Lajme

Rasti “Kumanova”, ja si dhe kush duhet ta bëjë hetimin ndërkombëtar

Autori: Gazeta inFokus 08:45 | 03 November 2017

Rasti që tronditi Maqedoninë e që u cilësua si një “luftë e vogël“ më në fund mori epilog. Megjithatë, thuajse askush në këtë shtet nuk beson në objektivitetin e verdiktit gjyqësor andaj është kërkuar “hetim ndërkombëtar”.

Për të, siç mëson Portalb, do të duhet shumë ekspertë, kohë si dhe ende më shumë, vullnet politik dhe etje për të vërtetën.
Pas shpalljes së vendimit për lëndën “Lagjja e Trimave – Kumanova”, ku 26 të akuzuar u dënuan gjithsej me 746 vjet burg dhe 7 të tjerë me burg rë përjetshëm, rikthehet kërkesa që vazhdimisht është bërë nga pala mbrojtëse, ekspertët juridik, por edhe nga eksponentë politik, se për rastin në fjalë duhet të ketë hetim ndërkombëtar. Me këtë, do të pastrohen dyshimet e shumta për të thënat se rasti në fjalë është i montuar politikisht nga shërbimet sekrete të Maqedonisë.

Para disa ditësh ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, tha se Qeveria do ta marrë për obligim që të zbatojë hetim ndërkombëtar shtesë për rastin në fjalë, duke mos sqaruar se si i njëjti do të bëhet apo kush do të jetë pjesë e një hetimi të tillë.

-Advertisement-

Portalb.mk, ka kontaktuar me ministrin Spasovski, për të na sqaruar diçka me tepër se si në praktikë do të zhvillohet ky hetim ndërkombëtarë, gjegjësisht në çfarë modaliteti dhe kush do të jetë pjesë e saj, por ai ishte i zënë dhe na tha se “në një afat të shkurtër kohor do të jetë i lirë që të flasë për temën në fjalë”. “Zakonisht kjo procedurë shkon me ndihmë ndërkombëtare juridike. Në qoftë se ka indicie se më tepër se një shtet janë të përfshirë në atë vepër penale, pra kur kryerësit e veprës kanë ardhur prej diku tjetër ose diku tjetër e kanë organizuar një pjesë të veprës penale, atëherë mund të ketë hetim të përbashkët që mund t’i përfshijë ato dy shtete dhe ndonjë organ internacional.

Sipas ekspertes juridike, Besa Arifi, hetimi ndërkombëtar do të mund të zhvillohej në një organ i cili do të ishte më i pavarur apo në një kategori më të lartë se sa vetë policia dhe hetuesia e vendit.

Në këtë rast do të mund të ishte “Interpoli”, si organizatë policore ndërkombëtare e cila mund të bëjë hetime në këtë drejtim dhe në një mision që do të ishte më i pavarur apo në një kategori më të lartë se sa vetë policia dhe hetuesia e vendit dhe në këtë mënyrë do të ketë mundësi që të involvohen organe të tilla, varësisht se çfarë kërkese mund të ngrejë vetë MPB dhe si të njëjtën do ta realizojë”, thotë Arifi për Portalb.mk, duke shtuar se sa më shpejtë të fillojë hetimi ndërkombëtar, aq më mirë është edhe për rastin, i cili do të vazhdojë në shkallën e dytë në Gjykatën e Apelit.

Avokati i palës mbrojtëse, Mefail Arsllani, deklaroi se në praktikë deri më tani nuk ka pasur përvojë për ndonjë hetim ndërkombëtare, ndërkaq ai shpjegon se ka dy forma se si ai mund të bëhet: njëra nëpërmjet palës mbrojtjes me kërkesë deri te Ministria e Drejtësisë dhe tjetra nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Se në çfarë mënyre do të bëhet, fillimisht duhet të formohet komision për hetim ndërkombëtar, por si do të bëhet ajo, edhe ne nuk e kemi të qartë. Komisioni mund të formohet me iniciativë të palës mbrojtëse nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, por në qoftë se organi siç është MPB ka dyshime rreth hetimit që është bërë dhe ka lëshime në hetim mund të kërkojë ekspertë prej jashtë në atë lëmi që të formohet një komision që të informohen. Organet që mundin ta udhëheqin këtë lojë është Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë”, thotë Arsllani.

Çfarë mund të hetojnë ekspertët ndërkombëtarë?

Ekspertizat plotësuese për rastin në fjalë duhet që të bëhen nga ekspertët e lëmive përkatëse për hetim, gjegjësisht do të duhen ekspert të fushës së balistikës, obduksionit, forenzikës, komunikimeve etj., që të munden t’i konstatojnë dyshimet e krijuara për rast të montuar, shkruan Portalb.mk.

Ekspertët për komunikim duhet të shohin se bisedat që janë përgjuar ku janë të përfshirë Grupi i Kumanovës a janë të plota, apo janë të prera?

Udhëheqja e telefonatave të përgjuara bëhet me numër rendor, ndërkaq kur i janë dhënë palës mbrojtëse nuk kanë qenë të renditura, gjegjësisht ka numër 1, kërcen në 24, 32, 12, pra nuk ka pasqyrë reale të atyre që kanë inçizuar.

Duhet të shihen lëshimet e Ministrisë së Brendshme pasi që, pala mbrojtëse akuzon që gjatë prezantimit të CD-së për aksionin e Policisë në Kumanovë, nuk ka as datë as orë. Në fund të CD-së paraqitet se me 10 maj ka pasur luftime, kurse grupi është dorëzuar më 9 maj. Me kë kanë luftuar?

Të hetohet deklarata e kryeprokurorit të Kosovës, Aleksandër Lumza, i cili ka thënë se për grupin ka pasur masa të posaçme të sigurisë dhe kanë qenë nën mbikëqyrje nga organet e Kosovës, faktikisht kur ka masa të posaçme të sigurisë hyjnë edhe përgjimet e telefonatave. Duhet të dëgjohen ato përgjime, me kë kanë komunikuar ky grup para se të vijë në Maqedoni, me kë janë takuar, kush janë organizatorët, kush i solli në Kumanovë?

Të hetohet deklarata e Stojançe Angellovit, ku tha se një “UÇK e rrejshme ka marrë 2 milionë euro për të bërë incidente”, kush ia dha atë informacion, pse nuk u hetua, pse nuk u lejua që Angellov të dëshmojë në Gjykatë?

Duhet që ekspertët që i kanë kryer ekspertizat, të merren në pyetje të kryqëzuara nga pala mbrojtëse, gjë që nuk ka ndodhur në rastin në fjalë.

Këto dhe shumë çështje tjera për të cilat kanë lidhje me indiciet për rast të montuar, duhet që t’i verifikojë dhe t’i konstatojë komisioni i formuar nga përbërja e re qeveritare, konkretisht MPB.

Ndryshe, hetim ndërkombëtarë është kërkuar nga të gjitha partitë shqiptare, nëshkruese të Deklaratës së Përbashkët, ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, në Prishtinë, Behxhet Shala, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti slloven Borut Pahor, thirrje të tilla ka pasur edhe nga eurodeputetët, zyra e të Drejtave të Njeriut në OKB, Kosovë, Shqipëri, figura të tjera politike dhe ekspertëve për çështjet e brendshme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera