim që kjo fushatë denigruese, shpifëse dhe qëllimkeqe të mos vazhdojë më tutje, ne si Federatë e Futbollit të Kosovës, kemi angazhuar avokatët për të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore ndaj portalit Indeksonline dhe mediave të tjera të cilat publikojnë lajme të pavërteta kundër Federatës së Futbollit të Kosovës përkatësisht sekretarit të saj z. Eroll Salihu.

Me respekt,
Federata e Futbollit e Kosovës

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera