Lajme

Rasti “Ukë Rugova II”, dëshmitarët thonë se kishin paguar mbi 3 mijë euro për vizë italiane shengen

Autori: Gazeta inFokus 14:29 | 20 April 2023

Në gjykimin ndaj 15 të akuzuarve për mashtrim me viza, i njohur si rasti “Ukë Rugova II”, dëshmitari Gëzim Sallahu ka thënë se një personit ia dhënë 3 mijë e 600-700 euro për vizë italiane shengen, ndërsa dëshmitari Behar Zhuniqi, ka deklaruar se ka paguar 3 mijë për vizë.Këto deklarime, dëshmitarët Sallahu dhe Zhuniqi i bërë në seancën e së enjtes, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Florije Shamolli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit në këtë rast, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voça, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami, ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 6 prill 2022.Dëshmitari Sallahu, në seancën e së enjtes, ka thënë se nuk ka aplikuar personalisht në Ambasadë për vizë, por tha se ishte pajisur me vizë përmes një personit, emrin e të cilit nuk e dinte.

“Nuk kam apliku personalisht për këtë vizë, unë kam qenë në punë në Prishtinë dhe në stacion të autobusëve një person m’u ka afru dhe më ka pyet a je i interesum për vizë, të cilin në atë kohë nuk e kam njohur, nuk e kam pyet as për emër, as më vonë nuk më ka interesu kush është sepse mua më ka interesuar vetëm viza”, ka deklaruar dëshmitari Sallahu.Ai tha se atij personit ia kishte dhënë pasaportën dhe i njëjti ia kishte sjellë me vizë në biznesin e tij privat, në Suharekë.

-Advertisement-

“Unë atij personit ia kam dhënë pasaportën, ka pas me ma pru vizën dhe unë i kam pagu 3 mijë e 600-700 euro, paratë ia kam dhënë atij personit kur ma ka pru vizën tek pllaci im në Suharekë”, ka thënë ai.Përveç kësaj shume të parave, ai tha se nuk kishte paguar asgjë tjetër. Por, për personin të cilit ia kishte dhënë këto para, ai tha se nuk është i pranishëm në sallë të gjykimit.

Këtë vizë, dëshmitari Sallahu tha se ka shfrytëzuar disa herë pasi që sipas tij viza ka qenë e rregullt.“Po, e kam shfrytëzu vizën, me vizë kam shkuar disa herë në Zvicër, u kanë multi që ke mujt me shfrytëzu, sepse viza u kanë në rregull”, theksoi ai.

Tutje, i njëjti ka thënë se qëllimi i pajisjes me vizë në atë kohë ishte për të dalë jashtë vendit.Edhe dëshmitari Behar Zhuniqi, ka deklaruar se kishte marrë një vizë italiane shengen, për të cilën kishte paguar 3 mijë euro dhe se nuk ka aplikuar personalisht në Ambasadë, por me të dëgjuar në fshat e kishte gjetur personin.

“Jo s’jam kanë në Ambasadë, kam ni që po i japin vizat është folë në katun, në fshatin Ballaqak, kam shku vetë në Sapniq, e kam gjet personin, i kam tregu që po më duhet një vizë”, ka thënë dëshmitari Zhuniqi.Personi me të cilin kishte kontaktuar, ai tha se është Sami Gashi, i cili ia kishte sjellë vizën.

“Ky personi që unë kam kontaktuar është Sami Gashi, ai ma ka pru vizën edhe ia kam dhënë paratë 3 mijë euro. Unë fillimisht ia kam dhënë pasaportën një natë më herët, të nesërmen ma ka pru vizën unë ia kam dhënë paratë”, ka thënë ai.Po ashtu, edhe dëshmitari Zhuniqi ka thënë se personit të cilit ia kishte dhënë paratë, nuk është asnjëri nga të akuzuarit në sallë.

Qëllimi i pajisjes me vizë, ai tha se ka qenë për të dalë jashtë vendit, sikur që dilnin të gjithë dhe shtoi se vizën e kishte shfrytëzuar vetëm një herë.I njëjti deklaroi se asnjëherë nuk ka punuar në familjen Rugova.

Në këtë seancë janë dëgjuar edhe dëshmitarët Basri Shala, Gjergj Gecaj dhe Kadri Vishaj.Dëshmitari Shala tregoi se të akuzuarin Beg Shaqiri e ka mik shtëpie, e kur një ditë e kishte ftuar djalin e tij në drekë në familje, gjatë bisedës kishte kuptuar se vëllai i tij kishte marrë një vizë italiane.

“Unë e kam ftu djalin e Begut, Muhametin, jena gjeneratë, për drekë në familje dhe gjatë bisedës më tregoi që vëllai i tij e ka marrë një vizë italiane dhe unë e kam pyet për procedurat, tha mundesh me pyet babën në telefon se edhe ai e din ma mirë”, deklaroi Shala.Pastaj, ai tha se e kishte telefonuar tani të akuzuarin Beg Shaqiri, i cili i kishte thënë që duhet të shkojë në Ambasadë për të aplikuar për vizë.

