Lajme

Ramiz Qeriqi thotë se gjatë kohës së luftës i ka raportuar Fatmir Limajt dhe jo Rexhep Selimit

Autori: Gazeta inFokus 13:39 | 23 April 2024

Dëshmitari Ramiz Qeriqi tha se gjatë kohës së luftës kur ka shërbyer në Krojmir, i ka raportuar Fatmir Limajt dhe asnjëherë nuk i ka raportuar Rexhep Selimit.

Ndërsa, rreth asaj se kujt i ka raportuar Fatmir Limaj, dëshmitari tha se nuk ka njohuri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë nga ajo ditë që kam shkuar në Krojmir që kam shku me Fatmir Limajn, unë i kam raportuar Fatimir Limaj… Detyrat i kam marrë nga Fatmir Limaj. Unë i kam raportuar Fatmir Limaj, kujt i ka raportuar ai, unë nuk e di”, tha dëshmitari.

-Advertisement-

Dëshmitari Qeriqi pohoi se nuk e ka ditur asnjëherë se kush ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, ndonëse ishte takuar me Rexhep Selimin në Likoc.

“Nga kjo kohë unë kam pas punë me Fatmir Limajn, me Brigadën. Kam qenë i organizuar në batalion dhe nuk kam pasur njohuri për Shtab të Përgjithshëm”, tha dëshmitari Qeriqi.

Ndërsa, në kohë të luftës, dëshmitari tha se ka menduar që përgjegjës për UÇK-në ka qenë në atë kohë Rexhep Selimi pasi sipas tij i kishte kërkuar Azem Syla që të shkojë me një letër në Likoc për t’ia dhënë Selimit.

Dëshmitari tha se nuk ka përgjigje pasi nuk e mban mend se a ka dëgjuar për Rexhep Selimin gjatë kohës para se t’iu bashkohet luftës në Kosovë.

“Nuk kam çfarë të them. Nuk kam përgjigje, nuk di se çfarë të them. Nuk mbaj mend që kam dëgjuar diçka për ata. Janë edhe nëpër gazeta dhe mund t’i lexoni nëse ka diçka”, tha ai.

Ai sërish theksoi se gjatë funksionit të tij, i ka raportu vetëm Fatmir Limajt dhe jo Selimit.

“Unë asnjëherë nuk i kam raportu, jemi marrë vesh me Fatmir Limajn që unë i raportoj Fatmir Limajt dhe Fatmir Limaj Rexhep Selimit. A i ka raportu a s’i ka raportu nuk e di… qysh kam thënë më herët qashty qëndron…Fatmiri ka pas një pozitë më të madhe se unë. A i ka raportu a s’i ka raportu nuk muj me ditë dhe nuk më intereson, unë i kam raportu atij, e Rexhës kurrë”, tha ai.

Ndërsa, sa i takon takimit, dëshmitari tha se Azem Syla ia kishte kërkuar që t’ia japë një letër Rexhep Selimit më pas i cili e udhëzoi që të shkonte në Krojmir.

Dëshmitari e pohoi se Selimi nuk e urdhëroi, por e udhëzonte që të zbatonte atë që kishte kërkuar Azem Syla. Si rrjedhojë, dëshmitari tha se ka menduar që Selimi ishte më ‘i madhi’ në Likoc.

“Syla më ka thanë me u drejtu Rexhep Selimit me ia dhanë këtë letër dhe u kuptu që ai është më i madh aty”, tha ai, duke shtuar që nuk ishte takuar më asnjëherë me Selimin./betimiperdrejtesi/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
UNICEF-i global boton artikull për rezultatet e partneritetit me Devolli Corporation: U fuqizuan gratë, përfituan familjet
-Advertisement-

Të tjera