Lajme

Rama takohet me presidentin gjerman Frank Walter Steinmeier

Autori: Gazeta inFokus 17:53 | 11 April 2022

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është takuar sot në Berlin me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe kryetaren e bashkisë së Berlinit, Franziska Giffey. Në mbrëmje është për darkë te kancelari Olaf Scholz.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ndodhet për një vizitë në Berlin. Ai është takuar me presidentin e vendit Frank Walter Steinmeier me të cilin ka biseduar rreth politikës së zgjerimit, çeljes së negociatave me BE-në dhe mbi sfidat e perëndimit përballë agresionit rus në Ukrainë. Në mbrëmje ai do të takohet edhe me kancelarin Scholz.

Qeveria aktuale gjermane e ka prioritet Ballkanin Perëndimor dhe është një promotorët kryesore të përshpejtimit të zgjerimit. “Ne duhet të kujdesemi që t’i forcojmë dhe mbështesim rajonet fqinjë”, tha në fund të marsit, kancelari gjerman, Olaf Scholz, pas takimit me homologun e tij austriak, Karl Nehammer.

-Advertisement-

“Çdo zvarritje e mëtejshme në çeljen e negociatave e bën Ballkanin Perëndimor më vulnerabël ndaj ndikimeve të të tretëve.” Scholz bëri thirrje për të mobilizuar një përkrahje sa më të gjerë dhe u zotua se Gjermania do të bëjë të vetën. Ngjashëm ishte shprehur edhe pas takimit homologen suedeze Magdalena Andersson.

Vizitës së Edi Ramës në Berlin i kanë paraprirë disa vizita të deputetëve shqiptarë, si Taulant Balla dhe Mimi Kodheli, të cilët kanë lobuar për çeljen e negociatave. Shqipëria po përgatit terrenin, që të shkëputet nga partneriteti me Maqedoninë e Veriut, në rast se Bullgaria vijon ta bllokojë edhe në tej atë në rrugëtimin e saj drejt BE-së, Kryetari i Komitetit të BE-së në Bundestag, Hofreiter, i tha DW, se një ndarje e dy vendeve do të ishte e mundur, por ai ishte skeptik, nëse ajo do të kishte efekt pozitiv.

Në mesditë Rama ishte për vizitë në Bashkinë e Kuqe të Berlinit, ku takoi kryetaren e Bashkisë, njëherazi kryeministre e landit të Berlinit, Franziska Giffey. Sipas burimeve diplomatike, Rama shoqërohej edhe nga përfaqësues të Bashkisë së Tiranës dhe në takim do të bisedonte për mundësinë e binjakëzimit mes Berlinit dhe Tiranës.

Edi Rama gëzon reputacion në Berlin, sidomos pas angazhimit të Shqipërisë në konfliktin e Ukrainës. Por ai njihet edhe si artist.

Teksa po dilte nga Bashkia e Kuqe një “gjuetar autografësh” erdhi me tre fragmente nga pikturat e tij dhe iu lut për firmën.Një kilometër larg në vijë ajrore nga Bashkia e Kuqe, kryeministri shqiptar kishte hapur në vitin 2018 ekspozitën e tij të parë në Berlin.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane

Të tjera