Gjatë bisedës në telefon, dëshmitari Shala tha se nuk i kujtohej nëse është përmendur shuma 3 mijë e 500 euro.

Por, i njëjti tha se nuk kishte qenë i interesuar për vizë për vete, por për një shok të tij.

“Nashta është folë për pare, por mu s’po më kujtohet, se ai shoku jem nuk ka jep pare por as nuk ka apliku, as unë as shoku s’kemi dhënë pare. Viza s’u marrë kurrë, ju betohem ”, tha Shala.Ndërsa, dëshmitari Gecaj fillimisht ka thënë se me të akuzuarin Valon Selimi ishte takuar dy herë dhe kishte rënë në kontakt me të përmes një shoku të tij.

“Me thënë të drejtën e kam taku dy herë por nuk e njoh mirë, më të kam biseduar në telefon, një shok, në fakt një gjakovar ma ka dhënë numrin e tij, për shkak se ky personi i bënë vizat në mënyrë më të shpejt për mos me prit”, tha Gecaj.Dëshmitari Gecaj ka thënë se deri te kontakti me Valonin, kishte ardhur për arsye që t’iu ndihmojë njerëzve të cilët kishin nevojë për të dalë jashtë shtetit.

“Unë kam bisedu për këtë çështje me Valonin, të nesërmen jam taku me të në Gjakovë, ia kam gjet katër njerëz për me ia bo vizat, ai mbas një jave na ka kthy pasaportat pa viza, me arsyetimin se “një shok i imi ka dalë prej punës”, as nuk na ka marrë pare as nuk i kemi dhënë, por fjala ka qenë kur të kryhen vizat m’i dhanë pare”, tha tutje dëshmitari Gecaj.Ai tha se nuk i kujtohej saktë shuma e parave nëse ka qenë 1 mijë e 500 apo 2 mijë euro.

Në fund të deklarimit të tij, i akuzuari Valon Selimi e ka ballafaquar të njëjtin me deklaratën e dhënë në polici, pasi që në polici Gecaj kishte thënë se nuk është takuar kurrë me Selimin, ndërsa në këtë seancë deklaroi se ka e takuar dy herë.Por, pasi që dëshmitari Gecaj e identifikoi të akuzuarin Valon Selimi, ai tha se nuk është ky personi me të cilin është takuar.

“E vërteta është se unë kam nejt me një Valon, por nuk është ky Valoni me të cilin kam nejt”, tha dëshmitari.E dëshmitari Kadri Vishaj, ka thënë djali i tij kishte aplikuar për vizë në Ambasadën Zvicerane, por të njëjtit i ishte refuzuar viza.

“Pasi iu ka refuzua viza kur kemi dalë nga Ambasada, janë afruar disa persona të agjencionit por jo ndonjë person konkret edhe na kanë thënë a muj me ju ndihmu me dokumente”, ka thënë Vishaj.Por, dëshmitarit nuk i kujtohej nëse dikush i kishte thënë se mund t’ia rregullojë një vizë italiane, e gjithashtu nuk i kujtohej që kishte deklaruar në polici nëse dikush ia kishte kërkuar 3 mijë e 500 euro për rregullim të vizës.

Ai tha se djali i tij kishte aplikuar edhe për vizë italiane, por prapë iu kishte refuzuar.Në seancë i pranishëm ishte edhe dëshmitari Besmir Kelmendi, por prokurorja Shamolli u tërhoq nga dëgjimi i këtij dëshmitari, pasi që sipas saj i njëjti nuk e ka përmendur asnjë nga të akuzuarit dhe dëshmia e tij nuk është relevante.

Seanca e radhës për rast është e caktuar më 28 prill 2023.Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.

Pasi që lënda ishte transferuar tek gjykatësit vendor, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkonte Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se PSRK-ja ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë, Michael Giffoni.PSRK-ja po pretendon se 15 të akuzuarit Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami, kishin vepruar si grup kriminal bashkë me Ukë Rugovën dhe të tjerët, me qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Ky rast është ndarë në dy pjesë, pasi siç kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, një gjë e tillë është bërë në mënyrë që gjykim të jetë më efikas.Rasti “Ukë Rugova I”, më 30 mars 2023 ka marrë epilog në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku Ukë Rugova u lirua nga akuza për krim të organizuar me vizat italiane, ndërsa u dënua me 6 mijë euro për armëmbajtje pa leje.

Pra, Themelorja mori aktgjykim lirues lidhur me veprën penale krim i organizuar ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, Qefser Bahollit dhe Izet Beqirit, ndërsa aktgjykim dënues për armëmbajtje pa leje ndaj Rugovës, Bahollit dhe Beqirit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut

Të tjera