Lajme

Raportet e këqija me Vjosa Osmanin, Edi Rama orkestron sulme kundër saj

Autori: Gazeta inFokus 19:16 | 28 September 2022

Tashmë janë evidente raportet e tensionuara mes Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Rama. Ato u manifestuan edhe në Nju Jork gjatë ditëve të fundit, ku le që nuk u takuan me njëri-tjetrin, as sa për kurtoazi, por nga qëndrimi i tyre atje lindi edhe një konflikt i ri. Në vend të një reagimi nga Rama, kundër Osmanit u sulën gazetarët e tij dhe mediat që kanë seli në Tiranë.

Aty ku u bie të takohen, në forume ndërkombëtare, Edi Rama e Vjosa Osmani, sillen sikur të ishin nga dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën.

Njësoj ndodhi edhe në Nju Jork gjatë 7-8 ditëve të fundit qëndruan të dy. Si pjesëmarrës të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, Osmanit e Ramës u ra të shihen në takimin që e organizoi Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

-Advertisement-

Në pamjet që i publikoi Kryeministri në largim i Malit të Zi Dritan Abazoviq, Rama e Osmani nuk u panë duke i shtrënguar duart.

Kur Presidentja Osmani dha një intervistë për Zërin e Amerikës nuk e la pa u marrë me Ramën.

“Mosmarrëveshjet janë të natyrës zyrtare për temat të cilat edhe i përmenda. Natyrisht që raportet ndërpersonale në mes të politikanëve janë komplet të parëndësishme, por çka është e rëndësishme është raportet ndërshtetërore”, tha ajo.

Tutje, Presidentja i përmendi raportet me Presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj, me të cilin tha se “ka raporte të shkëlqyeshme”.

“Unë përmenda se cilat janë dallimet tona. Unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë, pavarësisht se a janë nga Kosova, nga Shqipëria, nga Maqedonia e Veriut apo nga Mali i Zi apo Presheva, shndërrohen në apologjetikë të politikave të Serbisë, është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës qoftë shqiptarëve” tha Osmani.

Rama, i cili kohëve të fundit ka rregulluar pak raportet me Kryeministri Kurti, në fjalimin e tij në OKB një pjesë të madhe ia kushtoi Kosovës, më saktësisht raportit të Dick Martyt, të cilin e ka marrë përsipër ta kontestojë aty ku është miratuar, në Këshill të Evropës.

Për këtë fjalim, te një pjesë e eksponentëve politikë u thanë fjalë të mëdha ndërsa u kritikuan Kurti e Osmani, të cilëve iu kërkua që t’i bëjnë jehonë fjalimit të Ramës për krerët e UÇK’së që ndodhen në Hagë.

Ai nuk u mor fare me Vjosa Osmanin. Por këtë e bënë media të afërta, të cilat iu sulën Osmanit.

U shkruan se ajo e ka përjetuar më keq fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë në sallën e OKB, se vetë Serbia.

“E ka përjetuar personalisht, si një urrejtëse e Edi Ramës dhe Shqipërisë, e ka përjetuar si një e ftuar e papërfillur e Asamblesë dhe mbi të gjitha, si një fjalim që ajo nuk di as ta lexojë, dhe jo më ta shkruajë” shkruante një media në Tiranë.

“Duket qartë se ajo nuk e duron dot Shqipërinë as kur e mbron Kosovën. Dhe për të justifikuar sikletin e saj në sallë, kur vendin e saj e mbronte kryeministri i Shqipërisë, ndërsa ajo i kërkonte foto presidentit të SHBA me Dua Lipën, shpërtheu tek Zëri i Amerikës, duke akuzuar Edi Ramën se po ja shpëton fytyrën Serbisë”, vazhdon artikulli.

Lajmi që implikon edhe Dua Lipën, u dha në një media tjetër që ka raporte të ngushta me Ramën.

Sipas tyre, Osmani ka kërkuar takim me Presidentin Biden duke thënë se do të shkojë te ai me Dua Lipën, yllin kosovar të muzikës në skenën ndërkombëtare.

Ky lajm u përgënjeshtrua shpejt nga Presidenca.

“Demant. Presidentja Osmani asnjëherë dhe në asnjë rast nuk i ka dërguar letër Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, në të cilën thotë se do ta marrë me vete edhe Dua Lipën në takim. Të gjitha letrat e Presidentes dërguar Presidentit Biden janë publike dhe ato asnjëherë nuk e kanë pasur një përmbajtje të tillë.

Prandaj, raportimet e tilla nga disa mediume, janë të pavërteta” shkroi Bekim Kupina këshilltari për media i Presidentes.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik

Të tjera