Lajme

Raportimet për arrestime të reja të ish-komandantëve, a ka aktakuzë të re në Speciale?

Autori: Gazeta inFokus 19:49 | 21 April 2022

Ka kaluar një kohë e gjatë prej se një aktakuzë e re u inicua nga Prokurorët e Dhomave të Specializuara të Hagës.

E fundit që u konfirmua, është ajo ndaj Pjetër Shalës, në luftë i njohur me nofkën Komandant “Ujku”, shkruan lajmi.net.

Gjatë këtyre ditëve të fundit, në media pati raportime se së shpejti priten arrestime të reja nga Specialja, e madje edhe të komandantëve të zonave të cilët janë më në zë.

-Advertisement-

Por, aktit të arrestimit fillimisht dhe ligjërisht në bazë të punës së deritanishme të Gjykatës Speciale duhet t’i prijë një fletëarrest i lëshuar nga gjykatësi paraprak. Ky i fundit, caktohet në rastet kur ka një aktakuzë ndaj ndonjë individi. Pra, arrestimet nga Specialja deri tani kanë ndodhur pas konfirmimit të një aktakuze.

Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Herën e fundit kur një gjyqtar paraprak u caktua të merret me një çështje/aktakuzë, ishte rasti i Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit, e të cilët nuk akuzohen për krime lufte, por për vepra penale që ndërlidhen me administrimin e drejtësisë.

Këtë për lajmi.net e kanë konfirmuar edhe nga zyra për informim e Gjykatës Speciale.

“Vendimi i fundit publik i Kryetarit të Dhomave të Specializuara për caktimin e gjyqtarit të procedurës paraprake është vendimi i datës 29 tetor për caktimin e gjyqtarit të procedurës paraprake në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale për lajmi.net.

I fundit që u arrestua nga hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar është pikërisht Pjetër Shala, disa muaj pasi që atij i ishte konfirmuar aktakuza dhe ishte caktuar gjyqtari paraprak.

Njëjtë kishte ndodhur edhe në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kishin përfunduar në pranga vetëm pasi që atyre u ishte konfirmuar aktakuza.

Procedurë e njëjtë kishte ndodhur edhe në rastin e Salih Mustafës.

Neni 39, pikat 3 dhe 4 të Ligjit për Dhomat e Specializuara specifikojnë edhe modalitetet ligjore të arrestimit.

“Me kërkesë të Prokurorit të Specializuar, gjyqtari i procedurës paraprake mund të lëshojë urdhërarrestim apo fletarrestim dhe të urdhërojë transferimin e personave në Dhomat e specializuara, si dhe çfarëdo urdhri tjetër që mund të kërkohet për zhvillimin e hetimeve dhe për përgatitjen e shqyrtimit gjyqësor të drejtë dhe të shpejtë, përfshirë urdhrat që kanë të bëjnë me mundësinë e veçantë hetimore dhe masat e posaçme hetimore”, thuhet në pikën 3 të nenit 39.

“Në zbatim të urdhërarrestit ose fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e specializuara, personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuza merret në ndalim (nëse nuk është në paraburgim), informohet menjëherë për akuzat kundër tij dhe transferohet në Dhomat e Specializuara. Nëse nuk është lëshuar fletarrestimi dhe nëse është në liri, i akuzuari thirret për t’u paraqitur personalisht ose përmes videolidhjes në shqyrtimin fillestar para Dhomave të Specializuara”, thuhet në pikën 4 të nenit 39 të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Aktualisht në Gjykatën Speciale po zhvillohen katër procese gjyqësore, tri prej të cilave për krime lufte.

Që të gjithë të akuzuarit janë në paraburgim dhe të njëjtëve deri tash u janë refuzuar të gjitha kërkesat për mbrojtje në liri./Lajmi.net

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera