Lajme

Raporti grek: Mafia shqiptare, kërcënim për vendet e BE-së

Autori: Gazeta inFokus 15:19 | 07 August 2017

Vitet e fundit, krimi i organizuar shqiptar shfaqet si një nga kërcënimet kryesore për vendet e Bashkimit Europian, me gjithë përpjekjet që janë bërë për përballimin e tij.

Kështu thuhet në një raport sekret të hartuar nga policia greke, me të dhënat e saj dhe të EUROPOL-it. Duke qenë se Greqia është fqinjë e Shqipërisë, është ajo që preket më tepër.

Nga raporti rezulton se veprimtaria kryesore e keqbërësve shqiptarë në të ashtuquajturin kriminalitetin e rëndë në Greqi është trafikimi i drogës nga Shqipëria drejt Greqisë dhe Italisë.

-Advertisement-

Ndërkohë që prej janarit të vitit 2016, më shumë se 15.5 tonë hashash janë sekuestruar në territorin grek, prej të cilave 6.8 tonë vetëm në 6 muajt e fundit.

Në faqe të veçanta të raportit, pjesë të të cilit publikon për herë të parë dhe ekskluzivisht gazeta “Kathimerini”, përveç hashashit, mafia shqiptare trafikon edhe heroinën e kokainën që vijnë nga Afganistani, Turqia, apo vendet e Amerikës Latine, me destinacion më pas shtetet e Europës Juglindore.

Gjithashtu në raport thuhet se një sektor tjetër ku grupet kriminale shqiptare dominojnë është trafikimi i qenieve njerëzore dhe vjedhja e makinave luksoze, që çohen më pas në Shqipëri dhe Kosovë.

Policia greke i përshkruan këta kriminelë si tepër të dhunshëm, të pamëshirshëm, që nuk ngurrojnë të përdorin armët dhe të marrin jetë, ndërsa ka informuar shpeshherë edhe organet shqiptare për aktet kriminale të regjistruara në vend.

“Nga viti 2010 deri në 2015-n janë zbardhur rreth 16.750 vjedhje dhe bastisje shtëpish me autorë kriminelë shqiptarë, 3.158 vjedhje makinash, 4.347 çështje trafikimi droge dhe 478 vrasje. Përveç qytetarëve grekë, viktima të këtyre rasteve kriminale në këto vite kanë qenë edhe gati 10 mijë shtetas shqiptarë që banojnë në Greqi”, thuhet në raport.

Realitet i hidhur sipas raportit është fakti se, keqbërësit shqiptarë kanë “pjesën e luanit” në botën e krimit, në krahasim me shtetasit e tjerë të huaj në Greqi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E PREMTJA E BARDHË NË ETC ME ZBRITJE DERI 50%
-Advertisement-

Të tjera