Lajme

Rasti i 18-vjeçares nga Ferizaj, pritet të intervistohen babai i 18-vjeçares dhe nëna e Krivaqës

Autori: Gazeta inFokus 21:41 | 20 October 2021

I dyshuari kryesor për vrasjen e Marigona Osmanit, 18-vjeçares nga Ferizaj, Dardan Krivaqa, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje, gjatë intervistimit që prokuroria ia ka bërë në përpjekje për zbardhjen e kësaj vrasjeje.

Edhe i dyshuari tjetër, Arbër Sejdiu, nuk ka pranuar të flasë para organeve të hetuesisë, kur u intervistua javën e kaluar. Ndërkaq, televizioni ka kuptuar se prokuroria do të intervistojë edhe disa dëshmitarë, përfshirë edhe babanë e së ndjerës dhe nënën e Dardan Krivaqës.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka intervistuar sot Dardan Krivaqën, i cili dyshohet se në fund të gushtit vrau partneren e tij, Marigona Osmani. Por as këtë herë ai nuk ka pranuar të rrëfej ngjarjen me arsyetimin se fillimisht dëshiron ta sheh raportin e autopsisë të së ndjerës.

-Advertisement-

Njësoj ka vepruar javën e kaluar edhe shoku i tij, Arbër Sejdiu, i cili, sipas organeve të hetuesisë, ndihmoi Krivaqën në kryerjen e veprës penale.

ATV nëpërmjet burimeve brenda prokurorisë, ka mësuar se në lidhje me këtë rast do të intervistohen edhe babai i Marigona Osmanit dhe nëna e Dardan Krivaqës.

Po ashtu, një dëshmi para organeve të rendit do ta japë edhe punëdhënësi i Marigonës, pronar i marketit, ku kishte punuar 18-vjeçarja, por e cila ishte larguar nga puna vetëm 3 ditë para se të gjendej e vdekur.

Në anën tjetër, avokati i familjes së Marigonës, Gazmend Rexhepi, thotë se ata ende nuk e kanë marrë raportin e autopsisë, i cili është përfunduar javën e kaluar, me arsyetimin se një gjë e tillë mund të ndikojë në hetime.

“Kanë kërkuar nga ne që të mos na e dorëzojnë deri tash. Edhe familja, edhe unë si përfaqësues i tyre e kemi aprovuar këtë kërkesë me qenë se nuk dëshirojmë të ndikojmë në hetime. Aty është një raport paksa më i detajuar,” – u shpreh Rexhepi.

Ai kërkon dënim maksimal për dy të dyshuarit, pasi, sipas tij, vrasja e Marigonës është shumë e rëndë. Ndaj të dyshuarit të parë presim që të zbatohet

“Unë si përfaqësues i tyre, tash deri në këtë fazë sa jam, pres që drejtësia të shkojë në vend. Presim që të zbatohet Neni 41 Par. 1 i Kodit Penal të Kosovës ku parashihet edhe burgimi i përjetshëm meqë pasojat janë shumë të rënda. Dhe për aq sa kemi informacione deri tash, kjo mund të konsiderohet si vrasja më mizore që ka ndodhë në Kosovë që nga vrasjet e pasluftës,” – tha tutje Rexhepi.

Marigona Osmani, në mbrëmjen e 22 gushtit, u la e vdekur para dyerve të spitalit në Ferizaj, nga dy të dyshuarit, pas dhunës fizike dhe psikike që besohet të jetë ushtruar mbi të, disa ditë radhazi.

Dy të dyshuarit, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, janë në paraburgim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera