Lajme

Rasti “ALFA”, video e vrasjes mund të rikthejë procesin gjyqësor (Video)

Autori: Gazeta inFokus 14:52 | 11 February 2018

Kjo video incizim tregon një skenë krimi të 26 nëntorit të vitit 2008 të ndodhur në afërsi të Fakultetit të shkencave matematiko-natyrore në Shkup. 10 vjet më vonë, gazetarja Liridona Vejseli në profilin e saj në facebook publikoi pamjet nga kamera e sigurisë që ka filmuar vrasjen e policit të njësitit “Alfa”, Afrim Latifin dhe plagosjen e rëndë e dy policëve të tjerë.

Njëri nga të arrestuarit në këtë rast, Ramiz Dauti, i cili më pas u lirua në mungesë të provave thotë se edhe i dënuari Agim Islami është i pafajshëm. Ai tregon se në ditën e vrasjes kanë qenë tek restoranti i Agimit. Sipas tij Agimi atëherë ishte 21 vjeç dhe punonte si kuzhinier, ndërsa thotë se nuk ka pasur asnjë aftësi të gjuajtjeve profesionale siç shihet në video.

“Unë mendoj se videoja është një dëshmi shumë e rëndësishme. Gjatë gjykimeve ne nuk e kemi ditur që ekziston dhe në ditën që ka marr vendimi gjykata u tregua se ekziston një video dhe do ta publikojnë. Ne kemi marr pjesë deri sa na ka marr në pyetje gjykata, pastaj neve na kanë nxjerr jashtë kur e kanë treguar videon. Për x arsye të gjyqit video nuk është zmadhuar për tu hetuar saktë dhe besoj se kjo është një dëshmi shumë e madhe ku shihen qartë, nëse jo fytyrat, shihet madhësia e trupave që nuk ngjason me trupat e sulmuesve. Ajo është dëshmi e madhe që do ta zbardh rastin”, u shpreh Ramiz Dauti, i arrestuar në rastin “Alfa”.

-Advertisement-

Nga pala mbrojtëse e të dënuarve me burg të përjetshëm thonë se këtij video-materiali duhet t’i bëhet ekspertizë ndërkombëtare për të vërtetuar fytyrat e vrasësve. Avokati Jovan Joanidis thotë se as gjykata supreme nuk ka dhënë shpjegim të qartë nëse kryerësit e veprës kanë qenë të dënuarit.

“Biseda të përgjuara sigurisht që ka, por edhe bisedat e regjistruara patjetër të ekzistojnë në MPB. Sipas gjitha gjasave iu janë dhënë edhe PPS-së. Vlerësoj se edhe Specialja duhet të kyçet në këtë rast, pasi që kjo prokurorja është përgjegjëse për krime të rënda. Është përgjegjëse për ta dëshmuar të vërtetën dhe jo dikush i pafajshëm të gjykohet pa nevojë”, tha Jovan Joanidis, Avokati i të dënuarit Agim Islami.

Familjarët e të dënuarit tjetër, Rexhail Qerimi thonë se kanë dërguar një kërkesë te PPS për rihapjen e rastit, me që sipas tyre ngjarja ka ndodhur në periudhën e bisedave të përgjuara.

Nga Prokuroria Publike Speciale thonë se është herët të flitet për një hap drejt marrjes në shqyrtim të rastit “ALFA”. Prokurorja speciale Lençe Ristoska, përmes telefonit për TV21 tha se nuk përjashtohet mundësia e hapjes së procedurës para hetimore, por sipas saj, kjo varet nga rrethana të ndryshme.

Në prill të vitit 2010, për këtë vrasje me burgim të përjetshëm u dënua Rexhail Qerimi nga fshati Opajë i Kumanovës dhe Agim Islami nga Shkupi. Me nëntë vjet burg u dënua Ramadan Shaqiri si bashkëpunëtorë në krim, kurse me burg te përjetshëm u dënua edhe Almir Drpljani, i cili ishte në arrati, por më vonë u ekstradua në Maqedoni për ta vuajtur burgun.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera