Lajme

Raportuesit për Kosovën dhe Serbinë në Parlamentin Europian mbështesin dialogun Thaçi – Vuçiq

Autori: Gazeta inFokus 22:06 | 05 September 2018

Deputetët kryesorë të Parlamentit Europian i mbështesin përpjekjet e presidentit Vuçiq të Serbisë dhe presidentit Thaçi të Kosovës për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve brenda kuadrit të së drejtës ndërkombëtare.

Igor Soltes, raportues për Kosovën dhe David McAllister, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian dhe raportues për Serbinë, u takuan me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherinin.

Sipas një komunikate për media, McAllister dhe Soltes kanë thënë që dialogu midis presidentit Thaçi dhe presidentit Vuçiq për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë dhe për stabilitetin e tërë Ballkanit Perëndimor.

-Advertisement-

“Ne dëshirojmë të mbështesim ngrohtësisht përpjekjet e tyre, si dhe ato të vendosura nga Përfaqësuesja e Lartë / Zëvendëspresidentja Federica Mogherini gjatë viteve të fundit për të arritur një marrëveshje e cila është e qëndrueshme dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe për të mirën e të gjithë rajonit”, kanë thënë eurodeputetët.

Ata kanë shtuar se e dinë se sa sfiduese mund të jenë këto diskutime, por një rezultat pozitiv mund të hapë rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe do të çonte në marrëdhënie të mira fqinjësore.

“Një marrëveshje e tillë me pëlqimin e ndërsjellë do të ishte një arritje historike dhe ne, në Parlamentin Europian, mbetemi plotësisht të përkushtuar që të sigurojmë të gjithë mbështetjen tonë për të dy presidentët dhe për Përfaqësuesen e Lartë / Zëvendëspresidenten, për të siguruar një rezultat të suksesshëm”, kanë përfunduar ata.

Më 9 tetor 2018, Komisioni për Punë të Jashtme (AFET) do të votojë për dy raporte parlamentare, “Raportin mbi Raportin e Komisionit të 2018 për Kosovën” dhe “Raportin mbi Raportin e Komisionit të 2018 për Serbinë”. Këto pritet të miratohen nga Parlamenti Evropian para fundit të vitit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Black Friday në Comodita Home: Përfito 100€ extra zbritje në dyshekë
-Advertisement-

Të tjera